1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pozita e gruas shqiptare në Maqedoni është e pakënaqshme

8 Mars 2010

Edhe pse flitet për një barazi të plotë gjinore, pozita e gruas shqiptare në Maqedoni as për së afërmi nuk pasqyron realitetin e duhur. Pozita e femrave shqiptare shpesh është temë trajtimi vetëm në Ditën e Gruas.

https://p.dw.com/p/MNCc
Leunora Kaliqi, kryetare e shoqatës së gruas "Ajo"
Leunora Kaliqi, kryetare e shoqatës së gruas "Ajo"Fotografi: Fatos Musliu

Është koha për operacionalizimin e gjërave

"Periudha e ngritjes së zërit ka përfunduar, tani është koha për operacionalizim të gjërave, femra shqiptare në Maqedoni duhet të jetë më e inkuadruar në jetën publike, universitetet e bëjnë punën e vet, po dalin me mijëra kuadro të reja që do të jenë mbështetja më e fortë për të gjithë ne", thotë Leunora Kaliqi, kryetare e Shoqatës së Femrave “Ajo”. Forcimi i demokracisë kërkon që parimet e saj të thellohen dhe qartësohen në kuadër të një procesi permanent në favor të mbrojtjes së barazisë gjinore.

Pozita e gruas është e vështirë

Përkundër faktit se Maqedonia është nënshkruese e rekomandimeve ndërkombëtare për barazinë gjinore, realiteti i pozitës së gruas në Maqedoni është i rëndë : status inferior në familje, pozitë të pabarabartë në punësim, margjinalizim në konkurencë, diskriminim në vendet e punës. Për zonjën Kaliqi, gratë në Maqedoni ende nuk e kanë pozitën dhe fuqinë shoqërore që realisht duhet ta kenë. Edhe pse ekziston një infrastrukturë e mirë ligjore, ajo as për së afërmi nuk pasqyron realitetin e duhur të përfshirjes së gruas në jetën shoqërore.

“ Ne nuk mund të jemi të kënaqura vetëm me një 30% në listën e deputetëve , ne duhet të fokusohemi edhe në profesionalizimin e femrës, arsimimin dhe emancipimin e saj, neve na duhet ndoshta edhe një emancipim i mashkullit që të kalojmë në emancipimin e femrës, “ thotë Leunora Kaliqi.

Depërtimi i femrës në pozita më të lakmueshme në shoqëri pengohet edhe nga “shovinizmi mashkullor “, ata e kanë të vështirë të pranojnë realitetin se edhe femra shqiptare është e aftë të menaxhojë situata të ndryshme.

Leunora Kaliqi, kryetare e shoqatës së gruas "Ajo"
Leunora Kaliqi, kryetare e shoqatës së gruas "Ajo"Fotografi: Fatos Musliu

“Me të vërtetë shovinizmi mashkullor është ai që nuk lejon që femra të pozicionohet në vende vendimmarëse, pozita udhëheqëse, është e pamundur që ne të mos kemi femra me kualitet të lartë për të mos qenë në pozita udhëheqëse.“

Synim edhe çrrënjosja e patriarkalizmit

Shoqata e femrës “Ajo”pikësynim do të ketë edhe çrrënjosjen e patriarkalizmit në mjedisin e familjes shqiptare në Maqedoni . Për fat të keq, thotë Leonora Kaliqi , në shoqërinë tonë ende fjala e mashkullit është përfundimtare .

“Edhe një mendim i femrës duhet të merret parasysh , edhe femra ka ide , mund të kontribuojë në shoqëri, familje dhe nuk do të thotë se idetë e femrës janë ato që çdo herë janë të gabuara ”.

Shoqata e femrës “Ajo” do të intensifikojë bashkëpunimin me shoqatat simotra në Kosovë dhe Shqipëri, sepse sipas zonjës Kaliqi, pozita e femrës në këto vende është më e avancuar dhe ka shumë çka për të mësuar.

Autor: Fatos Musliu/Shkup

Redaktoi: Auron Dodi