1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti slloven: Jo idesë së ndryshimit të kufijve

Bekim Shehu
14 Maj 2021

Gjatë një vizite në Kosovë, Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor tha se është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se kufijtë e Kosovës janë përcaktuar në vitin 2008.

https://p.dw.com/p/3tLxp
Slowenien Wahl | Borut Pahor, Wahlsieger
Fotografi: Reuters/S. Zivulovic

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor hodhi poshtë njoftimet se ai qëndron pas dokumenteve "non-paper” të publikuara së fundi në mediet ballkanike dhe tha se është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Non-paperi që ka dalë në media në muajin prill, pretendohet të jetë hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ku është folur për ndryshimin e kufijve, por një gjë e tillë është mohuar nga vetë Jansha. Presidenti slloven Borut Pahor, tha se ai "ka mendim plotësisht të kundërt me ato që shkruhen në këto letra”. "Me ndryshimin e kufijve nuk pajtohem, qëndrimi im lidhur me këtë është plotësisht i kundërt. Unë dëshiroj t'i bind bashkëbiseduesit në Samitin e Bërdos që të vazhdohet me procesin e zgjerimit dhe të reformave. Kjo është një domosdoshmëri historike”, tha Pahor pas një takimi që zhvilloi me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Slowenien Borut Pahor Präsident
Borut PahorFotografi: picture-alliance/PIXSELL/A. Magzan

Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor

Pahor tha se do të këshillohet me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor mbi vështrimet dhe perspektiven evropiane. "Do të provojmë të shohim se a mund të themi diçka më optimiste sa i përket perspektivës evropiane të shteteve të Ballkanit. Në aspektin e paqes dhe sigurisë, në zonën e Ballkanit Perëndimor është me rëndësi që të vihet deri në një qëndrim të BE-së se zgjerimi është domosdoshmëri gjeopolitike dhe kjo duhet të trajtohet me një karakter primar. BE duhet të përshpejtojë këtë proces dhe ta shohë këtë hapësirë si një tërësi”, tha Presidenti Pahor, duke potencuar që siҫ tha “pushteti i ri në Kosovë duhet të jetë i gatshëm me tërë fuqinë, që t'i japë dialogut me Serbinë një nxitje të re”.

Osmani: Prioritet integrimi evropian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga ana e saj, e konfirmoi se Kosova do të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, gjithnjë duke e pasur parasysh sipas saj që "statusi i Kosovës është përcaktuar njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008”.

Kosovo I Vjosa Osmani I Wahlen
Vjosa OsmaniFotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

"Kosova do të jetë pjesë e dialogut duke pasur parasysh që statusi i Kosovës është përcaktuar njëherë e përgjithmonë me 17 shkurt 2008. Kosova do të ulet në tavolinë për të trajtuar çështje që kanë rëndësi për popullin tonë, siç është çështja e personave të zhdukur”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se ka kërkuar nga homologu i saj përshpejtimin në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

"E sigurova presidentin që Kosova e ka prioritet integrimin evropian. Reformat që duhet të ndërmerren nuk i shohim si të imponuara por për nevojën e qytetarëve tanë. E potencuam qartë që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizimin të vizave. Jo që ka plotësuar kriteret, por dyfishin e tyre. Është një pritje e gjatë dhe i mbetet BE-së të mbajë premtimin”, tha Osmani.

Slovenia Brdo-Brijuni - Westbalkantreffen
Fotografi nga takimi i Bërdo-Brionit 2017Fotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Novakovic

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, viziton Kosovën për herë të parë pas publikimit të dokumenteve "non-paper" në shtetin e tij slloven dhe në kuadër të përgatitjes për Samitin e Bërdo-Brijonit në të cilin merr pjesë edhe Kosova. Sllovenia më 17 maj, do të jetë nikoqire e samitit të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi Bërdo-Brioni. Bërdo-Brioni është një nismë e presidentëve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dy shtete anëtare të BE-së, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik ndërmjet rajonit të Ballkanit dhe BE-së.