150911 EU Wirtschaftsprognose
16 Shtator 2011Parashikime të zymta për ekonominë evropiane: në formën e tij të zakonshme të thatë, komisioneri i BE-së për politikën monetare dhe ekonominë, Olli Rehn, dha lajmin e keq. „Ne presim që rritja ekonomike në BE rreth fundit të vitit, praktikisht të ndalojë. Në krahasim me parashikimin tonë të pranverës, premisat janë më të zymta dhe rreziqet për shanset për zhvillim janë negative.“
Por Rehn përjashtoi qartë mundësinë e një recesioni. Vlerat e rritjes ekonomike për të gjithë vitin janë shumë të ndryshme për vende të ndryshme. Ato shkojnë nga 4% në Poloni dhe gati 3% në Gjermani, në më pak se 1% për Italinë dhe Spanjën, dy nga vendet e zhytura më thellë në borxhe. Si arsye për parashikimet në përgjithësi negative, Rehn sheh malin gjigant të borxheve, rënien e ritmeve të rritjes në ekonominë botërore, trazirat në tregjet financiare dhe jo së fundi dhe dobësinë në drejtimin politik. „Pasiguria për vënien në jetë dhe dyshimet ndaj disa masave politike kundër krizës së borxheve, vazhdojnë t'i frikësojnë tregjet financiare."
"Të mos nënvlerësohet vullneti politik"
Rehn e sheh përgjegjësinë tek të dyja palët: vendet si Greqia duhet të përmbushin patjetër kushtet për kursime, ndërsa vendet e tjera duhet të mbajnë premtimet e tyre për ndihmë. Një bisedë telefonike të mërkurën (14.9.) mes kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit grek Jorgos Papandreu, Rehn e sheh si një shenjë shpresëdhënëse. „Nuk duhet të nënvlerësohet vullneti politik dhe aftësia e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Eurozonës për të marrë vendimet e nevojshme, të cilat garantojnë stabilitetin financiar të unionit monetar, dhe për zgjidhjen e problemeve në Greqi.“
Sa hapur flet Komisioni?
Ndërkohë jo vetëm ekspertët e financave por edhe shumë politikanë spekulojnë hapur për një falimentim të mundshëm shtetëror të Greqisë. Nuk është pra çudi që në këtë situatë të marrin peshë fjalët e Horst Reichenbach-ut. Gjermani drejton një grup punonjësish të Komisionit të BE-së, i cili duhet t'i vijë në ndihmë Greqisë në zbatimin e përpjekjeve për kursime dhe reforma. Në Athinë Reichenbach u shpreh tejet i kujdesshëm: „Jam i bindur se mund të arrijmë sukses me përpjekje të përbashkëta dhe ka vendosmëri për ta rritur këtë, si nga pala greke ashtu dhe ajo evropiane." Çdo deklaratë tjetër, me siguri do të kishte shkaktuar një tërmet të vogël. Por me këto fjalë Reichenbach nuk do të qetësojë dot plotësisht askënd.
Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj
Redaktoi: Mimoza Kelmendi