1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Produktet bujqësore nga Shqipëria eksportohen për në tregun e vendeve të BE-së

Arben Muka/ Tiranë11 Gusht 2008

Prodhimet "Made in Albania" që pëlqehen nga konsumatorët gjermanë, italianë e hollandezë janë shalqini, domatja, lulelakra, vaj i ullirit, bimët medicinale etj. Ekspertët i vlerësojnë këto prodhime për përmbajtje bio.

https://p.dw.com/p/EukF
Produkte nga Shqipëria
Produkte nga ShqipëriaFotografi: DW/ Cama

Viti 2008, vecanërisht ky sezon veror, përshkruhet si mjaft i suksesshëm për fermerët shqiptarë. Produkti i rreth 700 mijë tonëve perimesh të stinës, jo vetëm që përmbush nevojat e tregut vendas, duke i shitur ato me cmime të ulura për konsumatorët, por dhe ka zgjeruar hartën e vendeve ku ato eksportohen. Nëse në dy vitet e fundit mbiprodhimi destinohej në vendet fqinje të rajonit, si në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Serbi, gjatë këtij viti për herë të parë është "ngritur dhe trau" në territorin e BE-së.

Drejtori për Median dhe Marrëdhëniet me Publikun në Ministrinë e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Rexhep Shahu, tha ditën e hënë për DW-në, se "sivjet fermeri shqiptar ka eksportuar dhe po eksporton në Gjermani, Itali e Hollandë. Të gjitha perimet apo produktet shqiptare kosiderohen nga eskpertët si natyrale, ose bio. Kjo është dhe aksidentale, pasi për një fermer në Shqipëri është e pamundur financiarisht të blihen plehra a kimikate për tokën dhe produktet", shpjegon Shahu.

Duke folur për produktet bujqësore "Made in Albania" që janë të destinuara për tregun gjerman, Shahu liston vaijin e ullirit, shalqinin, lulelakrën, domaten, bimët medicinale etj. Vaji shqiptar i ullirit pëlqehet dhe nga vende të tjera jashtë BE-së. "Ky produkt është mjaft i kërkuar në tregun botëror dhe Shqipëria është një nga 5 vendet e globit që e kultivon ullirin dhe e prodhon vajin si produkt të saj. Gjithashtu dhe bimët medicinale eksportohen deri dhe në SHBA, për përmbajtjet natyrale që kanë,"-thotë Rexhep Shahu..

Ministria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit është duke bashkëpunuar me shoqatat e fermerëve dhe sipërmarrësit e eksporteve të produketeve bujqësore për rritjen e cilëisë dhe plotësimin e standareteve që kërkon blerësi në vendet e BE-së, për përmirësimin e marketingut, të ambalazhimit të produkteve, mbajtjes së tyre në kushte optimale gjatë transportit për në tregun e kontraktuar etj.

Një ndihmë e madhe kanë qënë në vitet e fundit dhe emigrantët shqiptarë, të cilët janë kthyer në vendlindje duke hapur biznese në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Të kthyer në Shqipëri me tjetër eksperiencë dhe mendësi, ata janë bindur se cilësia dhe standartet kanë rëndësi jetike si për tregun vendas ashtu dhe për produktin që destinohet për eksport.