1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Adolf Eichmann-i para gjyqit - Një ekspozitë

8 Prill 2011

Adolf Eichmann-i organizoi asgjësimin e hebrenjve në Rajhun e Tretë. Për këtë atë e dënuan në Izrael. Procesi gjyqësor kundër tij nisi 50 vjet më parë dhe konsiderohet si pikë kthese në përballjen me krimet e nazizmit.

https://p.dw.com/p/10qEf
Eichmann-i në procesin në Jeruzalem
Eichmann-i në procesin në JeruzalemFotografi: AP

Një "bllok akulli" ka qenë ai, një bllok akulli të cilit nuk i bënte asgjë përshtypje. Kështu i kujtohet Heinrich Grüberit, Adolf Eichmanni. Grüberi ishte në kohën e nazizmit anëtar i një grupi të krishterësh evangjelistë, të cilët ndihmuan hebrenjtë. Gjatë procesit gjyqësor kundër Adolf Eichmannit, ai ishte njëri ndër shumë dëshmitarët, të cilët informuan për takimet e tyre me Eichmannin. Pjesë nga deponimi i tij gjenden në ekspozitën "Procesi - Adolf Eichmanni para gjyqit", në Fondacionin Topografi e Terror në Berlin.

Tetë muaj zgjati atëherë procesi gjyqësor kundër Adolf Eichmannit. Vendimi kundër drejtuesit të të ashtuquajturit "sektor i hebrenjve" të Gestapos, në 11 dhjetor 1961 ishte i qartë:" Fajtor për shkaktimin e vdekjes së miliona hebrenjve nga kampet e pëqendrimit, trupat e ndërhyrjes, koncentrimin e kampeve të përqendrimit dhe deportimin masiv. Fajtor për krijimin e kushteve të jetesës për miliona hebrenj, në kuadër të të cilave këta duhet të asgjësoheshin. Fajtor për shkaktimin e dëmeve të rënda trupore dhe shpirtërore miliona hebrenjve."

Mendjet e krimit para gjyqit

Andreas Nachama, drejtor i Fondacionit "Topografi e terrorit" e quan Adolf Eichmannin një "transportues të vdekjes". Ndërsa Eichmanni vetë, gjatë procesit 50 vjet më parë e paraqiti veten si "marrës urdhërash". Atij i vjen keq dhe e dënon urdhërin e asgjësimit të hebrenjve, të dhënë nga udhëheqja e atëhershme e shtetit gjerman, tha ai para gjyqit, por ai vetë ishte vetëm "një vegël në duart e fuqive më të mëdha dhe më të forta dhe e një fati të pashpjegueshëm."

Gjykata nuk e ndoqi interpretimin e tij. Ajo e dënoi atë me vdekje. Gabriel Bach ishte gjatë procesit kundër Eichmannit zëvendësprokuror. Ndërkohë ai është 84 vjeç dhe shkoi në Berlin kur dëgjoi që u hap ekspozita. Kurrë nuk do ta harrojë momentin e procesit, tha Bach, kur gjykatësit hynë në sallë dhe pas tyre emblema e shtetit izraelit. "Aty m'u bë menjëherë edhe më e qartë se në çdo moment tjetër rëndësia e shtetit Izrael, më shumë se pas çdo parade, çdo demonstrimi dhe ose çdo artikulli gazete.

Shërbimi Informativ Gjerman refuzon të vërë në dispozicion dosjen Eichmann

Procesi kundër Eichmanit u arrit të bëhet vetëm sepse atë e rrëmbeu në Argjentinë Shërbimi i Fshehtë Izraelit, Mossad dhe e dërgoi në Izrael. Kjo çoi në telashe diplomatike me RFGJ. Më vonë u bë e qartë se Shërbimi Informativ Gjerman dhe instanca të tjera të Gjermanisë Perëndimore kishin patur që në fillim të viteve '50 të dhëna për vendin e qëndrimit të Eichmannit, po nuk kishin reaguar.

Eichmann-i në Argjentinë para rrëmbimit nga Mossadi.
Eichmann-i në Argjentinë para rrëmbimit nga Mossadi.Fotografi: picture-alliance/akg-images/IMS

Me dëshirë do të kishin hedhur organizatorët e ekspozitës një vështrim në dokumentat e fshehta, por Shërbimi Informativ Gjerman refuzoi t'i nxjerrë ato. Historiani izraelit, Moshe Zimmermann thotë se interesi në rastin e Eichmannit u zhvillua vetëm gradualisht në Gjermani, sepse ndërgjegjia historike për rëndësinë e epokës naziste në Gjermani u zhvillua vetëm ngadalë. Në fillim të viteve '50, pak pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, Eichmanni nuk ka pasur rëndësinë që ka sot.

Krimineli i luftës Eichmann
Krimineli i luftës EichmannFotografi: AP

Vetëm procesi gjyqësor kundër Eichmannit solli edhe te publiku gjerman një interes më të madh për sqarimin e krimeve naziste.

Autor: Marcel Fürstenau/Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Cika Kelmendi