1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Poeti grek Janis Risos dëgjohet në gjuhën shqipe

14 Tetor 2010

Spektarorët grekë patën rastin këto ditë në Athinë të dëgjojnë poezi të poetit të tyre të shquar Janis Risos në gjuhën shqipe.

https://p.dw.com/p/PeAL
Aktori Enkel Fejzollari
Aktori Enkel FejzollariFotografi: Theatre Country

Në çdo aspekt të jetës dhe veçanërisht në fushën e artit, takimi me suksesin presupozon sfidën. Këtë bënë një regjisore e re greke, Eleni Angjellopullu dhe një aktor i ri i imigracionit shqiptar, Enkel Fejzollari. U përballen me sfidën, bile të dyfishtë. Guxuan dhe ngjiten në skenë në formën e një monologu teatral poemën meditative “Dritarja” të poetit të përbotshëm grek, Janis Ricos, dhe bile në gjuhën shqipe për publikun grek. Dhe u përligjen plotësisht me atë që jetuan së bashku me pektatorët për 35 minuta por dhe në fund të premieres në Skenën B' të Teatrit Hora, duke uruar që e njëjta gjë të përseritej dhe në pjesën e dytë të shfaqjes me monologun tjetër teatral, në persisht, ku lindja do të takonte perëndimin, të poezisë tjetër të Ricos “Kur vjen i huaji”.

Theater in albanischer Sprache in Griechenland
Eleni Angjellopullu dhe Enkel FejzollariFotografi: DW

Publiku shpërthen në duartrokitje dhe ovacione për atë botë të madhe që, me interpretim virtuoz dhe një ekspresivitet të jashtëzakonshëm, siç e kërkon universi i koloritit letrar dhe i botës së trazuar dhe plot tallaze sociale të poetit të majtë, Enkel Fejzollari shpalosi përmes dritares së hapur që mbante në duar i ulur mbi një sënduk që me ngritjen e siparit.

I ulur një pasdite përpara kësaj dritareje dhe duke iu drejtuar mikut të tij të vjetër që ri i heshtur në krahë të tij, ai flet për njerëzit dhe jetën që rrjedh aty jashtë, për qiellin dhe hënën por edhe për veten e tij, për universin e vogël të shoqërisë por edhe universin e madh të shpirtit, ashtu siç dinte të fliste poeti i “Mëhallave të botës” i përkthyer dhe në gjuhën shqipe.

Fejzollari fillon me një mësim të shkurtër të gjuhës shqipe, përmes të cilit spektatori ftohet të kuptojë se çdo të thotë “teatër, poezi, jetë”. Me sfond muzikor këngë të këngëtares së madhe Vaçe Zela, që për një moment ngre peshë sallën e vogël të teatrit, Fejzollari reciton, këndon, vallëzon, futet mes pektatorëve dhe u jep mikrofonin, bëhet një me ta duke e kthyer monologun në dalog.

Enkel Fejzollari
Enkel FejzollariFotografi: Theatre Country

Nuk ishte pra një monolog teatral?

“Jo ishte një gjë e gjallë. Këtë ia dedikojmë mjeshtërisë së aktorit” thotë Andreas Staikos që nxiton ta përgëzojë nga të parët. “Regji shumë e mirë, aktor shumë i fuqishëm Enkel. Megjithëse ishte në shqip, na sugjestionoi pa ditur gjuhën” thotë Bianka Nikolarezi. Vërtet si tingëlloi Ricos në veshët e bashkatdhetarëve të tij në gjuhën shqipe? “Si poetët që kanë muzikën e gjithë botës. Nuk e njoh shqipen. Por besoj se përkthimi ka qenë i shkëlqyer” thotë Andreas. “Kur vajta dhe pashë provën gjenerale mbeta e mahnitur. U binda sa të drejtë kishte Eleni kur më tha se do ta bëjmë pa titra, pa nëntituj në gjuhën greke” thotë edhe Efi Ikonomopullu, e ema e regjisores duke na zbuluar kështu se Ricosi në shqip ishte bërë fillimisht “çështje familjare”, e familjes së kineastit më famë ndërkombëtare Theodhoros Angjellopullos.

Tekstin nuk e kuptoja

“Tekstin nuk e kuptoja. Por ekzistonte ajo që është esenciale, shpirti pra, talenti dhe përkushtimi i aktorit por edhe i regjisores që krijonin magjinë e teatrit. Se teatri është magji. Sado skena të mëdha dhe efe speciale të kesh, esenca e teatrit është aktori” thotë regjisori i njohur i kinemasë Jorgos Kantakuzinos që për të shprehur befasimin e tij nga shfaqja nuk nguron të thotë se “kisha kohë që teatri më vinte në gjumë”.

Vetë Enkel Fejzollari, që pranon me një modesti të admirueshme përgëzimet e spektatorëve, duket i përlumturuar nga rezultati. “Është e pabesueshme. Fjalët e Ricos flasin direkt në zemrën e publikut grek në gjuhën shqipe. Shfaqja që bëmë ishte të komunikonim me gjuhën shqipe, gjuhën e një emigranti shqiptar që jeton dhe punon në Greqi. Gjuhën e një njeriu që ikën nga një shtet dhe shkon në një shtet tjetër, si qytetar i botës, i Evropës. Gjuha nuk ka kufi. Nuk kemi gjuhë, por kemi qumështin e nënës. Atë qumështin e nënës që morëm kur ishim fëmijë, që nuk njeh atdhe, donim të komunikonim me këtë shfaqje. Këtë donim të bënim. Ricua na ndihmoi” thotë Fejzollari dhe plotëson se “pas kësaj shfaqjeje edhe vajza e poetit do të mësojë shqip”.

Drejtori i Teatrit
Drejtori i TeatritFotografi: DW

“Dritarja” në shqip

“Dritarja” në shqip ishte një përzgjedhje me vetëdije të plotë artistike për regjisoren 25vjeçare Eleni Angjellopullu dhe aspak një ngacmim i rastit. “Mbi të gjitha mendoj se gjuha shqipe është kaq shumë e pranishme midis nesh, në jetën e përditshme, në Athinë, në periferi, kudo në Greqi, që mendoj se është pjesë e jetës sonë. Mendoj se e kemi nënvleftësuar pak. Nuk e kemi dëgjuar në përmasat e saj reale. Kur dëgjova për herë të parë shqip nga Enkel, u mahnita. Mendoj se është nga gjuhët dhe muzikat më të bukura” thotë Angjellopullu, e cila jo rastësisht ka bërë një nga boshtet e shfaqjes së saj një frazë të poemës: “Të dëgjoj zërin tim të flasë një gjuhë të huaj”.

Kjo është dhe mbresa e pashlyeshme e spektatorit grek pas kuvendimit me Ricosin në gjuhën shqipe në këtë teatër të Athinës, që sapo del nga porta e tij në lagjen Qipseli me përqëndrimin më të madh të imigracionit e kupton se është thjesht një mikrografi e teatrit të jetës. “Dy popuj jetojnë, bashkëjetojnë në shekuj. Dritarja kjo është. Kemi nevojë për këtë dritare. E ka thënë shumë bukur, duhet të marrim ajër dhe le t'i lemë të rinjtë ta hapin më shumë këtë dritare” thotë përkthyesja e poezisë Frida Bedaj që në kuvendime të tilla shikon vetë bukurinë e së ardhmes. Se kultura, siç thotë akademiku i shquar grek Jorgos Gramatikaqis, është vizioni i së ardhmes.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama