Presidenti gjerman Horst Köhler mund ta shpërndajë së shpejti Bundestagun Gjerman
21 Qershor 2005Opinioni publik është i bindur se presidenti ka këtë rradhë më shumë liri se ç´duhet. Ai mund ta shpërndajë bundestagun gjerman. Ai mund ta detyrojë kancelarin që nuk gëzon më besimin e deputetëve që të vazhdojë ta qeverisë vendin. Ai mund të presë deri sa bundestagu vetë të zgjedhë një kancelar të ri. Në rast se kancelari gjerman e jep vetë dorëheqjen, atëherë presidenti mund të propzojë një kandidat të ri.
Eshtë e vetëkuptueshme pra përse presidenti gjerman Horst Köhler po mendohet mirë përpara se të vendosë. Ai ka kryer ndërkohë shumë bisedime me prokurorë dhe politikanë të lartë, si për shembull Roman Herzog, i cili ka qënë përpara tij president i vendit.
Gjykata e lartë Gjermane vendosi në vitin 1983 se presidenti gjerman ka të drejtë ta shpërndajë bundestagun, në rast se shumica e deputetëve nuk i japin më votëbesimin e tyre kancelarit. Një hap i tillë është i domosdoshëm kur si qeveria ashtu edhe opozita kërkojnë zgjedhje të reja, për ta nxjerrë kështu vendin nga kriza.
Presidenti gjerman Horst Köhler zhvilloi sot (21.06) disa bisedime me kryetarët e partive të bundestagut dhe fraksionet e tyre. Ai do të dijë se sa seriozisht i kërkojnë partitë politike zgjedhjet e reja. Köhler do të dijë gjithashtu se si do të funksiononte qeveria e re me një opozitë kaq të madhe kristian demokrate. Por Köhler do të sqarojë mbi të gjitha marrëdhëniet mes partnerëve të koaliconit SPD dhe të gjelbërve. Flitet se kancelari Schröder është ankuar tek presidenti Köhler se në rradhët e koaliconit qeveritar është rritur presioni duke e destabilizuar kështu qeverinë.