1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Privatizimi në Bullgari iu përshtat pushtetmbajtësve

1 Tetor 2010

Agjencia e privatizimit ka qenë për shumë politikanë në Bullgari si një fantazmë. Pasardhësit e Zhivkovi pretendonin që me të gjitha mjetet të ruanin kontrollin mbi ekonominë e vendit.

https://p.dw.com/p/PRz6
Uzinë e prodhimit të çelikut në Bullgari
Uzinë e prodhimit të çelikut në BullgariFotografi: DW-TV

Një prej çështjeve kyçe në periudhën pas kthesës politike në Bullgari ishte ajo e shpejtësisë dhe formës së privatizimit të pasurisë së shtetit. Një pjesë e lëvizjes demokratike, e krijuar nga opozita antikomuniste, angazhohej për aplikimin e modelit gjerman. "Privatizimi i shpejtë", ishte motoja e shefes së Agjencisë së atëhershme të privatizimit Birgit Breuel, por përpjekjet e saj dështuan. Në Bullgari u arrit konsensus që të mos ndiqet koncepti i Agjencisë së mirëbesimit. Ky vendim u konfirmua edhe nga parlamenti i parë i zgjedhur në zgjedhje të lira. Konsensusi i arritur u respektua edhe pas zgjedhjeve të dyta parlamentare, kur marrëveshja e shndërrua në një ligj.

Ideja kryesore e ligjit ishte që pasuria e shtetit të mos kalojë në duart e një strukture të re, e cila do të bënte privatizimin. Por që fillimisht të bëhej rimëkëmbja e sipërmarrjeve, gjë që ishte shumë e vështirë, sepse shumica e sipërmarrjeve punonte me humbje të mëdha. Largimet masive nga puna ishin të domosdoshme, por kjo ishte e pamundur të realizohej, për shkaqe politike. Përveç kësaj, dy qeveritë postkomuniste ishin më shumë të preokupuara me ruajtjen e klientelës së tyre në sektorin shtetëror. Fjala është për rreth 700 borde të sipërmarrjeve të mëdha, të cilat i takonin ish - Partisë Komuniste. Krasen Stançev, drejtor i Institutit Ekonomik në Sofje, pohon se modeli i privatizimit nga fundi i viteve 90-të është bërë sipas dëshirës së atyre që kanë mbajtur pozita të rëndësishme.

Tregu kryesor në Sofje
Tregu kryesor në SofjeFotografi: J. Sorges

Modeli gjerman i privatizimit nuk u pranua


„Ata që patën mbajtur më parë pozicionet kryesore në sipërmarrjet shtetërore, patën mundësinë që t'i blejnë të parët këto sipërmarrje, me kushte shumë të volitshme.“

Krasen Stançev, deputet opozitar pas zgjedhjeve të para të lira (1990-1991), në fillim ishte për zbatimin e një modeli gjerman të një agjencie mirëbesimi. Ndonëse modeli gjerman u studiua me hollësi, udhëheqja politike vendosi kundër tij.

„E saktë, sepse ky model nuk u pranua me qëllim. Ndryshe, tërë pasuria e shtetit do të kalonte në duart e një strukture të re. “


Në Bullgari nuk kishin sukses modelet e gatshme

Stançevi ende është i bindur se ky model do të kishte qenë më i mirë. Por për fat të keq në Bullgari nuk ishte e mundur që ai të zbatohej, për dallim prej Gjermanisë, ku lindja iu bashkua pjesës perëndimore.

„Një vend me një ekonomi normale dhe të përparuar, me një sistem stabil kushtetues dhe sistem të rregulluar partiak, ku populli të ketë besim ndaj qeverisë. Proceset e këtilla legjitime mund t'i realizojë vetëm një shtet i tillë, siç është Gjermania, e jo një shtet i cili sapo është liruar nga qeveria komuniste, siç ishin Taxhikistani, Bosnjë-Hercegovina, Polonia apo dhe Çekia. Nuk bëhet fjalë për pranimin e një modeli të gatshëm. As modeli rumun, ku ishte krijuar një organ për administrimin e pasurisë së shtetit, nuk ka shënuar rezultatet e pritura. Rumunët i privatizuan për pak para aksionet e hekurudhave, ndërkohë që pjesët më fitimprurëse të ekonomisë rumune nuk u privatizuan për një kohë të gjatë“, pohon eksperti dhe ish-politikani Krasen Stançev.


Autor: Antoaneta Nenkova/Alexander Andreev/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi