Policia e jugut në aksion
13 Mars 2008Policia shqiptare ka nisur një fushatë të gjerë
sensibilizimi në jug të Shqipërisë për të parandaluar
kultivimin e bimëve narkotike në zonat problematike. E
nxitur edhe nga raporti Departamentit Amerikan të
shtetit, që kritikonte Shqipërinë për nivelin e lartë të kultivimit të drogës dhe si rrugë tranzite të trafikut lindje-perëndim, policia shqiptare po angazhohet në një fushatë të gjerë.
Jo vetëm trafiku por edhe përdorimi substancave narkotike është bërë një fenomen mjaft serioz në shkollat e mesme të qyteteve kryesore të jugut të vendit, veçanërisht atyre kufitare me Greqinë. Fushata e policisë shqiptare është e shtrirë në sistemin e shkollave të mesme, në komunat problemore si dhe në komunitetet e mediat vendore.
Drejtuesit e lartë të policisë thonë se kanë hartuar
plane masash për të parandaluar fenomenin, e
kultivimit të bimëve narkotike. Për të koordinuar të gjithë aktivitetin antitrafik të institucioneve të arsimit, policisë, OJF-ve, sistemit të drejtësisë etj., është ngritur edhe një Komitet i luftës kundër trafikut.
Masat e ndërmara synojnë të përmirësojnë imazhin e Shqipërisë në organizmat ndërkombëtare si dhe ta largojnë atë nga lista e vendeve prodhuese e eksportuese të drogës.