1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika në Gjermani do të ndihmojë sërish artistët

27 Prill 2021

Kancelarja Merkel premtoi ndihmë të mëtejshme për Covid-19 nga qeveria federale në një dialog me artistë.

https://p.dw.com/p/3seTu
Bürgerdialog - Merkel Kultur 27.04.21
Fotografi: Screenshot/Bundesregierung

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka premtuar ndihmë të mëtejshme në pandeminë e Coronas për njerëzit e artit dhe të kulturës.

Në një dialog publik online me kancelaren morën pjesë 14 përfaqësues nga sektorë të ndryshëm të kulturës. Konkretisht kancelarja Merkel tha në takim: "Ne do të vëmë në dispozicion përsëri fonde kompensimi". Për të është e qartë se artistët aktualisht nuk po vuajnë vetëm nga humbja e fitimeve të tyre, tha Merkeli.

Qeveria federale dëshiron ta rrisë ndihmën për artistët me një miliardë euro të tjera dhe të vazhdojë programet ekzistuese deri në fund të vitit 2022. Tani për tani, për këtë degë nuk mund të bëhen plane me siguri.

Bürgerdialog - Merkel Kultur 27.04.21
Fotografi: Screenshot/Bundesregierung

Sigurimi social dhe shëndetësor për artistët

Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil njoftoi një përjashtim të mëtejshëm për njerëzit e artit dhe të kulturës të vetëpunësuar.

Politikani socialdemokrat i tha revistës "Spiegel" se ata që fitojnë më shumë se të ardhurat minimale me aktivitete të tjera të vetëpunësuara, nuk duhet të humbasin mbulimin e sigurimeve në fondin e sigurimeve shoqërore të artistëve (KSK).

Për këtë qëllim, kufiri i të ardhurave për aktivitetet shtesë, jo artistike do të rritet nga 450 euro në 1.300 euro në muaj deri në fund të vitit 2022. Deri në këtë shumë, mbulimi i sigurimit shëndetësor dhe i kujdesit afatgjatë përmes fondit të sigurimeve shoqërore të artistëve, të cilin përndryshe punonjësit e kulturës do ta humbisnin, duhet të mos preket.

Bürgerdialog - Merkel Kultur 27.04.21
Fotografi: Screenshot/Bundesregierung

Njerëzit e artit dhe kulturës duan perspektivë

Heil dëshiron gjithashtu të rrisë më tej fondet federale për fondin e sigurimeve shoqërore të artistëve, në mënyrë që të lehtësojë institucionet kulturore që po vuajnë nga humbja e të ardhurave. Ato janë të detyruara ta transferojnë një pjesë të të ardhurave të tyre në fondin e sigurimeve shoqërore të artistit. Ministri gjerman i Punës tha se do të angazhohet që propozimet e tij të miratohen shpejt në qeverinë federale.

Aktorë dhe aktore të njohur kanë komentuar qëndrimet dhe veprimet e politikës dhe mediave në pandemi me fushatën satirike me video "#allesdichtmachen" (=t'i mbyllim të gjitha). Pas lëvdimit nga partia populiste AfD, disa aktorë u distancuan nga videot e tyre.

aud (dlf, infr)