1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina ofron garanci për ruajtjen e kishave dhe manastireve serbe

Bekim Shehu19 Maj 2006

Grupi Negociator i Kosovës, tri ditë para takimit të Vjenës miratoi dokumentin me të cilin do të paraqitet në bisedimet e Vjenës. Pritet që me autoritetet serbe të Beogradit të diskutohet çështja e trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë

https://p.dw.com/p/Arfr
Pamje nga Kosova
Pamje nga KosovaFotografi: AP


Grupi Negociator i Kosovës, ofron garanci të plota në mbrojtjen sipas konventave ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore e fetare në mënyrë të veçantë të objekteve religjioze ortodokse serbe në Kosovë. Grupi Negociator i Kosovës, miratoi dokumentin me të cilin do të paraqitet në bisedimet e Vjenës me 23 maj, ku me autoritetet serbe të Beogradit do të bisedojnë çështjen e trashëgimisë kulturore e fetare në Kosovë.

Skënder Hyseni, zëdhënës i Grupit Negociator të Kosovës: "ky është një dokument që përmban parimet bazë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe religjioze në Kosovë. Dokumenti përmban parimet bazë të konventave universale për mbrojtjen, ruajtjen kultivimin dhe konservimin e objekteve religjioze dhe kulturore në Kosovë. Pala kosovare garanton mbrojtje të plotë të objekteve kulturore dhe religjioze me të cilat Kosova është shumë e pasur dhe më të cilat Kosova duhet të krenohet", tha Skënder Hyseni, zëdhënës i Grupit Neogociator të Kosovës.

Ekspertë të kulturës ndërkombëtare dhe kosovare, kanë hartuar një dokument për trashëgiminë kulturore, dokument ky që do t'i shërbejë palës kosovare në bisedimet e Vjenës. Në këtë draft kanë punuar 60 ekspertë. Dokumenti është gjithëpërfshirës, për faktin që ai përfshin objektet kulturore që janë dëmtuar në luftën e fundit në Kosovë por edhe ato gjatë trazirave të marsit.

Rreth çështjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë, ndërkaq, është shprehur edhe ndihmësi i kryenegociatorit ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Albert Rohan, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë. Ai tha se, në Kosovë duhet të ketë një ligj për liritë fetare dhe për mbrojtjen e objekteve religjioze dhe kulturore. Sipas tij kishave dhe manastireve ortodokse serbe, duhet t'u sigurohet mbrojtja fizike, si dhe kufizimi i aktiviteteve komerciale afër vendndodhjes së tyre.

Një gjë e tillë ndërkaq, tashmë është bërë përreth manastrit të Deçanit ku me një vendim të posaçëm të shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, rreth 800 hektarë tokë përreth manastrit janë shpallur zonë e mbrojtur. Në takimin e Vjenës, ku do të bisedohet për trashigiminë kulturore, ekipi i Prishtinës përbëhet nga tetë anëtar dhe kësaj radhe ai do të kryesohet nga Ylber Hysa, i cili është udhëheqës i nëngrupit të Prishtinës për cështjet e trashigimisë kulturore dhe fetare të Kosovës.