Prezantohet raporti i progresit për vitin 2012
10 Tetor 2012Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Stefan Füle paraqiti sot progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe rekomandoi që asaj t'i jepet statusi i vendit kandidat. Füle e shprehu këtë rekomandim gjatë një mbledhjeje të Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit Evropian. Rekomandimi mbështetet në progresin e shënuar nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe në përmirësimin e dialogut politik mes palëve për hedhjen e hapave përpara në rrugën e integrimit. Gjithashtu vlerësohet gjetja e gjuhës së përbashkët në zgjedhjen e ombudsmanit, kalimi i të gjitha ligjeve të mbetura pezull, të cilat kërkonin shumicë prej 3/5 si dhe progresi në funksionimin e procedurave parlamentare. Megjithatë, akordimi i statusit të vendit kandidat është i shoqëruar me kushte. Këto kanë të bëjnë me përmbushjen e reformave ende te papefrunduara.
Puna e prokurorisë dhe e gjykatave duhet të kryhet pa ndërhyrje
Në raport shprehet nevoja për vazhdimin e punës për funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë. Agjenda e punës së parlamentit shpesh nuk lë hapësirë të mjaftueshme kohore për punën e komisioneve përkatëse dhe kjo bën që ligjet të miratohen në mënyrë të përshpejtuar, në dëm të cilësisë së tyre. Më tej në raport thuhet se shpesh opinioni publik nuk ka qasje në projektligje. Në lidhje me hetimet për ngjarjen e 21 janarit 2011 thuhet se puna e prokurorisë dhe e gjykatave duhet të kryhet pa ndërhyrje të pavend. Ky rekomandim do të ndiqet nga vendimi i anëtarëve të Bashkimit Evropian, i cili merret në muajin dhjetor.