1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Po e pranojnë letonezët euron?

Ģederts Ģelzis / Eliana Xhani31 Dhjetor 2013

Një spektakël fishekzjarresh do të ndriçojë qiellin mbi kryeqytetin letonez Riga, kur në 1 janar vendi të bëhet anëtari i 18-të i eurozonës. Por në tokë gëzimi pritet të jetë i përmbajtur.

https://p.dw.com/p/1AiaD
Lettland Währung Euro
Fotografi: DW/Aleksej Romanov

Letonia po bëhet gati për futjen e euros me ndërrimin e viteve. Por ende janë të shumtë letonezët që e refuzojnë monedhën e përbashkët. Vetëm një në pesë letonezë është për hyrjen në bashkimin monetar.

Shumë druhen se edhe në Letoni do të ketë rritje të çmimeve si tek anëtarët e tjerë të "rinj" të eurozonës. Në ekonominë në rritje, por ende mjaft të re, janë të shumtë ata që duan të mbajnë edhe më tej monedhën e konfirmuar, lats.

Ieva Dabolina flet në emër të shumë letonezëve kur thotë se Letonia ka paranë më të bukur në të gjithë globin. "Unë ndjehem sikur vendi im të hiqte dorë nga flamuri kombëtar apo simbole të tjera", thotë dizenjatorja dhe poetja 44-vjeçare në Riga në bisedë me Deutsche Welle.

Mbajtja e premtimit

Kur Letonia hyri në BE më 1 maj 2004, kishte vendosur edhe për anëtarësimin në eurozonë, deklaroi ministri i Financave Andris Vilks. Që prej vitit 2005 kursi i latsit është i lidhur me euron. "Pasi u anëtarësuam në BE dhe NATO, mbeti vetëm futja e euros", i tha Vilks DW-së.

Letonia do të jetë anëtarja e 18-të e bashkimit monetar dhe pas Estonisë vendi i dytë balltik që këmben monedhën vendase me euron. Kontributin vendimtar e kanë dhënë Vilks dhe kryeministri Valdis Dombrovskis, të dy anëtarë të "Partisë së Unitetit", në koalicionin qeveritar të qendrës së djathtë në Letoni.

Shteti balltik i ka përmbushur të gjitha kriteret kryesore: "Letonia është një nga katër vendet - këtu bëjnë pjesë Estonia, Finlanda dhe Luksemburgu - që aktualisht i përmbushin të gjitha kriteret e Mastrihtit", konstatoi Vilks.

Sipas raportit të konvergjencës së Bankës Qendrore Evropiane (BQE), deficiti buxhetor letonez është 1,2 për qind e PBB, pra dukshëm nën nivelin e lejuar prej 3 për qind. Norma mesatare e inflacionit vitin e kaluar ishte 1,3 për qind dhe pra shumë më poshtë nivelit të referencës prej 2,7 për qind. Borxhi shtetëror ishte në vitin 2012 në nivelin 40,7 për qind, edhe ky mjaft më i ulët se niveli i lejuar prej 60 për qind.

Letonia i bashkohet eurozonës si një vend me një disiplinë të fortë shpenzimesh buxhetore, tha Vilks, duke shtuar se është e rëndësishme që vendi të jetë i lidhur sa më fort me strukturat ekzistuese evropiane. Integrimi në një monedhë të fortë rajonale është i domosdoshëm, pasi kështu përmirësohet klima për investimet dhe besueshmëria kredituese e vendit.

