1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Viti përkujtimor i Holokaustit në Hungari

Keno Verseck / E. Xhani26 Janar 2014

Qeveria hungareze e ka shpallur 2014 vit përkujtimor për Holokaustin. Ajo do të hedhë poshtë akuzat se s'vepron me vendosmëri kundër antisemitizmit. Komuniteti hebre kritikon qendrimin ndaj përgjegjësisë për Holokaustin.

https://p.dw.com/p/1AxAj
Monumenti përkujtimor i Holokaustit në Budapest
Fotografi: picture-alliance/dpa

Viti përkujtimor për Holokaustin merr shkas nga përvjetori i 70-të i fillimit të gjenocidit ndaj hebrenjve të Hungarisë: nga marsi 1944 deri në janar 1945 ishin deportuar dhe vrarë në kampet gjermane të shfarosjes në masë plot 600.000 hebrenj. Bashkë me komunitetin hebre të Hungarisë dhe pjesëmarrjen e shtetit izraelit, në vitin përkujtimor janë parashikuar aktivitete të shumta. Pjesë e tyre janë ceremoni përkujtimore në gjithë vendin, renovimi i sinagogave dhe nxitja e kulturës së kujtesës në institucionet publike, si dhe një qendër e re përkujtimi dhe formimi për Holokaustin në ish stacionin e trenit në lagjen Józsefváros në Budapest.

Gjesti i qeverisë së kryeministrit Viktor Orban habiti pozitivisht shumë hebrenj hungarezë, por po aq të tjerë mbeten skeptikë. Tani duket se rezervat e tyre kanë qenë me vend. Kështu që në fillim të vitit përkujtimor të Holokaustit, drejtori i institutit shtetëror të historisë "Veritas", Sándor Szakály, relativizoi pjesëmarrjen hungareze në Holokaust. Në një intervistë me agjencinë hungareze të lajmeve MTI ai tha se hebrenjtë në Hungari kanë pësuar "humbje të rëndësishme" vetëm pas pushtimit të vendit nga nazistët në 19 mars 1944. Aktet e mëparshme të deportimit nga shteti hungarez ai i cilësoi "procedura policore për të huajt", duke iu referuar faktit se pjesa më e madhe e hebrenjve të prekur nuk kishin shtetësi hungareze.

Një momument i kontesuar

Polemikat më të mëdha i shkaktoi megjithatë një monument tashmë i planifikuar përkujtimor për pushtimin gjerman të Hungarisë në 19 mars 1944. Ai duhet të ngrihet në Sheshin e Lirisë në Budapest dhe do të ketë shqiponjën gjermane të Rajhut, e cila sulet mbi mbi ëngjëllin Gabriel, që simbolizon Hungarinë. Ai i dedikohet shprehimisht "të gjitha viktimave" nga marsi 1944 deri në fund të luftës në prill 1945. Sipas interpretimit të qeverisë hungareze, dhe përcaktimit në preambulën e kushtetutës së re hungareze, në fuqi prej 2012, sovraniteti i Hungarisë përfundoi në 19 mars 1944. Shteti hungarez, sipas këtij interpretimi, ka qenë përgjegjës vetëm pjesërisht ose aspak për Holokaustin ndaj hebrenjve hungarezë.

Deportimi i hebrenjve hungarezë për në Aushvic
Deportimi i hebrenjve hungarezë për në AushvicFotografi: picture-alliance/dpa

Komunitete hebreje të Hungarisë dhe shumë shoqata hebreje kanë protestuar kundër monumentit dhe i kanë bërë thirrje qeverisë të mos e inagurojë. Kryetari i federatës së komuniteteve Mazsihisz, András Heisler, tha të martën (21.01.2014) në Budapest, se nëse qeveria nuk heq dorë nga inagurimi i monumentit dhe nëse nuk jep dorëheqjen drejtori i institutit të historisë "Veritas", është në pikëpyetje pjesëmarrja e federatës së komuniteteve hebreje në vitin përkujtimor.

"Shtrembërim i rëndë dhe tendencioz i historisë"

Një zëdhënës i partisë qeverisëse Fidesz e cilësoi "histeri" debatin për monumentin. Kryeministri Viktor Orbán e mbrojti monumentin. Në një letër drejtur kryetarit të federatës Mazsihisz, ai shkruante se ka forca të cilat duan ta shfrytëzojnë politikisht përkujtimin, por këto përpjekje do të prapsen me vendosmëri.

Ndërkohë edhe shumë historianë të shquar hungarezë kanë protestuar kundër monumentit, ndër ta edhe Krisztián Ungváry. "Ky monument është një shtrembërim i rëndë dhe tendencioz i historisë", tha Ungváry. "Hungaria ishte vërtet e pushtuar formalisht, por mbeti një aleat i rëndësishëm i Gjermanisë." Historiani nga Budapesti tërheq vëmendjen në faktin se me sa zell i deportonin hebrenjtë autoritetet hungareze. Nëse ata do të ishin mjaftuar vetëm me direktivat gjermane, do të kishin mbijetuar rreth 200.000 hebrenj hungarezë më shumë, përllogarit Ungváry në veprën e tij më të re të madhe për kohën e Miklós Horthy-t, kreut të shtetit hungarez deri në 1944.

Vetëm aktivitet elektoral?

Viktor Orban
Kryeministri hungarez Viktor OrbanFotografi: Reuters

Që vitin e kaluar, në kuadër të planifikimit për vitin përkujtimor, ka pasur polemika lidhur me përmasat e përgjegjësisë hungareze në Holokaust. Qendra e parashikuar përkujtimore në ish stacionin e trenit në lagjen Józsefváros në Budapest, e quajtuar "Shtëpia e fateve" është konceptuar nga historiania Mária Schmidt e cila drejton në Budapest "Shtëpinë e terrorit". Komunat dhe shoqatat hebreje e akuzojnë atë se në "Shtëpinë e fateve", e cila paraqet në radhë të parë shfarosjen e fëmijëve hebrenj, i kushton shumë rëndësi shpëtimtarëve të veçantë hungarezë të hebrenjve. "Është investuar shumë më tepër energji në shfarosjen e hebrenjve se sa në shpëtimin e tyre", thotë lidhur me këtë ambasadori izraelit në Budapest, Ilan Mor.

Polemikat e reja në fillim të vitit përkujtimor për Holokaustin, historiani Krisztián Ungváry i cilëson si "aktivitete të dobishme të fushatës elektorale" për partinë qeverisëse Fidesz. "Ajo e paraqet kritikën si sulm të huaj armiqësor ndaj sovranitetit hungarez", thotë historiani. "Dhe kjo gjen mjaft jehonë te një pjesë e madhe e elektoratit të saj, që gjendet në skajet e spektrit të djathtë".