1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prifti: Shqipëria duhet parë si një vend i sigurtë dhe i leverdisshëm për investime

4 Qershor 2010

Në mes të javës në Hamburg mbahet konferenca e katërt ekonomike gjermano - shqiptare me titull “Potencialet e rritjes- Infrastruktura, logjistika, tregtia”.

https://p.dw.com/p/Ni68
Ministri shqiptar i Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti.Fotografi: Arben Muka

Pala shqiptare do të përfaqësohet në këtë aktivitet me një ekip të gjerë zyrtarësh dhe nga rradhët e komunitetit të biznesit i interesuar për kooperim me partnerët gjermanë. Ministri shqiptar i Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, i cili do të kryesojë delegacionin zyrtar shqiptar në konferencë thotë në një intervistë për DW se në Hamburg do të prezantohen avantazhet, që ka një investim gjerman në Shqipëri. Të tilla janë taksat e ulëta, kosto e ulët e fuqisë punëtore, niveli i lartë i kualifikimit profesional etj. Në fillim të intervistës që zhvilloi me korrespondentin tonë në Tiranë Arben Muka, ministri Prifti fillimisht tregon për pritmëritë nga kjo veprimtari e rëndësishme në fushën ekonomike.

“Qëllimi kryesor i yni është që të forcojmë marrëdhëniet e bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë dhe të rrisim në një nivel më të lartë bashkëpunimin mes bizneseve private shqiptare dhe atyre gjermane. Qeveria gjermane ka mbështetur qeverinë shqiptare gjatë dy dekadave më shumë se kushdo tjetër. Gjermania në disa sektorë të ekonomisë është donatori kryesor, si në energjitikë dhe në sektorin e ujësjellës kanalizimeve. Por synimi është tani që të thithim më shumë sektorin privat gjerman të investojë në Shqipëri”.

Çfarë pret pala shqiptare nga ky forum ekonomik

Ministri Dritan Prifti thotë për DW se pala shqiptare do ta shfrytëzojë këtë konferencë për ta prezantuar me realizëm Shqipërinë e sotme, potencialet që ajo ka për investime të huaja të drejtëpërdrejta. Sipas Priftit për t'i bërë ftesë atyre sipërmarrësve gjermanë të interesuar që ta shikojnë Shqipërinë si një vend të sigurtë dhe të leverdisshëm për investime. Në programet e mbështetjes së Gjermanisë për Shqipërinë, ministri ndalet tek sektori energjitik, të cilin e përshkruan si “me mbështetje të jashtëzakonshme nga qeveria gjermane dhe KfW-ja në 10 vitet e fundit”.

“Janë mbështetur projekte kryesisht të prodhimit, siç është Bistrica, apo linjat e transmetim shpërndarjes në zonën e Sarandë Gjirokastrës. Pastaj është mbështetur linja e transmetimit 400KW me Malin e Zi. Është dhënë mbështetje e plotë për linjën e re të interkonjuksionit Shqipëri – Kosovë, mbështetje që shkon në 91 milion euro, të akorduara vitin e kaluar”.

Dritan Prifti përmend në intervistën e tij për DW dhe projektet mbështetëse në fushën e efiçencës së energjisë, për kompanitë e vogla dhe të mesme, që operojnë po në sektorin energjitik, për hindrocentralet e vogla dhe të mesme.

Çfarë ofron konkretisht Shqipëria për një investitor gjerman?

Pse ai duhet të hapë aktivitet të tij? Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës tregon thelbin e argumenteve, që do parashtrojë pala shqiptare në punimet e konferencës së Hamburgut.

“Shqipëria ofron sot më shumë se çdo vend tjetër në Europë. Unë përmënd të paktën sistemin e taksave. Vendi ka sot taksat më të ulta në Europë. Absolutisht asnjë vend tjetër europian nuk ka këtë nivel të ulët taksash. Gjermania ka dyfishin e nivelit të taksave, që kemi ne. Pra në aspektin e trajtimit fiskal, këtu kompanitë gjermane paguajnë gjysmën e asaj, që paguajnë në Gjermani. Ne kemi një vend, ku ka mundësira për të investuar projekte nga fillimi. Këtu në Shqipëri mund të bësh një fabrikë nga e para, mund të ngresh një hidrocentral nga e para. Pra një vend, ku tregu ka nevojë për investime nga fillimi”.

Ministri Prifti përmend dhe argumentin e kostos së punës, si më të ultën në Europë. Por nga ana tjetër, shton ai, fuqia punëtore është e kualifikuar, sidomos për industritë prodhuese, tekstilet, të veshjeve, industritë mekanike e elektrike etj.

“Ne jemi një vend europian, kemi një dalje në Mesdhe, kemi porte aty nga ku mund të furnizojmë gjithë Europën, por dhe në vende të tjera të botës. Unë do t'ia bëj të gjitha këto gjëra të qarta biznesit gjerman dhe kam bindjen se do të gjej interes. Unë e provova këtë javën e kaluar në Francë. Dhe në fakt francezët nuk i dinin këto gjëra për Shqipërinë. Kam bindjen se nuk do të jetë njohja shumë e madhe dhe në Gjermani”, tha për DW, Dritan Prifti, ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica