1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prejardhja prej emigracionit e favorizuar në konkurencë

17 Gusht 2010

Njerëzit me prejardhje emigracioni e përjetojnë shpesh në tregun gjerman të punës që kanë problem të gjejnë vend pune. Sepse emri i tyre tingëllon i huaj dhe sepse nuk kanë shkuar në shkollë në Itzehoe, por në Stamboll.

https://p.dw.com/p/Oor2
Thomas Müller që prej fillimit punësoi njerëz me prejardhje nga dy kultura.
Thomas Müller që prej fillimit punësoi njerëz me prejardhje nga dy kultura.Fotografi: PR Agentur Müller

Në një agjensi për marrëdhëniet me publikun në Këln gjithçka është ndryshe. Pronari i saj Thomas Müller kërkon me qëllim të tillë njerëz, sepse për modelin e agjencisë së tij i nevojitet sfondi i dy kulturave të ndryshme. Müller ka punësuar këtu 16 vetë me 11 rrënjë të ndryshme kulturore. "Nga Turqia, nga Greqia, nga Hollanda, Portugalia, Japonia, Korea, Kina, India, Ukraina, Uzbekistani, Kazakistani. Dhe natyrisht edhe kolegë nga Gjermania. Unë vetë jam migrant brenda Gjermanisë. Unë kam ardhur nga krahina e shvabëve."

Njerëz me prejardhje nga dy kultura

Kur Thomas Müller numëron prejardhjen e punonjësve të tij, të duket si udhëtim nëpër botë. Në vitin 2004 ai themeloi në Këln sipërmarrjen "Die PR-Berater", "Konsulentët për marrëdhëniet me publikun". Dhe që prej fillimit punësoi njerëz me prejardhje nga dy kulturat. Biznesi i tij është komunikimi dhe marketingu dhe multikulti pjesë e idesë së tij.

Gonca Mucuk-Edis dhe Jeroen van't Hoofd
Gonca Mucuk-Edis dhe Jeroen van't HoofdFotografi: PR Agentur Müller

Sepse Müller ka dy lloj klientësh: Të atillë, që nuk e kanë origjinën nga Gjermania, por që duan t'i drejtohen një audience gjermane, psh dhomës turko-gjermane të industrisë dhe tregtisë. Dhe klientë gjermanë, që u drejtohen një audience me rrënjë jogjermane. Për një projekt të tillë kujdeset Gonca Mucuk-Edis. "Aktualisht psh unë merrem me kualifikimin punoj për një projekt në rang federal, për mbështetjen e masave të kualifikimit. Një nga grupet në fokus janë edhe migrantët. Dhe këtu unë hyj në veprim fare natyrisht dhe konkretisht. Sidomos për mediat turqishtfolëse, por edhe rusishtfolëse."

Në 80 përqind të rasteve vjen përgjigje

Mucuk-Edis ka lindur në Hessen si bija e një gastarbeiteri (kështu quhen punëtorët e huaj në Gjermani) turk. Prandaj njeh jo vetëm veçoritë gjuhësore, por edhe kulturore të njerëzve të mediave në gjuhën turke. "Psh kur u dërgojmë një njoftim për shtyp në gjermanisht mediave gjermane, u dërgojmë edhe një formular, me qëllim që të na e dërgojnë mbrapsht me faks. Në afro 80 përqind të rasteve vjen përgjigje dhe kur marrim përgjigje, do të thotë se njerëzit e tyre vijnë. Nga mediat turqishtfolëse në 2 përqind të rasteve na vjen përgjigje me faks. Por kjo nuk do të thotë, se ata nuk vijnë."

Mucuk-Edis nuk dërgon kartolina vetëm për krishtlindje, por edhe për festën muslimane të kurbanit. Dhe në përfundim të agjerimit bën një festë për gazetarët turq dhe gjermanë. Konsulentja për marrëdhëniet me publikun është e bindur se ajo punon në një qoshe të vogël tregu, por që bëhet gjithnjë e më fitimprurëse."

Kur Thomas Müller numëron prejardhjen e punonjësve të tij, të duket si udhëtim nëpër botë.
Kur Thomas Müller numëron prejardhjen e punonjësve të tij, të duket si udhëtim nëpër botë.Fotografi: PR Agentur Müller

Jo vetëm ekonomikisht një plus

Punët shkojnë mirë, kjo është e dukshme. Mucuk-Edis punon në një zyrë me mobilje krejtësisht të reja. Agjencia ka hyrë para disa javësh në këtë vilë. Viti 2009 ka qenë viti me i suksesshëm deri tani, edhe pse askush nuk përmend shifra. Por multikulti nuk është vetëm ekonomikisht një plus, por e bën më interesant edhe komunikimin në mes kolegëve. Kështu mendon Jeroen van´t Hoofd. Prejardhja e tij hollandeze ka rëndësi për të. Por që ta pyesin përherë për të, ai nuk ka dëshirë. "Por kur duhet të shpjegosh përherë, të bëhet disi e bezdisshme. Dhe kur u përgjigjesh pyetjeve, nuk je në gjendje të pish as kafenë në pushim, shumë shpejt dalin në plan të parë tema krejt të tjera, ku zbulon të përbashkëtat dhe interasat."

Edhe për Thomas Müller multikulti nuk është thjesht një model biznesi, por bindje. Kur diskutimi për ndërtimin e një xhamie në Këln u bë gjithnjë e më polemik, ai mori përsipër komunikimin për ndërtuesin - falas. Dhe veçanërisht i kënaqur Müller është atëherë, kur biznesi dhe bindja përputhen më njera-tjetren. "Mua më jep kënaqësi dhe jam krenar, se si punonjësit e mi, kur fillojnë të punojnë këtu, zhvillojnë një vetëdije dhe identitet të vetin. Pasi kanë qenë një gjysëm viti tek ne, mbrojnë më fort identitetin e tyre të dyfishtë, rrënjet e tyre të dyfishta. Ata kanë kënaqësi, që të qenit e tyre ndryshe, që në shoqëri has nganjëherë edhe refuzim, këtu shihet si vlerë e veçantë."

Autor: Christian Siepmann/ Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama