1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portugalia: Për Kosovën ka nevojë të ecim të gjithë bashkarisht drejt të njëjtit qëllim

Viron Gjymshana28 Qershor 2007

48 orë para se Portugalia të marrë zyrtarisht kryesinë e BE-së, ministri i saj i shtetit për çështjet europiane, Manuel Lobo Antunesh bëri të njohur në Bruksel përparësitë e kryesueses së re të Bashkimit Europian

https://p.dw.com/p/B75w
BrukselFotografi: AP

Dhe njëlloj si presidenca gjermane e kryesuar nga kancelarja Angela Merkel, kryesuesja e ardhshme e BE-së, Portugalia do të ketë si kryesynim të saj parësor aprovimin e një traktati të ri europian. Për këtë arsye Antunesh njoftoi organizimin e një konference tjetër ndërqeveritare, me praninë e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së, që do të vazhdojë të ketë si synim aprovimin e traktatit europian. Në radhën e përparësive të tjera zyrtari i lartë portugez përmendi Afrikën si dhe rritjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të BE-së me Brazilin, një vend ky portugalisht folës dhe njëkohësisht një gjigand në zhvillim.

"Në rast se do të mundemi gjatë 6 mujorit të dytë të këtij viti të aprovojmë një traktat të ri për BE-së, do të kemi arritur një sukses të konsiderueshëm. Atëhere do të kemi nevojë të marrim një herë frymë dhe të çlodhemi para se të bëhet fjalë për tu marrë me politikën e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së ,"– deklaroi Antunesh.

Të njëjtën distancë ai ruajti edhe ndaj të ardhmes së Kosovës. E ardhmja e Kosovës do të vendoset në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Por kjo nuk do të thotë që BE-ja dhe presidenca portugeze nuk do të angazhohen në zgjidhjen e kësaj çështjeje e cila do të jetë në krye të agjendës sonë. Aq më shumë që ndjehet nevoja e një zgjidhjeje të shpejtë dhe të pranuar nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian ku duhet të mbizotërojë shpirti i kompromisit. Ne duam një
zgjidhje që pasqyron tërësisht pikëpamjet e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje. Në të vërtetë ne nuk kemi nevojë për tu përçarë në BE, por do të vazhdojmë të ecim në gjurmët e presidencës gjermane, që të vazhdojmë të mbetemi të bashkuar rreth një zgjidhjeje të vetme, siç nuk duam po ashtu që një palë të mbështesin opcionin "A" dhe të tjerët opcioni "B". Kjo do të jetë një katastrofë e vërtetë për BE-në. Kemi nevojë për një marrëveshje dhe zgjidhje të ballancuar për Kosovën. Synimi jonë ndaj Kosovës është që të ecim bashkërisht drejt të njëjtit qëllim– deklaroi në Bruksel, përfaqësuesi i presidencës së ardhshme portugeze, ministri i shtetit, Manuel Lobo Antunesh.