1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti i Radas Stefançuk takoi Kancelarin Scholz

3 Qershor 2022

Presidenti i parlamentit ukrainas ndodhet në Berlin. Ai u prit nga autoritetet më të larta të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/4CFxn
Ukrainischer Parlamentspräsident trifft Kanzler Scholz
Fotografi: picture alliance/dpa

100 ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë, kancelari gjerman Olaf Scholz u takua në Berlin me Presidentin e Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk. Gjatë bisedës, Scholzi "mori parasysh me dashamirësi" një ftesë nga Stefançuku për të folur në Rada (parlamenti) në Kiev. Publiku do të informohet për planet e udhëtimit të kancelarit pasi ato të caktohen, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane.

Të enjten, Presidenti i Parlamentit të Ukrainës e filloi vizitën e tij duke kërkuar dërgimin e tankeve gjermane Leopard dhe Marder në Ukrainë për të luftuar kundër agresorëve rusë.

"Çdo ditë, 100 të vdekur dhe 500 të plagosur në Ukrainë”.

Stefançuku përshëndeti faktin që Scholzi njoftoi në Bundestag të mërkurën dërgimin e armëve të tjera të rënda në Ukrainë. Por këto tani duhet të dorëzohen shpejt. Çdo ditë atje vritet rreth 100 vetë dhe rreth 500 të tjerë plagosen.

Kancelari Scholz njoftoi të mërkurën se Ukraina do të marrë nga industria gjermane sistemin e mbrojtjes ajrore Iris-T dhe një radar lokalizimi për zbulimin e artilerisë së tipit Cobra. Përveç kësaj, do të dorëzohen katër raketëhedhës të shumëfishtë të tipit Mars II me një distancë deri në 40 kilometra nga rezervat e Bundeswehr-it. Më parë,  ishin premtuar edhe dy sisteme të tjera të armëve të rënda: 50 tanke anti-ajrore Gepard dhe shtatë obusë të blinduar 2000 - artileri të rënda.

Njëqind ditë pas fillimit të luftës kundër Ukrainës, Presidentin e Parlamentit të Ukrainës Stefançuk e priti në Pallatin Bellevue edhe presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Stefantschuk ne Bundestag
Fotografi: picture alliance/photothek

Sipas informacioneve të agjencisë gjermane të shtypit, ky takim ishte takimi i parë personal i presidentit federal me një politikan ukrainas, që prej acarimeve politike mes Berlinit dhe Kievit. Në mesin e prillit, pala ukrainase e refuzoi në minutën e fundit një vizitë të planifikuar të Steinmeierit në Kiev.

Bas garanton mbështetjen e saj

Stefançuku në mëngjes takoi edhe Presidenten e Bundestagut, Bärbel Bas. Presidentja e Bundestagut Bas përsëriti solidaritetin e Bundestagut me Ukrainën. "Bundestagu Gjerman mbështet fort Ukrainën," tha ajo, duke iu drejtuar Presidentit të parlamentit ukrainas Stefançuk, i cili mori pjesë në seancën plenare si i ftuar.

"Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën në nivel humanitar dhe ushtarak, financiar dhe diplomatik”, siguroi ajo në hapje të seancës. "Një Ukrainë sovrane është pjesë e një Evrope liberale dhe demokratike”, theksoi Presidentja e Bundestagut. "Vendi juaj ka të drejtë të vendosë të ardhmen e tij në mënyrë të vetëvendosur, në liri dhe paqe," tha ajo më tej në adresë të Stefançukut. Bas theksoi se ky ishte udhëtimi i parë jashtë vendit i Presidentit të parlamentit ukrainas.

Ambasadori shpreh keqardhjen për hezitimin e Gjermanisë

Ambasadori i Ukrainës në Gjermani Andrij Melnyk kritikoi edhe një herë hezitimin e Gjermanisë për të dorëzuar armë të rënda. Ukraina mirëpret njoftimin e fundit të kancelarit gjerman Olaf Scholz në lidhje me dërgesat e reja të armëve, tha Melnyk për ZDF. "Por të jemi të sinqertë: 100 ditë luftë - deri tani asnjë pajisje e vetme e rëndë nuk është dorëzuar në Ukrainë nga Gjermania." Armët e para ndoshta nuk do të mbërrijnë para fundit të qershorit, shtoi ambasadori.

dw, dpa