1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pollo: Kam besim tek studentët shqiptarë

Intervistoi Anila Shuka19 Mars 2006

Duke filluar që nga viti 2007 vendet e Ballkanit perëndimor do të marrin pjesë në programet e mobilitetit të Bashkimit Evropian. Intervistë me ministrin e arsimit të Shqipërisë, Genc Pollo

https://p.dw.com/p/ArhX
Fotografi: DW-TV

Deutsche Welle: Zoti Ministër, cilat ishin temat që u rrahën më së shumti në konferencë?

Genc Pollo: Bashkimi Evropian ka marrë disa iniciativa, por këto deri tani kanë vlejtur për vendet antare të plota të BE-së. Synimi i përbashkët i shumë nismave dhe synimi i kësaj konference është që programe si Erasmus Mundus, Tempus, Comenius apo Grundwig në kohën e caktuar të bëhen aksesible edhe për vende si Shqipëria. Çështje tjetër ishte ajo e mobilitetit. Pra që studentë dhe profesorë shqiptarë të mund të vizitojnë shkolla, universitete, të marrin e të japin mësim në institucione evropiane, sepse mobiliteti i kësaj kategorie sociale është ai që lidh njerzit dhe krijon tharmin e më vonë fundamentin e një Evrope realisht të bashkuar. Por kjo nuk mund të realizohet kur ka shtrëngesa në viza. Angazhimi i BE-së është që të jetë shumë më zemërgjerë për këto kategori personash dhe të fillojë me programe të veçanta, qysh në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, përmes të cilave do të lehtësojë dhënien e vizave për studentë, profesorë etj.

Deutsche Welle: A ekzistojnë shifra konkrete, se sa bursa janë vënë në dispozicion të Shqipërisë?

Genc Pollo: Nuk di në se do të ketë kuota për vende të veçantë. Gara do të jetë e hapur. Kam besim, se duke nisur nga rezultati shumë i mirë që studentët shqiptarë kanë patur krahasimisht në universitetet perëndimore, shpresoj që me t’u dhënë mundësia, konkurrimi do të jetë i suksesshëm për shumë prej tyre.

Deutsche Welle: Për herë të parë merrnin pjesë në një konferencë të tillë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Madje konferenca doli me një pakt të veçantë me Ballkanin në çështjen e arsimit. Çfarë parasheh ky pakt?

Genc Pollo: Është një sinjal politik i qartë. U theksua nevoja e kuadrit europian të kualifikimeve, i cili do të mbështet nga kuadri kombëtar i kualifikimeve të çdo vendi, në mënyrë që çertifikatat apo dëftesat e ndryshme të niveleve të shkollave të jenë të krahasueshme, të njihen sa më lehtë, dhe mobiliteti i shkollarëve dhe studentëve të rritet sa më shumë. Të gjithë ministrat e Ballkanit dëshmuan vullnetin e tyre për të marrë pjesë në këtë proces. Kjo është shumë e rëndëisshme për zhvillimin evropian të arsimit shqiptar, por edhe të vendeve të tjera.

Deutsche Welle: A pati mosmarrëveshje për ndonjë çështje?

Genc Pollo: Komunikata ishte punuar mirë dhe gjithçka që ishte aty lidhur me procesin e Bolonjës dhe lidhur me kuadrin evropian dhe atë kombëtar të kualifikimeve. Janë disa programe, që do të hapen enkas për arsimin dhe shkencën në vendet e Ballkanit Perëndimor e që quhen “programe të komunitetit”. Pjesëmarrja në to realizohet, në se Shqipëria derdh 50 % të financimit, por bëhet fjalë për shuma të mëdha. Koordinatori i Paktit të Stabilitetit, zoti Erhard Busek, hodhi idenë që 50 përqindshi i Shqipërisë të ndihmohet nga paratë e Bashkimit Evropian ose nga ndonjë vend tjetër antar i BE-së. Kjo është temë pak delikate, sepse debati për buxhetin dhe për perspektivën evropiane 2007-2014 nuk ka qenë diçka e lehtë në BE. Por, në se do të ketë financime që do të mbulojnë pjesën e Shqipërisë apo të Kosovës, apo të Malit të Zi, ato do të tregojnë edhe vullnetin për të ndihmuar realisht dhe me vepra integrimin e këtyre vendeve në BE.

Deutsche Welle: Çfarë po bën Shqipëria për të arritur standardet e vëna në kuadër të procesit të Bolonjës?


Genc Pollo: Për proçesin e Bolonjës dhe reformën universitare në Shqipëri janë bërë disa hapa, por ka munguar një masterplan. Ne synojmë të lançojmë debatin javën e ardhshme në një konferencë shumë të rëndësishme, që qeveria shqiptare dhe universetet tona do ta mbajnë së bashku me Këshillin e Evropës, ku do të paraqitet përvoja dhe perspektiva evropiane dhe ajo shqiptare, në mënyrë që të hapim një cikël debati për universitetet e që për një kohë shumë të shkurtër të kemi një një projektligj të ri dhe një strategji e një plan veprimesh të plotë për arsimin e lartë, gjë që deri tani që flasim ka munguar.

Deutsche Welle: Si mendoni t’i kundërviheni fenomenit të “emigrimit të trurit”.

Genc Pollo: Me një program, i cili do ftojë të tërë ata lektorë shqiptarë në universitet e Evropës apo të perëndimit në përgjithësi, që të vijnë dhe të vizitojnë universitetet tona, të japin kurse, të japin lëndë të plota, në se munden. Natyrisht që këtu ka nevojë për organizim dhe mbështetje financiare për disa shpenzime. Premtimi i kësaj mazhorance është që të rrisë shpenzimet për arsimin duke synuar pothuajse dyfishimin në fund të mandatit.