Pesë hapa për kapërcimin e "konjukturës së vështirë"
20 Nëntor 2007Në konferencën për shtyp me gazetarët grekë, Dora Bakojani e cilësoi konjukturën aktuale të këtyre vendeve " veçanërisht të vështirë" dhe se ajo çka u duhet është një objektiv i qartë, që s’ mund të jetë tjetër veçse "vizioni evropian". "Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian por edhe Komisioni Evropian kanë mundësinë që mbi bazën e propozimeve greke të bëjnë lëvizje konkrete të cilat do të përcjellin në mënyrë kredible këtë mesazh ndaj gjithë popujve të Ballkanit Perendimor" theksoi Bakojani, e cila për çështjen e Kosovës tha se me gjithë përshtypjen "jo aq optimiste" që dominoi u shpreh vendosmeria e të gjithëve në "mbështetje të troikës" gjatë tri javëve që mbeten deri më 10 dhjetor.
Por cilat janë këto masat konkrete, sipas zëdhenësit të ministrisë së jashtme greke?
Së pari, përshpejtimi i procedurës së nënshkrimit të Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit me Serbinë dhe Bosnjë-Herxegovinën.
Së dyti, inkurajimi i proçesit të dhënies së statusit të vendit kandidat për vendet e Ballkanit Perendimor që kanë nënshkruar marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit. Për këtë Komisioni Evropian të paraqesë mendimin e tij në shtator të vitit 2008 dhe Këshilli Evropian të vendosë në dhjetor.
Së treti, të merret në vazhdim një vendim për datën e fillimit të negociatave të integrimit konform zbatimit të kritereve.
Së katërti, heqja e vizës për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perendimor dhe
Së pesti, Bashkimi Evropian të akordojë fonde shtesë për këto vende.
Reagimet e para ndaj propozimit grek, sipas zonjës Bakojani e cila informoi sot dhe kryeministrin Karamanlis, ishin pozitive si nga ana e homologëve të saj evropianë po kështu edhe nga ana e komisionerit për zgjerimin Oli Ren. Një diskutim më i detajuar i tyre do të bëhet në samitin evropian të muajit të ardhshëm.