1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Premierë shpresëdhënëse - Panairi i Librit në Lajpcig

14 Mars 2011

Panairi i Librit në Lajpcig (17-20 mars 2011) do të ketë këtë vit në qendër letërsinë ballkanike. Për herë të parë në panair Shqipëria prezantohet me stendën e saj.

https://p.dw.com/p/10Ylw
Logo e panairit të librit 2011 në Lajpcig.

Mbi 70 shkrimtarë nga 11 vende Ballkanike prezantohen në 100 aktivitete të ndryshme në katër ditët e panairit të Librit në Lajpcig (17-20 mars 2011). Këtë herë temë kryesore panairi ka Serbinë.

Alida Bremer është e kënaqur që më në fund arriti t'i sjellë shqiptarët në panarin e librit në Lajpcig. Përkthyesja dhe koordinatorja e programit Traduki për vendet e Ballkanit ka vite që po e nxit këtë pjesëmarrje.

Autorin Alida Bremer
Shkrimtarja kroate Alida Bremer.Fotografi: DW

“Është një vend shumë sharmant dhe ka shumë shkrimtarë të rinj dhe me humor, që na ndihmojmë ta ndryshojmë imazhin që ka letërsia jonë në Evropë, si letërsi e gjyshërve” thotë ajo. Bremer është kroate me origjinë, por për vite me radhë është angazhuar me të gjitha forcat që letërsia ballkanike të prezantohet si bashkësi në Gjermani. “Kështu kemi më shumë kolorit dhe larmi”, argumenton Bremer.

Falë angazhimit të fondacioneve S.Fischer, Robert Bosch dhe qeverisë gjermane, por edhe falë angazhimit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, që arriti të përfshinte në këtë projekt edhe Ministrinë e Kulturës, Shqipëria këtë vit do të ketë stendën e saj. Në një sipërfaqe 16 metra katrorësh do të prezantohen pesë shtëpi botuese ("Dituria", "Onufri", "Ombra", "Neraioda" dhe "Fan Noli") dhe pesë shkrimtarë relativisht të rinj, por tashmë të afirmuar: Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Ledia Dushi e Albana Shala.

Një ngjarje e rëndësishme

Për publicistin dhe përkthyesin Ardian Klosi, i cili e viziton shpesh Panairin e Lajpcigut, kjo është një ngjarje shumë pozitive për letërsinë shqiptare:

Publicisti dhe përkthyesi shqiptar Ardian Klosi.
Publicisti dhe përkthyesi shqiptar Ardian Klosi.Fotografi: DW

“Lajpcigu është panairi më i madh i botës gjermane për sa i përket paraqitjes së letërsisë dhe pranisë së shkrimtarëve. Është një nder i madh dhe meritë si e Ministrisë së Kulturës që e financoi stendën, por edhe e këmbënguljes së vazhdueshme të partnerëve gjermanë”, thotë Klosi, i cili në prezantimet e letërsisë shqiptare ka përfshirë edhe shkrimtarin me banim në Rumani, Ardian Kyçykun.

Në panairin e sivjetshëm, ku Ballkani është si kurrë më parë në qendër të vëmendjes do të dominojë Serbia, si vendi mysafir. Vetëm katër vjet më parë vendi ballkanik mori pjesë në këtë panair për herë të parë dhe arriti, që brenda një kohe shumë të shkurtër të zinte një vend kaq të rëndësishëm.

Vitin e kaluar tema e panairin ishte Kroacia, dhe Alida Bremer, e di fare mirë se çfarë ndryshimi ka pësuar që atëherë perceptimi i letërsisë kroate në Gjermani.

“Para se Kroacia të bëhej vend mysafir i panairit (2010) ishte e pamundur të shisje një letrar kroat nëpër shtëpi botuese serioze”, thotë Bremer. Tani është vetëkuptueshme dhe shtëpitë botuese e kanë kuptuar se edhe letërsia kroate është si ajo franceze, italiane apo spanjolle.”

Shans i humbur për Kosovën?

Këtë rrugë tani po e ndjek edhe Serbia. Në prezantimin e saj këtë vit ajo do të sjellë mbi 30 shkrimtarë dhe ka investuar shumë në imazhin dhe dezajnon e stendës. Kosova në të kundërt, as që është përpjekur t'i tregojë botës që ka edhe një treg letrar të pavarur. Pjesëmarrja e katër shkrimtarëve nga Kosova (Ilir Gjocaj, Shkëlzen Maliqi, Arben Idrizi dhe Jeton Nezirajt) i falenderohet projektit Traduki.

E njëjta gjë vlen edhe për shkrimtarët nga Maqedonia e Mali i Zi, të cilët do të prezantojnë prozë dhe poezitë e tyre së bashku me kolegët e tyre nga Ballkani, ndër të tjera edhe në të ashtuquajturën natë ballkanike, më datën 20 mars. Në mbrëmjen me titullin "Ballkani bën rock" Shqipëria prezantohet edhe nga ana muzikore me grupin Akkustika.

Mbështetje trevjeçare

Premiera e Shqipërisë në panairin e Lajpcigut duket shumë shpresëdhënëse, por edhe me ambicie të larta, siç del në pah kur bisedon me Petrit Ymerin, kryetarin e Shoqatës së Botuesve:

“Qëllimi ynë është të bëjmë disa pjesëmarrje të tilla të vogla, por serioze, në mënyrë që të arrijmë pas disa vitesh të jemi tema e panairit”, thotë ai. Mbështetja zyrtare për këtë synim duket se është garantuar: "Ne tani kemi nënshkruar një marrëveshje trevjeçare me ministrinë e kulturës për prezantimin tonë në panairin e Lajpcigut", thotë Ymeri më tej.

Por, nëse do të arrijë Shqipëria, që pas tre vjetësh të bëhet tema e panairit, kjo ndoshta është ende herët të parashikohet. Ajo që mund të shpresohet është që të paktën stenda shqiptare të plotësohet edhe me disa botues të tjerë jo më pak të rëndësishëm, si Toena apo Dudaj, të cilët këtë vit mungojnë.

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Eliana Xhani