1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plan veprimi për boshatisjen e bazave ushtarake pranë qendrave të banuara në Shqipëri

Ani Ruci / Tiranë 21 Gusht 2008

Municionet stoqe që nuk vranë asnjë armik imagjinar të paranojës së Enver Hoxhës, mund të jenë vdekjeprurëse për qindra-mijëra banorë, viktima të papërgjegjësisë dhe të shkujdesjes së deritanishme të qeverive të Tiranës

https://p.dw.com/p/F2Qq
Qeveria e Tiranës ka filluar një plan veprimi dyvjeçar për demilitarizimin e vendit
Qeveria e Tiranës ka filluar një plan veprimi dyvjeçar për demilitarizimin e venditFotografi: AP

Plot 59 kontenierë me predha dhe mortaja, të vendosura në bazën ushtarake të Shkozetit, në rrethinat e qytetit bregdetar të Durrësit, tani janë të boshatisura. 1300 tonet e municionit të rrezikshëm, që ato përmbanin, janë çaktivizuar. Qindra mijra pushuesit e çdo vere në plazhet e Shkozetit dhe banorët e zonës nuk jetojnë më me frikën shumëvjeçare të ndonjë shpërthimi katastrofik.

Zbrazja e bazës ushtarake të Shkozetit është vetëm fillimi i një plan veprimi dyvjeçar të qeverisë së Tiranës për demilitarizimin e vendit. Pas Shkozetit do të jenë 25 baza të tjera ushtarake, të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë, që do të zbrazen nga mali i municioneve të magazinuar në to. Drita e kuqe e rrezikut të lartë rri prej vitesh të tëra ndezur ne hyrjen e këtyre bazave ushtarake. Po tani çdo të ndodhë?

"Disa grupe të ngritura enkas do të veprojnë duke filluar nga 1 shtatori për zbatimin e këtij plan-veprimi. Jam i sigurtë që shumë shpejt, shkalla e rrezikut nga drita e kuqe do të kalojë në një ngjyrë tjetër, që tregon një nivel më të ulët rreziku apo më të lartë sigurie në shkallë kombëtare. Ekspertët shqiptarë do t´u kthejnë kështu sigurinë banorëve, në ato zona ku ajo ende është në pikëpyetje ", tha Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, duke dhënë disa hollësi për zbatimin e planit të veprimit për demilitarizimin e vendit.

Banorët e këtyre zonave jetojnë prej vitesh duke pasur pranë bazat ushtarake, të mbushura më municion të rrezikshëm. Do të mjaftonte një gabim njerëzor, një rrjedhje e lëndës plasëse, një temperaturë më e lartë se norma që të shkaktohej një katastrofë humane. Shpërthimi i depos së municioneve në Gërdec të Vorës, më 15 marsin e kaluar, erdhi si një një mësim i vonuar, me pasoja të rënda që mori qeveria e Tiranës për rrezikun përherë të pranishëm që sjellin bazat ushtarake.

Municionet e tyre stoqe, që nuk vranë asnjë armik imagjinar të paranojës komuniste të Enver Hoxhës, mund të vrisnin, në 18 vite demokraci, qindra mijëra banorë, viktima të papërgjegjësisë dhe të shkujdesjes së deritanishme të qeverive të Tiranës. U desh të ndodhte tragjedia e Gërdecit që qeveria e kryeministrit Berisha të ndërgjegjësohej dhe të përshpejtonte ritmet e përfundimit të strategjise së demilitarizimit të Shqipërisë. Kjo strategji u përgatit nga ekspertë të BE-së dhe të SHBA-ve në bashkëpunim me ata vendas. Në krye të listës janë të gjitha bazat ushtarake pranë qendrave të banuara. Pas Durrësit tani radhën e kanë bazat ushtarake që ndodhen në rrethinat e Tiranës. Deri në vitin 2010 do të jenë demontuar 100 mijë ton municione të rrezikshme, që posedon tani Shqipëria. Respektimii këtij afati është një nga angazhimet më të rëndësishme që Shqipëria ka marë në raport më NATO- n ku shpreson të jetë anëtare me të drejta të plota verën e ardhshme.