Përfitime për sipërmarrjet eksportuese

Para së gjithash brezi i ri dhe letonezët me të ardhura të larta gëzohen për pranimin e vendit në eurozonë. 32-vjeçarja Inese Klimovica është menaxhere për eksportet për një firmë që prodhon në Riga qirinj të gamës së lartë dhe kohët e fundit u nderua me një çmim për potencialin e saj të madh eksportues. "Japonia është një nga tregjet tona më të mëdha të eksportit dhe japonezët i paguajnë faturat tona në euro", thotë Klimovica. Firma eksporton edhe në BE, Zvicër dhe Kore dhe përpiqet të hyjë në tregun rus, ku gjithashtu paguhet në euro. Nga 2014, kur euro të futet zyrtarisht si mjet pagese në Letoni, firma e saj do të kursejë kostot e kursit të këmbimit, gëzohet Klimovica. Aktualisht 10 të punësuarit e firmës paguhen në lats dhe kostot e prodhimit llogariten gjithashtu në lats. "Unë personalisht jam për euron", thotë Klimovica. Edhe udhëtimet kështu bëhen më të thjeshta.

DW Magazin Evropanorama - Folge 59
Fotografi: DW

Euro është kult

Por jo të gjithë kanë këtë qendrim pozitiv. "Duket qartë se vendimi për të hyrë në eurozonë, ashtu si dikur ai për anëtarësimin në BE, është një fe në Letoni", shprehet Janis Urbanovics. Argumentet logjike nuk pinë ujë, tha kryetari i grupit parlamentar të partisë opozitare "Qendra e harmonisë", në intervistë me DW.

Urbanovics dhe partia tjetër opozitare në parlament, "Bashkimi ekologjistëve dhe fermerëve", janë të mendimit se Letonia duhet ta shtyjë futjen e euros.

Edhe Ieva Daboliņa, e cila në pranverë mori pjesë në një fushatë anti-euro, do të kishte dëshiruar më shumë kohë. Rritje çmimesh do të ketë, shprehet ajo e sigurt. "Dhe njeriu i thjeshtë do të jetë përsëri ai që do të vuajë."

Një Greqi e re?

Letonia nuk do të bëhet në asnjë mënyrë një Greqi e re, pra një barrë për eurozonën. Në fund të 2008 dhe gjatë 2009 vendi vuajti për shkak të një deficiti buxhetor të lartë dhe nën recesionin më të rëndë në gjithë BE-në. Banka më e madhe letoneze, Parex, u shtetëzua.

Në 2008 Letonia mori një ndihmë financiare ndërkombëtare prej 7,5 miliardë eurosh, hartoi një paketë masash kursimi dhe e mori veten. Sot ekonomia letoneze rritet më shpejt se gjithë të tjerat në BE. Për këtë arsye sipas Vilks, ai nuk ka asnjë shqetësim lidhur me aftësinë e vendit në të ardhmen. "Letonia ka tani një strukturë më të rreptë mbikqyrjeje për bankat. Dhe parlamenti ka miratuar një marrëveshje stabiliteti për buxhetin."

"Letonia ka nxjerrë mësime nga e kaluara", është i mendimit Morten Hansen, drejtor i departamentit të ekonomisë në "School of Economics" në Riga. Por megjithëse që prej 2005-s janë bërë shumë gjëra, Hansen shton se vendi duhet të ndërmarrë edhe reforma të tjera strukturore, përmirësime në sektorët e arsimit dhe ndihmës sociale, në fushat e politikës rajonale dhe në tregun e punës.

Lija Strasuna, kryeekonomiste pranë Swedbank, përpiqet të largojë shqetësimet për rritje të mëdha çmimesh me futjen e euros. Nuk do të ketë rritje çmimesh vetëm për shkak të euros, por "nëse ekonomia vazhdon të rritet kaq shpejt dhe njerëzit të shpenzojnë para, çmimet do të rriten vërtet", mendon Strasuna.

Kriza aktuale ekonomike ka dobësuar ndoshta argumentet për anëtarësim në eurozonë. Edhe letonezët vëzhgojnë me vëmendje luftën për mbijetesë të disa anëtarëve të eurozonës në Jug të Evropës. Megjithatë qeveria është e vendosur ta përcjellë qendrimin e saj pozitiv ndaj euros edhe në shoqëri: me ndërrimin e viteve gjithë vendi do të brohorasë hyrjen në eurozonë dhe të mirat që sjell euro.