"Policia e sheriatit" ndez një debat të ri mbi fenë islame
8 Shtator 2014Një shaka e padëmshme, apo një provokim i rrezikshëm? Të vetëquajturit ruajtësit e moralit janë salafistë. Në Gjermani ata përbëjnë grupin e radikalëve myslimanë me rritjen më të shpejtë. Udhëheqësi i grupit të Wuppertalit është gjermani i konvertuar Sven Lau alias Abu Adam. Të mërkurën e kaluar ata u shfaqën fare shkurt në lagjen Elberfeld të Wuppertalit para diskotekave, kafeneve dhe lokaleve turke të lojrave të fatit, duke u bërë thirrje të rinjve, që të heqin dorë nga alkooli dhe lojrat e fatit. Policët e vërtetë i ndaluan aktivistët dhe u kërkuan atyre dokumentet. Në ditët në vijim një valë indinjate përshkoi Gjermaninë. "Sheriati nuk tolerohet në tokën gjermane", tha ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere (CDU). "Një drejtësi të paligjshme paralele nuk do ta tolerojmë", siguroi ministri i Drejtësisë, Heiko Maas (SPD).
Një përpjekje minimale shkakton vëmendje maksimale: "Djemtë arritën atë, që ata donin të arrinin", thotë në bisedë me DW Mathias Rohe, studjues i fesë islame dhe jurist në Erlangen. "Zemërimi pritej." I konvertuari Lau shpreh gëzimin edhe në faqen e tij të facebookut. Me qejf ai prezanton njoftimet e shtypit për aksionin e tyre, që nga gazeta BILD deri te FAZ, gjithçka që ofron pejsazhi mediatik gjerman. Më poshtë vijnë komentet e mbështetësve.
Sheriati bën që të ndizen dritat e alarmit
Me sa duket grupi i vogël i salafistëve luajti me sukses me frikën e gjermanëve nga islamizmi. Eksperti i fesë islame Rohe i referohet anketave dhe statistikave: "Shumica e popullsisë ka një skepticizëm të madh jo për muslimanët, që jetojnë këtu, por për vetë fenë islame." Njerëzit ndjejnë një "kërcënim abstrakt", që konkretizohet nga bandat terroriste të shtetit islam në Siri dhe Irak. Vetëm nocioni i sheriatit bën që të ndiden të gjitha llampat e kuqe të alarmit, "pavarësisht nëse është fjala për gjëra të tmerrshme si prerja e dorës, ndalimi i lojrave të fatit, apo i pijeve alkolike."
Sheriati, ligji islamik, përfshin sipas doktrinës islamen detyrat fetare dhe rregullat ligjore, që rregullojnë jetën sipas vullnetit të Zotit. Respektimi i tyre vendos për shpërblimin dhe ndëshkimin në jetën e përtejme. Sheriati është zhvilluar nga juristët islamë të shekullit të tetë dhe të nëntë.
Mathias Rohe: "Ne jemi një shoqëri e lirë"
Në tre nivele, thotë shkencëtari nga Erlangen Rohe, duhet të përgjigjet shoqëria ndaj incidentit të Wuppertalit. Përveç ndjekjes së veprave penale është i rëndësishëm në rradhë të parë reagimi i shoqërisë: "Të bëjmë të qartë se ne jemi një shoqëri e lirë, të cilën duam ta mbrojmë!" Gjithashtu nevojitet një diskutim brenda myslimanëve. Myslimanët dhe organizatat e tyre duhet ta thonë shumë qartë: "Nuk e duam një gjë të tillë!" Ky debat brenda muslimanëve duhet të bëhet edhe në media. "Myslimanët vazhdimisht pozicionohen publikisht, por kjo shpesh nuk transmetohet!"
Vazhdimisht shoqatat muslimane gjermane distancohen nga aksionet ekstremiste, kështu edhe kësaj rradhe. "Të marrësh përsipër punën e policisë është e papranueshme", deklaron Ali Kizilkaya nga Këshilli mbarëkombëtar Koordinues i Myslimanëve (KRK) në Këln. "Kjo dëmton prestigjin e muslimanëve, edhe pse shumica e myslimanëve nuk identifikohen me këtë", thotë Kizilkaya për Deutsche Wellen. Në këtë shoqëri secili mund të jetojë fenë e vet. Zëdhënësi i KRK është i zemëruar për vemendjen e madhe, që u kushtohet aksioneve të grupeve të tilla të vogla.
Aiman Mazyek: "Të luftohet islamizmi përmes fesë islame"
Kryetari i Këshillit Qendror të muslimanëve, Aiman Mayzek, tha se me këtë aktivistët dëmtojnë të gjithë myslimanët në Gjermani. Shumë prej ekstremistëve të rinj janë larguar prej kohësh nga bashkësia myslimane. Si recetë, për të rifituar të rinjtë, Mazyek rekomandon luftimin e islamizmit përmes fesë islame. "Për fat të keq klima politike nuk tregon se kjo është kuptuar", tha kryetari i Këshillit Qendror në intervistë me DW, "por ne na margjinalizojnë dhe në këtë mënyrë forcohen margjinat radikale."
Muslimanët në të gjithë Gjermaninë duan të japin shenjë për paqen dhe kundër ekstremizmit. Nën moton: "myslimanët ngrihen kundër urrejtjes dhe padrejtësive" të katër organizatat e mëdha myslimane në Gjerman bëjnë thirrje për mitingje paqësore me 19 shtator në shtatë qytete, njofton Këshilli Koordinues i myslimanëve në Këln.