1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-Ballkani Perëndimor - Pritshmëritë nga Gjermania

6 Tetor 2021

Samiti BE-Ballkan Perëndimor në Brdo pri Kranju, Slloveni, synon të ruajë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Çfarë presin ekspertët dhe politika në Gjermani?

https://p.dw.com/p/41Jv4
EU-Gipfel in Slowenien
Fotografi: Idro Seferi

Gjermania është një nga vendet që e mbështet perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE. Ministri i jashtëm Heiko Maas, kishte apeluar të hënën në kuadër të një takimi me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përkatësisht fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare. Ky proces për momentin ka ngecur, për shkak të vetos bullgare. Maas tha se Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Brdo pri Kranju duhet të "dërgojë në rajon mesazhin e qartë se anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE është një synim i arritshëm.

Berlin | Treffen Außenminister von Deutschland und Nordmazedonien Heiko Maas und Bujar Osmani
Bujar Osmani dhe Heiko Maas në BerlinFotografi: MFA North Macedonia

Ekonomia gjermane për çelje të negociatave

Edhe kryetari i Shoqatës së Bizneseve në Lindje, Oliver Hermes , sipas një deklarate të publikuar në prag të samitit ka kërkuar nga qeveria gjermane të lobojë për çeljen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, siç del në pah nga një dokument pozicionimi që nga ka nxjerrë në prag të samitit Shoqata e Bizneseve të Lindjes. "Presim nga qeveria e re që të vijojë angazhimin e deritanishëm dhe të investohet me vendosmëri në Bruksel për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, çfarë është miratuar qysh vitin e kaluar", the Hermes. 

Shkëmbimi i mallrave të Gjermanisë me rajonin është trefishuar në periudhën 2009 dhe 2019 në më shumë se dymbëdhjetë miliardë euro. Kompanitë gjermane kanë kryer investime në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, e sidomos në Serbi, ku numri i vendeve të punës të hapura falë investimeve gjermane ka arritur në 70.000, e në Bosnjë dhe Hercegovinë rreth 35 000 vende pune. Një shifër e ngjashme synohet të arrihet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Deutschland | Deutsche Wirtschaft | Oliver Hermes
Oliver HermesFotografi: DW/N. Jolkver

Te investohet në energji të ripërtërishme

Agora Energiewende, një think tank me qendër në Berlin, bën thirrje që në kuadër të axhendës së gjelbër, që është pjesë e Planit Ekonomik dhe Investitor të BE-së, të dilet nga përfitimi i ekonomisë nëpërmjet qymyrit. Në një studim të publikuar në prag të samitit, Agorawende thotë se dy minierat e qymyrit që janë planifikuar të ndërtohen në rajon janë destinuar të dalin me humbje. Kjo, pasi vetë nxjerrja e qymyrit është shumë kushtueshme,  por edhe për shkak të rritjes së masave që duhen marrë për mbajtjen e ajrit të pastër, si edhe për faktin që do të vështirësohet shitja e energjisë së fituar prej qymyri në Evropë. Agora Energiewende kërkon që të fillohet që tani me kalimin në energji të ripërtërishme e cila sipas saj është e mundur te realizohet deri në vitin 2040.

EU-Gipfel in Slowenien
Samiti i Sllovenisë Fotografi: Ludovic Marin/AFP/Getty Images

Ekologjizimi dhe digjitalizimi i ekonomive të Ballkanit Perëndimor janë pjesë Planit Ekonomik dhe Investitor të BE-së. BE-ja dhuron 9 miliardë euro, ndërsa synon të gjenerojë  30 miliardë euro të tjera përmes investimeve private.

"Plani ekonomik nuk do të sjellë rritje ekonomike" 

Por një studim i përbashkët i Fondacionit gjerman Bertelsmann dhe Instituti Vjenez për Ekonomi të Krahasuar, publikuar në prag të samitit, e kritikon këtë strategji. Autorët Stefani Weiss dhe Richard Grieveson janë të mendimit se pakoja ekonomike e BE-së nuk do ta ndryshojë gjendjen e trishtë ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Dhe se investime të tilla edhe në të kaluarën nuk kanë funksionuar.

Rritja e këmbimit tregtar brenda rajonit nuk e ka rritur mirëqenien për kokë të popullsisë së rajonit, i cili është ende 15 deri 20 herë më i ulët se ai i  BE-së. Ata propozojnë integrimin ekonomik të rajonit me BE-në, duke hapur fondet strukturore dhe të kohezionit si edhe instrumente të tjera të financiare.