Presidenti Wulff jep dorëheqjen për arsye të aferës me shtëpinë e re
17 Shkurt 2012Prokuroria deklaroi, se kundër Wulffit dhe sipërmarrësit financiar David Groenewold ekzistonin dyshime fillestare për përfitime prej detyrës ose për dhënie përfitimesh të tjerëve. 51 vjeçari Wulff ishte presidenti më i ri në këtë post. Ai detyrohet të largohet nga detyra në kështjellën Bellevue pas vetëm 19 muajsh, koha më e shkurtër në post për një president në historinë e Republikës Federale Gjermane.
Christian Wulff ishte përfshirë në një skandal kredie shtëpie, i cili e ka zanafillën në kohën kur Wulff pati qenë kryeministër i landit të Saksonisë së Ulët. Kryeministri pati pranuar fillimisht një kredi prej bashkëshortes së një sipërmarrësi dhe më pas e kishte shlyer atë duke siguruar një kredi të të njëjtave përmasa nga një bankë gjermane, por me kushte më të favorshme sesa ato për klientët e zakonshëm. Për t'u marrë me krizën e krijuar kancelarja Merkel anuloi sot një vizitë në Itali. Kryetarja e Partisë Demokristiane Merkel tha sot në Berlin, se ajo do një kandidat të përbashkët të koalicionit dhe të opozitës si pasardhës të Christian Wulffit.
Autor: DW/ Elert Ajazaj
Redaktoi: Aida Cama