1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plan Marshall për Greqinë

16 Shkurt 2012

Plan Marshall për Greqinë - çfarë fshihet pas kësaj parrulle. Në Greqi kursehet shumë dhe investohet shumë pak në ngritjen e një ekonomie konkurruese. Mjetet financiare për Greqinë duhet të futen më shpejtë në punë.

https://p.dw.com/p/143se
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Marrëveshje e re", "Plan Marshall" ose "Plan Herkules" - koncepte të mëdha krijon shpejt dhe me kënaqësi politika kur është fjala për zhvillimin ekonomik në shtetin pothuajse të falimentuar të Greqisë. Kështu për shembull Daniel Cohn-Bendit, udhëheqës i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian kërkoi tani edhe njëherë: "Tani duhet gjetur një plan për Greqinë, i cili nga njëra anë do të parashikonte qethjen e borxhit grek dhe nga ana tjetër një reformë dhe një Plan Marshall, një plan investimi. Përndryshe nuk mund të ketë rimëkëmbje të ekonomisë."

Emmanoulidis: Kërkohet punë konkrete

Në parim deklarata të tilla shumë premtuese nuk kanë asgjë të keqe, thotë Janis Emmanoulidis nga Qendra për Politika Evropiane, një organizatë e pavarur "think tank" në Bruksel. Por në fund gjithçka varet nga përmbajtja, nënvizon Emmanoulidis. "Deklaratat e tilla duhet të kenë substancë. Nëse pas tyre fshihen vetëm fjalë boshe dhe fraza të bukura të deklaratave përfundimtare të samitit të BE-së, atëherë kjo nuk përbënë kurfarë ndihme. Duhet bërë punë konkrete."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Dhe kjo tashmë është duke ndodhur - por prapa skenave. Që nga vera është duke vepruar e ashtuquajtura "Task Force për Greqinë". Ekipi i ekspertëve nën drejtimin e gjermanit Horst Reichenbach duhet të ndihmojë grekët për të shfrytëzuar fillimisht ndihmat miliardëshe që tashmë janë vënë në dispozicion. Dhe ato janë, siç e thotë menaxheri me përvojë i krizave, fonde strukturore evropiane. "Nga ana financiare, fondet janë vërtet në dispozicion. Dhe që fondet strukturore të absorbohen sa më mirë deri në vitin 2013 është në vetvete një detyrë e madhe..."

Zhvillimi ekonomik të promovohet edhe në rajone tjera

Vetëm rreth një të tretën e parave të vëna në dispozicion grekët kanë arritur ta tërheqin nga fondet aktuale të periudhës financiare që përfundon në fund të vitit të ardhshëm. Për pjesën më të madhe të tyre duhet aplikuar me projekte të arsyeshme. Dhe pikërisht në këtë drejtim duhet të ndihmojë Task Force. Vendi ka shumë potencial, sqaron eksperti i ekonomisë, Emmanoulidis. "Në fushën e industrisë së turizmit me siguri që nuk janë shteruar të gjitha mjetet. Për më tepër përmes projekteve infrastrukturore krijohen mundësitë për të promovuar zhvillimin ekonomik në rajone të tjera të vendit dhe jo vetëm në rajonet kryesore si Athina. Një shembull është sektori i energjisë: këtu ekziston ideja e promovimit të energjisë së ripërtëritshme, në veçanti të energjisë solare."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Por sidomos kur flitet për investimet në infrastrukturë ato marrin shumë vite për tu paguar në tërësi. Ndërkohë, kompanitë veçanërisht të vogla dhe të mesme në Greqi kanë nevojë për ndihma urgjente. Bankat greke nuk japin pothuajse më fare kredi të reja. Por me ndihmën e fondeve të BE-së mund të shpëtohen bizneset solide dhe të themelohen biznese të reja, thotë Emmanoulidis: "Ka shumë të rinj grekë të cilët për shkak të faktit se nuk shohin ndonjë perspektivë duan të hapin biznese të pavarura. Dhe për këtë ka edhe potencial krijues si për shembull në sektorin e informatikës."

Prandaj mund të thuhet se Plani Marshall për Greqinë para së gjithash përbëhet nga punë të vogla shumë të mundimshme.

Autorë: Wolfgang Landmesser / Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica