1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani-Turqi: Politikë me arkeologjinë

Andrea Kasiske/Lindita Arapi25 Prill 2013

Grindja gjermano-turke për antikitetin është shkallëzuar. Lidhjet shkencore të krijuara në këtë fushë që prej 150 vitesh po vendosen para provës. Akuzat për shovinizëm dhe legjitimitet rëndojnë bashkëpunimin në terren.

https://p.dw.com/p/18Mom
Qendra arkeologjike e Trojës
Qendra arkeologjike e TrojësFotografi: Imago

Arkeologjia ka të bëjë me politikën, këtë mund ta mësosh shumë mirë po të ndjekësh grindjen aktuale mes Turqisë dhe Gjermanisë. Drejtuesi i fondacionit për Pasuritë Kulturore Prusiane (Preußischer Kulturbesitz), dhe arkeologu Hermann Parzinger akuzon Turqinë për "një sjellje gati shoviniste" që nga dhjetori i vitit të shkuar.

Ömer Çelik, që nga fundi i janarit, ministër kulture i Turqisë shprehet në një intervistë për revistën "Spiegel" se pala gjermane duhet të kërkojë ndjesë dhe në të njëjtën kohë kërkon rikthimin e pesë objekteve antike nga muzetë e Berlinit. Sipas tij këto objekte janë marrë ilegalisht nga Turqia. Ndërsa drejtuesi i fondacionit gjerman, Hermann Parzinger e hedh poshtë çdo pretendim sidomos për tre objekte: "Torson e peshkatarit", sarkofagun e mauzoleut të Haxhi-Ibrahim-Veliutm dhe një faltore nga shekulli i XIII. Të tre këto objekte kanë hyrë legalisht në Gjermani.

Legjitimiteti i thesareve antikë

Por çfarë është legale dhe çfarë jo - kjo është një fushë e gjerë kur bie fjala për thesaret e antikitetit. Nga viti 1884 ka qenë e ndaluar me ligj nxjerrja jashtë Perandorisë Osmane e thesarëve antikë. Në të njëjtën kohë ekzistonte edhe një praktikë pune, që thesaret e nxjerra me bashkëpunim të ndaheshin, nga ana tjetër ka pasur një sërë lejesh të posaçme që lejonin nxjerrjen e thesarëve të caktuar, paralelisht me këto ekzistonte edhe tregu i zi i thesareve antikë. Pra nuk është shumë e lehtë të sqarosh "legjitimitetin" e thesarëve në muzetë europianoperëndimorë. Shpeshherë kjo çështje kthehet në një çështje të moralit. 

Hermann Parzinger pranë torsos së peshkatarit, thesar antik që gjendet në Gjermani dhe kërkohet nga Turqia
Hermann Parzinger pranë torsos së peshkatarit, thesar antik që gjendet në Gjermani dhe kërkohet nga TurqiaFotografi: BARBARA SAX/AFP/Getty Images

Para këtij sfondi tingëllon i habitshëm toni, me të cilin Turqia ka formuluar kërkesat e saj për kthimin e thesareve nga Muzeu Britanik, apo Muzeu Metropolitan i Nju Jorkut. Që ministri turk i Kulturës flet për "kthim vetëm të asaj që na takon" flet për vetëbesimin e ri, disa mendojnë edhe të ekzagjeruar të Turqisë. Ndërkohë kush përpiqet të kuptojë grindjen e ndezur me Gjermanisë dhe Turqisë hyn në një territor të minuar. As drejtori i fondacionit gjerman për Pasurinë Kulturore Prusiane, Parzinger dhe as drejtori i Institutit Arkeologjik Gjerman në Stamboll, Felix Pirson nuk japin deklarata për këtë çështje.

Përpjekje për sfinksin

Që në vitin 2011, ministri i atëhershëm i Kulturës, Ertugrul Gynay kërkonte kthimin e "Sfinksit të Hatushës", objekt 3000 vjeçar, i cili që nga Lufta e Parë Botërore gjendet në Muzeun e Berlinit për Artin e Azisë së Afërme. Ndryshe Turqia do t'i hiqte institutit gjerman të drejtën e gërmimeve arkeologjike. Një ultimatum klasik. Sfinksi iu kthye Turqisë, jo si rikthim ligjor, por si një gjest i vullnetit të mirë të drejtorit, Hermann Parzinger. Shpresat ishin për huazime afatshkurtra të disa veprave nga Turqia për një ekspozitë në Berlin, por asgjë nuk ndodhi. Sot Parzinger ankohet publikisht se Turqia nuk ka respektuar asnjërën nga premtimet e saj për intensifikimin e marrëdhënieve mes muzeve dhe bashkëpunimin arkeologjik.

Sfinksi i Hatushes
Sfinksi i HatushesFotografi: imago/Christian Schroth

Nacionalizëm dhe interesa ekonomikë

Ndësa Ernst Pernicka, arkeolog gjerman që punon në Turqi, dhe drejtues prej disa vitesh i gërmimeve aerkeologjike në këtë vend, shprehet se është vështirësuar puna shkencore e arkeologëve gjermanë në Turqi. Për Turqinë ka më shumë interes konservimi i këtyre vlerave dhe përdorimi i tyre për qëllime turistike. "Rritja e nacionalizimit" dhe interesat ekonomikë janë arsyet e vështirësimit të punës për gërmimet arkeologjike është i mendimit edhe historiani turk, Edhem Eldem. "Fakti që arkeologjia është kompetencë e ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, tregon këtë gjendje ambivalente" shprehet ai. Në të njëjtën kohë Eldem kritikon moralin e dyfishtë të qeverisë. Po qe se ekzistojnë interesa ekonomikë, atëherë  edhe qendra të rëndësishme të zbulimeve arkeologjike si Alianoi apo Hasankeif - të dyja po aq të rëndësishme sa Pompeji, sakrifikohen për një projekt digash. Alianoi ndërkohë është përmbytur, i njëjti fat e pret edhe qendrën Hasankeif.

Shumë grupe shkencëtarësh arkeologë në Turqi punojnë vërtet nën drejtimin gjerman, por përbërja e tyre është shumëkombëshe. Dhe konsensusi se qendrat e trashëgimisë botërore janë detyrë e përbashkët ndërkombëtare nuk ekziston vetëm mes arkeologëve gjermanë. Po ashtu si ujdia tjetër që për thesaret antikë që dalin prej një vendi është e drejtë të shtrohet pyetja e prejardhjes së tyre.