1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pika që su bie se nga gratë rrojnë- Familjet shqiptare në Greqi

5 Mars 2011

Kriza po i kthen gratë e imigracionit shqiptar në “shtylla” të shtëpisë. Duke punuar si punonjëse shtëpiake, për pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare ato janë i vetmi krahë në kohë krizash.

https://p.dw.com/p/10Ts7
Fotografi: AP

Ngurron të prezantohet me emrin e saj të plotë, por jo edhe të flasë për “peripecinë” e përditshme të punës së saj si ndihmëse shtëpiake këtu e 15 vjet në Greqi. Tek e fundit anonime mbetet pjesa dërrmuese e grave të imigracionit, që pa siguracion, punojnë si ndihmëse nëpër shtëpitë e vendasve, pa u përfshirë qoftë edhe në një statistikë të saktë të kontributit të tyre. “Për punën time të përditshme marr dy autobusa që të arrij në Qifisia. Atje punoj si ndihmëse në një shtëpi, si shtëpiake domëthënë”, thotë Eva dhe menjëherë sqaron indirekt pse nuk thotë dhe mbiemrin e saj. “Kam qenë arsimtare në Shqipëri. Por tashmë e kam harruar çdo të thotë të jesh arsimtare, njeri me shkollë. Se puna ime e përditshme është mes detergjenteve. Por ç`të bëj. Im shoq nuk punon. Ndërtimi në Greqi nuk ka më punë. Kam 3 fëmijë. Djali i madh ka mbaruar shkollën e lartë, por është pa punë”.

Griechenland Migration Dhurata Jasimi
Dhurata Jasimi, bën dy punëFotografi: DW

I njejti rrëfim dhe i njejti pezmatim brenda tij nga shumë gra të imigracionit, që punojnë nëpër shtëpira si pastruese, kujdestare të moshuarish por edhe baby siter. “Në Shqipëri kam qenë llogaritare, por këtu punoj si baby siter” thotë Eva Bodinaku, që duket se është “familjarizuar” me fatin e saj. Kriza ndërkohë me mbijetesën në plan të parë e bën çdo nostalgji për profesionin e humbur që të duket si komoditet. Puna e gruas shtëpiake, punë e ndershme tek e fundit, po bëhet pa e tepruar i vetmi burim i vyer të ardhurash për familjet e imigracionit kur kriza i mban burrat larg kantiereve të ndërtimit.

“Vemë punojmë që në mëngjes neve gratë, për burrat është akoma më keq se ka rënë puna. Punojmë të mbajmë familjen, fëmijët, sa të mundemi” thotë Fatbardha Gjiçali, shqetësimi i së cilës për rënien edhe të punës së saj duket se i thekson dhe më tepër shënjat e moshës së thyer në fytyrën e saj. “Ka rënë puna edhe te ne tani, nga një herë në javë që na merrnin, tani na marrin një herë në dy javë, një herë në muaj, s' ka para, ka rënë puna”. Punë që pritet të reduktohet dhe më tepër pas mënyrës së re të pagesës nga 1 marsi, me pullë 50-eurosh të blerë nga pronari që punonjësi do ta përdorë në vazhdim për të tërhequr paratë nga makineri të posaçme nëpër supërmarkete, banka dhe institucione pasi të hiqet automatikisht 10% për siguracion social.

Griechenland Migration Elvira Drace
Elvira Drace, ndihmon në shtëpiraFotografi: DW

Me fëmijë dhe të shoqin pa punë është edhe Elvira Draçe që ka 12 vjet në Greqi, “me punë nëpër taverna si pjatalarëse dhe tani nëpër shpira”, sikurse thotë. Natyrë optimiste, që e bën të mos mbaj të qeshurën dhe kur flet në mikrofon, i sheh ndërkohë më të vështira vitet që vijnë. “Kemi blerë shtëpinë tonë. Shyqyr që kemi tjegull mbi kokë në këto momente”. Se kriza s'të lë rehat as në shtëpinë me qira, kur vetëm për muajin shkurt 4.000 pronarë kanë bërë padi për nxjerrje të qiramarrësve që nuk paguajnë qiranë.

Njëra prej tyre mund të ishte edhe Dhurata Jasimi, plot jetë siç tregon fytyra e saj kur pyetet sa e ka prekur kriza familjen e saj. “Jashtëzakonisht, se burrin e kam pa punë, paguaj qiranë, fëmijën në shkollë, të gjitha”. Një jetë ndërkohë të mbushur me punë. “Punoj dy punë. Njëra në supërmarket si shitëse dhe tjetra në qiliqio, në bar siç themi” shprehet Dhurata që ka njëmbëdhjetë vjet e gjysëm në Greqi, ku për hir të shkollës dhe të ardhmes së djalit, siç thotë, do të mbetet pavarësisht vështirësive të krizës.

Griechenland Migration Xhevdet Galo
Xhevdet Galo, pa punëFotografi: DW
Griechenland Migration Atmir Ago
Atmir Ago, AthinëFotografi: DW

Me instiktin e mbijetesës ndoshta më të fortë dhe se burrat gratë e imigracionit po kthehen në shtylla të familjes shqiptare që kriza me paralizën e ndërtimit ia la burrat pa punë. “Gruaja është shtylla e shtëpisë. Në qoftë se nuk do të punonte gruaja do të ishim të detyruar të ktheheshim në Shqipëri” thotë Fatmir Toska, që ka 14 muaj pa punë pasi humbi punën në ndërtim dhe hyri në asistencë për 6 muaj.

“Gruaja është kuzhinjere. Gjashtë ditët e javës punon si kuzhinjere.Nga kjo ia kam dalë mbanë, se me tri fëmijë në qoftë se gruaja do të punonte me hope dhe 30 euro në ditë nuk ia dilnim mbanë...” thotë Fatmiri dhe shton: “Nuk kemi shpresa fare për punë”. Në asistencë sociale është edhe Xhevdet Galo nga Bozhigradi i Devollit të Korçës, që mbahet edhe ai, sikurse thotë, bashkë me dy djemtë e tij nga puna e së shoqës, për të cilën kujton me humor edhe vargjet e Çajupit. “Shyqyr që na punon gruaja. Është ajo që ka thënë dikur Çajupi. Burrat rinë e kuvendojnë/pika që su bie se nga gratë rojnë”. Gruaja, pra shtyllë e shtëpisë? “Asgjë e keqe, kriza i ka këto” thotë Atmir Ago nga Berati, me gruan në punë edhe ai por në Shqipëri, “në një firmë italiane”. Njohje dhe mirënjohje pra është ajo çka u mbetet burrave për këtë kontribut të vyer të bashkëshorteve të tyre.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama