Presidenti i SHBA Obama për vizitën e lamtumirës në Berlin
16 Nëntor 2016Në hotelin ekskluziv Adlon ai do të bisedojë gjatë një darke me kancelaren Angela Merkel. Gjatë ditës së enjte (17.11) janë planifikuar bisedime zyrtare në kancelari. Para se të nisej për në Europë Obama e cilësoi kancelaren si "aleaten më të ngushtë ndërkombëtare të tij" gjatë tetë vjetëve të mandatit presidencial.
Nën hijen e zgjedhjeve
Të premten (18.11) Merkel dhe Obama do të takohen me presidentin francez Francois Hollande, kryeministrin italian Matteo Renzi, kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy dhe kryeminstren britanike Theresa May.
Takimi zhvillohet nën hijen e zgjedhjes së republikanit të diskutueshëm Donald Trump si president i ri i SHBA-së, i cili gjatë luftës elektorale ka shpallur një sërë ndryshimesh të kursit. Mandati i Obama-s përfundon në janar.
Marrëdhëniet transatlantike sipas presidentit Obama dhe kancelares Merkel ndodhen në udhëkryq. Në një artikull të përbashkët për "Wirtschaftswoche" të dy theksojnë vlerat e përbashkëta si bazë e marrëdhënieve bilaterale. Gjermania dhe SHBA-ja mbajnë bashkarisht përgjegjësi për të mbrojtur një mënyrë të lirë jetese. "Ndaj ne bashkë angazhohemi që në mbarë botën të respektohen e drejta dhe normat ndërkombëtare", shkruajnë ata së bashku.