Pikëllim për vdekjen e presidentit polak Lech Kaczynski
11 Prill 2010Kancelarja gjemane Angela Merkel në një letër drejtuar kryeministrit polak Donald Tusk shkruan: "E gjithë Gjermania është në këto momente keqardhjeje dhe solidariteti në krah të Polonisë."
Në një tjetër prononcim kancelarja Merkel deklaroi se Kaczynski e donte vendin e tij dhe ishte një evropian luftarak: "Për Poloninë, fqinjin tonë, kjo është një tragjedi politike dhe njerëzore. Lech Kaczynski ishte një përfaqësues i vërtetë i interesave të vendit të tij. Ai e donte Poloninë dhe ishte një evropian luftarak. Më kujtohen shumë takime me të në plan evropian dhe ndërkombëtar. Në fund gjithnjë arrinim të gjenim një rezultat."
Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle shprehu pikëllimin e tij të thellë dhe solidaritet me popullin polak: "Kjo është një fatkeqësi e tmerrshme. Ne e dimë mirë se çfarë po kalon tani populli polak dhe duam të shprehim solidaritetin tonë. Ne jemi përkrah popullit polak dhe ndajmë pikëllimin e tij. Ne jetojmë në të njëjtën shtëpi evropiane, jemi fqinj dhe miq të ngushtë. Për këtë arsye lajmi i hidhur na prek shumë."
Presidenti gjerman Horst Köhler e vlerësoi Lech Kaczynskin si patriot të madh: "Ai ka luftuar një jetë të tërë me pasion për atdheun e tij", tha Köhler të shtunën (10.4.) në Berlin.
"Objektivi i tij ishte një Poloni e lirë në një Evropë të lirë", shtoi presidenti gjerman. Dhe më tej: "Lech Kaczynski na ka paralajmëruar të gjithë të mbajmë të gjallë kujtimin për krimet e nacionalsocializmit dhe komunizmit dhe të kujtojmë viktimat e tyre."
Ngushëllime erdhën edhe nga kryeministri britanik Gordon Brown, nga presidenti francez Nicolas Sarkozy, zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të SHBA-së P.J. Crowley si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen.
Brown tha se e gjithë bota është e pikëlluar për vdekjen tragjike të Kaczynskit, gruas së tij dhe delegacionit që e shoqëronte. Më tej Brown shtoi: "Ne i njohim vështirësitë që ka kaluar Polonia, sakrificat që vetë Kaczynski ka bërë si pjesë e lëvizjes Solidarnosc. Ne e njohim kontributin e tij për pavarësinë dhe lirinë në Poloni."
Presidenti francez Nicolas Sarkozy tha se Kaczynski jetën e tij ia kishte dedikuar Polonisë. Gjatë gjithë jetës ai ka luftuar për demokraci dhe liri dhe kundër totalitarizimit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të SHBA-së Crowley, foli për një "tragjedi të tmerrshme për Poloninë". Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen deklaroi: "Në emër të NATO-s unë i shpreh popullit polak, familjes së presidentit dhe zonjës Kaczynski dhe të gjithë atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm, ngushëllimet më të thella. Mendimet e mia janë sot tek ata."
Autor: Eliana Xhani (dpa, rtr, afp, apn)
Redaktoi: Bahri Cani