1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Bush pranon gabime në Irak

11 Janar 2007

Me një strategji të re dhe shtimin e trupave amerikane Bush kërkon të arrijë fitoren e demokracisë në Irak

https://p.dw.com/p/AqYz
George W. Bush
George W. BushFotografi: AP

Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush ka mbajtur një fjalim mbi strategjinë e re të SHBA në Irak. Në fjalim për herë të parë presidenti i SHBA ka pranuar qartë gabime në politikën e Irakut: "Situata në Irak është e papranueshme për popullin amerikan dhe për mua. Trupat tona në Irak kanë luftuar me trimëri, ata kanë bërë gjithçka u kemi kërkuar të bëjnë, nëse janë bërë gabime përgjegjësia bie mbi mua. Eshtë e qarte së duhet të ndryshojmë strategjinë tonë në Irak" - ka thënë Bush.

Presidenti i SHBA ka theksuar se dështimi në Irak do të kishte pasoja të rënda: "Dështimi në Irak do të ishte një katastrofë për SHBA. Pasojat e dështimit janë të qarta. Islamistët radikalë do të shtohen dhe forcohen dhe do të tërheqin rekrutë të rinj. Ata do të jenë në një pozicion më të mirë për të sulmuar qeveritë e moderuara, krijojnë kaos në rajon dhe do të përdorin të ardhurat nga nafta për të financuar ambiciet e tyre. Irani do të inkurajohet për të vazhduar përpjekjet e tij për prodhimin e armëve bërthamore. Armiqtë tanë do të kenë një strehë të sigurtë nga ku mund të planifikojnë dhe nisin sulme kundër popullit amerikan. Në 11 shtator 2001 ne pamë se çfarë mund të sjellë në rrugët tona një strehë e sigurtë për ekstremistët në anën tjetër të globit. Për sigurinë e njerëzve tanë, Amerika duhet të ketë sukses në Irak."

Bush ka shpjeguar edhe disa nga arsyet e dështimit të përpjekjeve të deritanishme për sigurimin e rendit në Bagdad: "Përpjekjet e deritanishme për më shumë siguri në kryeqytetin irakian Bagdad kanë dështuar për dy arsye kryesore: së pari pasi numri i trupave amerikane dhe irakiane të angazhuara nuk ka qenë i mjaftueshëm. Së dyti misioni i trupave amerikane është penguar nga kufizime të shumta."

Presidenti Bush njoftoi dërgimin e 21.500 ushtarëve të tjerë në Irak. Këto trupa do të kenë mandatin e qartë për t'u ardhur në ndihmë forcave irakiane të sigurisë në rivendosjen e sigurisë.

Presidenti i SHBA iu drejtua në fjalimin e tij edhe kërkesave të demokratëve të cilët kërkojnë dhënien fund të misionit ushtarak të SHBA në Irak. Bush tha se këto kërkesa janë shqyrtuar me vëmendje por: "... një gjë e tillë do të çonte në kolaps të qeverisë irakiane, do të përçante vendin dhe do të shkaktonte vrasje në masë në shkallë të paimagjinueshme."

Presidenti Bush duke përforcuar vendosmërinë për të vazhduar angazhimin ushtarak në Irak si rruga e vetme për vendosjen atje të demokracisë dhe rendit njoftoi në fjalim edhe ndihma të reja ekonomike për Irakun.