1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prodhimet shqiptare të papërgatitura për BE

Odise Kote3 Dhjetor 2006

Liberalizimi taksave doganore për import-eksportet me vendet e Bashkimit Europian ka krijuar përpos shanseve konkuruese, edhe paqartësi e mungesë inisiative për biznesin shqiptar

https://p.dw.com/p/As6A
Pantallona në rrugë, Durrës
Pantallona në rrugë, DurrësFotografi: DW

Disa nga drejtuesit e dhomave të tregtisë në rajonin jugor shprehen jofort optimistë me listën e produkteve që mund të eksportohen me tarifa doganore të ulëta ndërkohë që deklarojnë se prodhimi vendas do të mbetet i pambrojtur. Biznesi shqiptar duket jo shumë i përgatitur për këtë sistem konkurimi, duke mosnjohur legjislacionin dhe standartin europian.


Sapo ka nisur epoka e re, ajo e liberalizimit të taksave doganore për import-eksportet shqiptare me vendet e Bashkimit Europian dhe hallet e vështirësië e biznesit shqiptar duket se nuk kanë të mbaruar. Vetë prodhuesit shqiptarë, kryesisht ata të industrisë së lehtë e ushqimore, ku është dhe fusha që shpresohet të rriten eksportet shqiptare duket se nuk janë të përgatitur për të njohur rregullat e tregut e për të përballuar konkurencën.

Disa nga drejtuesit e dhomave të tregtisë në rajonin jugor shprehen jofort optimistë me listën e produkteve që mund të eksportohen me tarifa doganore të ulëta ndërkohë që deklarojnë se prodhimi vendas do të mbetet i pambrojtur. Ilir Gushi, drejtues i dhomës së tregtisë në Gjirokastër thotë se prodhuesit e ndryshëm të produkteve ushqimore ende nuk dinë listën e produkteve të lejuara, nuk kanë standartin europian në prodhimet e market e tyre.

Por për të përballuar këtë problem mjaft të rëndësishëm po ndërmerren një varg seminaresh trainuese me prodhues e biznesmenë për të përvetësuar sistemin e rregullat e konkurencës europiane. Këto trainime po kryhen në rajonet Korcës, Gjirokastrës e Vlorës, rajone që kanë potenciale prodhuese për industrinë e lehtë e ushqimore. Drejtore ekzekutive e institutit shqiptar të cilësisë Renata Kongoli, shprehet se po punohet për të përvetësuar sistemin Hasap, një standart europian në industrinë ushqimore, që është një sistem i detyrueshëm për kompanitë që duan të eksportojnë prodhimet e tyre në tregjet europiane.

Ndërkaq vetë Bashkimi europian po ndërmer masat e veta për të mbrojtur prodhimet dhe eksport-importet që vijnë ose hyjnë në vendet jo anëtare të tij. Në pikëkalimin kufitar të Kakavijes është ngritur dhe funksionon laboratori i parë i kontrollit për prodhimet ushqimore, laborator i ngritur me investimin e Bashkimit Europian.

Për ekonominë dhe bizneset shqiptare duket se tashmë ka mbërritur koha e provës në rrugën drejt integrimit europian. Megjithë vështirësitë e panumërta dhe përvojën e traditën fillestare, biznesi shqiptar duket i vendosur në përballimin e sfidës, që në vetvete është dhe sfida e ngritjes ekonomike shqiptare.