1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Posti i ministrit të Jashtëm nën hijen e kancelares

Nina Werkhäuser/Bahri Cani26 Nëntor 2013

Politika e jashtme, prej ardhjes së kancelares Merkel në këtë post, influencohet në mënyrë të dukshme nga ajo. Po kush do të jetë ministri i Jashtëm?

https://p.dw.com/p/1AOvz
Fotografi: Michael Kappeler/AFP/Getty Images

Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle papritur ka pasur shumë punë në postin e tij në këto javët e fundit. Ai ishte në konferencën e Gjenevës në bisedimet për programin atomik iranian dhe po merret edhe me përgjimet prej shërbimeve sekrete amerikane. Ndërkohë që Westerwelle në fakt është vetëm ushtrues detyre në këtë post, deri në krijimin e një koalicioni të ri qeveritar, pasi liberalët nuk janë futur fare në Bundestag. Politika e jashtme gjermane nuk do të ndryshojë shumë as pas këtyre zgjedhjeve, pavarësisht se kush do të jetë pasardhësi i tij. Për këtë do të kujdeset kancelarja Angela Merkel.

Grupi i punës për "politikë të jashtme dhe të mbrojtjes" ka rënë dakord shumë shpejt dhe pa grindje publike për platformën e përbashkët. Në politikën e jashtme vlen parimi i kontinuitetit, por kjo nuk përjashton edhe mundësinë e pikërëndesave të reja. Ato pak dallime, që ekzistojnë midis partive të Unionit dhe SPD, kanë të bëjnë me politikën e sigurisë, ndër tö tjera me avionët pa pilotë për Bundeswehrin. Mospajtime ka pasur edhe rreth eksportit të armëve.

Pikërëndesat e reja në politikën e sigurisë

Edhe Guido Westerwelle dëshironte në fillim të vazhdonte me traditën e dikurshme të liberalit Hans-Dietrich Genscher. Ai me dëshirë do të kishte bindur qeverinë amerikane që të tërheqë nga Gjermania armët atomike, gjë që e pati shkruar edhe në marrëveshjen e koalicionit në vitin 2009. Por kjo nuk ka ndodhur, ndërsa koalicioni i ri me siguri që nuk do të ngatërrohet me këtë çështje.

Sa i përket misioneve të Bundeswehrit, ministri i FDP mendon se do të vazhdohet me "kulturën e përmbajtjes ushtarake". Politikanët për çështje të jashtme dhe të sigurisë të partive të koalicionit të ardhshëm, duan që të jenë të përgatitur për "ndërhyrjet e ardhshme". Kjo mund të bëhet vetëm, nëse Bundeswehri është i përgatitur dhe bashkëpunon ngushtë me partnerët e BE-së. Në propozimin e marrëveshjes së re flitet guximshëm edhe për një "ushtri evropiane të kontrolluar prej parlamentit".

Guido Westerwelle do ta dorëzojë postin e ministrit të Jashtëm me krijimin e koalicionit të ri
Guido Westerwelle do ta dorëzojë postin e ministrit të Jashtëm me krijimin e koalicionit të riFotografi: picture-alliance/dpa

Ai që nuk është mik, është partner

Raportet e mira me miqtö dhe partnerët duhet të respektohen edhe me marrëveshjen e re. Në radhë të parë përmenden Franca dhe Polonia si fqinj shumë të rëndësishëm. SHBA-ja është një "shtyllë e sigurisë dhe lirisë sonë", thuhet më tej. Partnerët presin që qeveria amerikane të angazhohet më shumë për rikthimin e mirëbesimit mes Berlinit dhe Uashingtonit dhe respektimin e sferës private të gjermanëve. Projekti më i rëndësishëm në të ardhmen do të jetë Marrëveshja për Tregti të Lirë mes SHBA dhe BE.

Raportet me Rusinë definohen si një "partneritet i modernizuar", ku të dy palët "kanë përfytyrime të ndryshme". Qeveria ruse duhet t'i respektojë normat e shtetit juridik, kur bëhet fjalë për shoqërinë civile, pakicat dhe qëndrimin ndaj opozitës, thuhet në projektmarrëveshje.

Kina dhe India quhen si "partner strategjik", me të cilët duhet thelluar bashkëpunimi ekonomik. Afrika duhet që me ndihmën gjermane të aftësohet që t'i zgjidhë vetö problemet. Shtetet në Magreb mund të shpresojnë në vazhdimin e mbështetjes së Gjermanisë "si një partner për transformim", ku në radhë të parë "vëmendje i kushtohet zhvillimit të demokracisë dhe pluralizmit". Të gjitha këto e kualifikojnë Gjermaninë për një vend të përhershëm në KS të OKB, shkruan në konkluzionet e CDU/CSU dhe SPD. Por më parë OKB duhet që të reformohet.

Roli i Merkel

Kur Angela Merkel u zgjodh për kancelare në nëntor të vitit 2005, ajo kishte shumë pak përvojë në politikën e jashtme. Bashkëpunëtorët i dhuruan një glob, për t'u orientuar më mirë. Tetë vite më vonë, ajo ka bërë një përvojë të madhe ndërkombëtare. Atë e njohin të gjithë dhe nuk ka kurrfarë dyshimi se ajo do ta influencojë më së shumti politikën e jashtme.

Raporte harmonike-Merkel dhe Steinmeier në vitin 2007
Raporte harmonike-Merkel dhe Steinmeier në vitin 2007Fotografi: Eric Feferberg/AFP/Getty Images

Nuk është kurrfarë befasie që kancelari, apo kancelarja influencon politikën e jashtme. Por posti i ministrit të Jashtëm e ka humbur vitet e fundit shkëlqimin e dikurshëm. Ky post dikur është lidhur me postin e zëvendëskancelarit dhe është trajtuar si një prej posteve më të dashura. Ndërkohë që tani, sipas gazetës "Der Spiegel", posti i ministrit të Jashtëm nuk shihet si një prej më të dashurve. Një rëndësi më të madhe ka tani posti i ministrit të Financave, sepse politika e jashtme edhe më tej do të përcaktohet nga kancelarja dhe këshilltarët e saj.

Kush do të jetë ministër i Jashtëm?

Një prej atyre që mund ta rikthejë shkëlqimin e postit të ministrit të Jashtëm është socialdemokrati Frank-Walter Steinmeier, i cili i ka drejtuar negociatat e grupit për politikë të jashtme dhe të mbrojtjes.

57 vjeçari ka qenë minsitër i Jashtëm edhe në koalicionin e mëparshëm të madh (2005-2009). Ai dhe kancelarja shumë rrallë kanë pasur probleme, si në rastin e pranimit të Dalai Lamës nga kancelarja Merkel, gjë që Steinmeier e konsideronte si provokim ndaj qeverisë kineze. Ndryshe ata kanë pasur raporte harmonike, kaq harmonike, saqë Steinmeier e ka pasur shumë të vështirë të distancohet nga kancelarja në fushatën për kancelar në vitin 2009.

SPD është ankuar edhe gjatë këtij mandati se po e humb profilin e partisë. Kjo s'kishte të bënte vetëm me politikën e jashtme. Në fund megjithatë partitë e Unionit dhe kancelarja Merkel përfituan, ndërsa SPD shënoi rezultatet më të dobëta në vitin 2009. Socialdemokratët janë betuar se nuk do ta përsërisin gabimin e njëjtë. Mbetet të shihet sa do të kenë sukses.