1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika e korruptuar spanjolle

Stefanie Müller/ Pandeli Pani30 Janar 2013

Pas vitesh të tëra heshtjeje mediat spanjolle po e diskutojnë intensivisht çështjen e korrupsionit. Sipas tyre në afera korruptive janë të përfshirë 730 politikanë spanjollë.

https://p.dw.com/p/17TmU
Fotografi: dapd

Rodrigo Rato duhet të ndjejë aktualisht trishtim dhe gëzim në të njëjtën kohë. Nga njëra anë, ish-ministri spanjoll i Ekonomisë  dhe ish-drejtori i FMN duhet të përgjigjet aktualisht para gjyqit për keqmenaxhimin Bankës spanjolle të Kursimeve Caja Madrid. Nga ana tjetër, ai duhet të jetë i lumtur për punën e tij të re si konsulent pranë Telefónica.

Kompania spanjolle e telekomunikacionit, e cila përmes O2 përfaqësohet  gjithashtu në tregun gjerman, punësoi për një kohë të gjatë edhe dhëndrrin e mbretit Juan Carlos, Iñaki Urdangarin, të dyshuar gjithashtu për korrupsion. Po ashtu për Telefónica ka punuar për një kohë të gjatë edhe Eduardo Zaplana, ish-kryeministri i Valencias, që konsiderohet nga shumë spanjollë si një prej njerëzve kryesorë përgjegjës për gjendjen e keqe financiare të rajonit që tashmë varet nga ndihmat qeveritare. Por përzierja e Telefónica me politikën shkon dhe më tej: Menjëherë pasi partia konservatore Partia Popullore fitoi zgjedhjet në vitin 2011, kompania punësoi të shoqin e Soraya Saenz de Santamaría, e cila është zëvendëskryeministre e vendit.

Spanien Madrid Telefonica
Fotografi: dapd

Reagime të pakta tek popullsia

Pas vitesh të tëra heshtjeje mediat spanjolle po e diskutojnë intensivisht çështjen e korrupsionit. Për raste korupsioni tani pothuajse raportohet çdo ditë.  Por spanjollët nga ana tjetër vazhdojnë të jenë pasivë në këtë drejtim. "Javët e fundit u bënë të njohura disa skandale korrupsioni, përfshi edhe një llogari parash ilegale të ish-përgjegjësit për financat e Partido Popular në pushtet. "Megjithatë, spanjollët qëndruan relativisht qetë", thotë juristja spanjolle Esther Martín. Për shkak të normës së papunësisë prej pothuajse 26 për qind është e mundshme që shumë qytetarë kanë frikë për vendin e punës - dhe për këtë arsye preferojnë të heshtin për parregullsitë e punëdhënësve të tyre.

Sipas mediave lokale aktualisht në aferat dhe rastet e korrupsionit janë të përfshirë 730 politikanë spanjollë. "Spanja është ende vend i preferuar për pastruesit e parave. Rusët, kinezët dhe italianët veprojënë këtu për vite me radhë" - thotë gazetari italian Vecchio Paola Del, i cili jeton në Madrid dhe shkruan prej vitesh rreth krimit të organizuar.

Më shumë transparencë

Victoria Ande Rika nga Access Info Europe, një organizatë që lufton për më shumë transparencë në Evropë kërkuan që ligji i ri spanjoll për transparencën, të parashikojë një kontroll më të madh publik mbi proceset ekonomike dhe burokratike, dhe të rregullojë gjithashtu dhe çështjen e financimit të partive. Sipas projekt-ligjit të deritanishëm kërkohet vetëm që të regjistrohen lëvizjet e parave të politikanëve të caktuar.

Thema Korruption in Spanien
Problemi i korrupsionit në rritje në Spanjë lidhet edhe me ritmin e ulët të punës së drejtësisëFotografi: DW/S. Müller

Eksperti gjerman i financiave Frank Abegg, i cili punon prej disa dekadash në industrinë bankare spanjolle beson se problemi i korrupsionit në rritje në Spanjë lidhet edhe me ritmin e ulët të punës së drejtësisë. Administrata është aq e ngadalshme sa të pandehurit kanë kohë të mjaftueshme për të mbuluar gjurmët e tyre, para se të nisë procedura penale.

Autori spanjoll Leon Arsenal beson se gjyqësori nuk mund t'i zbatojë vendimet se është i ndikuar nga gërshetimi i biznesit me shtetin.  Arsenal beson madje se edhe sindikatat spanjolle janë të blera. Kjo është arsyeja pse ai dëshiron të themelojë një lëvizje të re politike të majtë, e cila ofron një alternativë ndaj dy partive të mëdha, PSOE dhe PP, që janë në pushtet që nga fundi i diktaturës në vend.