1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perspektiva të reja ekonomike midis Izraelit dhe Gjermanisë

Sabine Kinkartz23 Shtator 2005

Me rastin e 40 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, në Berlin u zhvillua Dita Ekonomike e Izraelit, ku vendosën lidhje kryesisht sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.

https://p.dw.com/p/As91
Ky prodhim gjerman ka mbërritur në Izrael
Ky prodhim gjerman ka mbërritur në IzraelFotografi: dpa

Me themelimin e Izraelit kreu i parë i shtetit Ben Gurion pati një vizion: ai donte ta bënte pjellore shkretëtirën e Negevit. Por si do të ndodhte kjo në një vend ku uji është me pakicë? Përgjigjja e Izraelit ndaj kësaj pyetjeje është teknologjia e pikimit, e cila bën të mundur ujitjen me burime minimale. Me këtë shkretëtira e Negevit nuk u kthye në fushë të lulëzuar, por zbulimi u bë gur kilometrik në bujqësinë izraelite. Për Ehud Olmert-in, zëvendëskryeministrin izraelit dhe ministër për industri, tregti dhe punë, teknologjia e pikimit përbën vetëm një shembull për zellin zbulues izraelit.

"Në një vend si Izraeli me një treg të vogël të brendshëm ne nuk do të mbijetonim ekonomikisht, në rast se nuk do të arrinim një epërsi teknologjike mbarëbotërore. Për këtë arsye ne investojmë sa të mundim në kërkim dhe zhvillim. Kërkimi dhe zhvillimi janë impulset më të rëndësishme për rritjen ekonomike në tërë botën, prandaj ne investojmë në këtë sektor 4,6 për qind të prodhimit tonë të brendshëm bruto."

Me sukses. Izraeli është sot një vend i teknologjisë së lartë, para së gjithash në kërkime ai bën pjesë në elitën botërore. Sipërmarrje nga gjithë bota kanë investuar në Izrael, shuma e investimeve u rrit vitin e kaluar me 10 për qind në 6,6 miliardë dollarë. 35 sipërmarrje gjermane kanë aktualisht degë të tyre në Izrael, investohet para së gjithash në qendra kërkimi, siç thotë ministri gjerman i ekonomisë Wolfgang Clement, i cili e ka vizituar së fundi këtë qershor Izraelin.

"Bashkëpunimi përfshin shumë fusha: ngritjen e centraleve energjetike, energjinë e ripërtëritshme, probleme dhe teknologji transporti, teknologjinë biologjike e gjenetike, përfshirë studimin e qelizave bazë. Sidoqoftë bashkëpunimi ekonomik me Izraelin është tashmë aq i thellë e i gjerë, si me pak vende të tjera të industrializuara. Shumë faktorë flasin për thellimin e këtij bashkëpunimi, pikërisht në sektorin e teknologjive të së ardhmes."

Për këtë qëllim Gjermania dhe Izraeli planifikojnë ngritjen e një fondi të përbashkët për nxitjen e investimneve të sipërmarrjeve të reja në kërkim dhe zhvillim, në fushën e bio- dhe nano-teknologjisë. Vëllimi do të arrijë fillimisht rreth dhjetë milion euro në vit, një komitet i përbashkët do të vendosë se cilat projekte do të mbështeten dhe në ç'formë. Bisedimet e para mbi ngritjen e fondit do të zhvillohen javën e ardhshme.

Një hap më përpara janë të dy vendet në themelimin e një këshilli tregtar gjermano-izraelit, marrëveshja përkatëse u nënshkrua të mërkurën në Berlin. Forumi i ri, që mbështetet nga Nisma e Ekonomisë Gjermane për Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme dhe nga Shoqata Ekonomike e Izraelit, do të nxisë thellimin e marrëdhënieve ekonomike, të cilat sipas presidentit të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë Ludwig Georg Braun edhe tani janë mjaft të mira.

"Tregtia midis vendeve tona ka një vëllim të përgjithshëm prej 4,5 miliardë eurosh dhe unë jam i sigurt që vitet e ardhshme ajo do të rritet. Norma e rritjes së prodhimit të brendshëm bruto të Izraelit, prej vitesh, është mbi atë të Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë edhe ne mund të marrim shembull, se sa shumë arrihet po të investosh në fushat e së ardhmes."

Me 4,3 për qind u rrit vitin e kaluar prodhimi i brendshëm bruto i Izraelit, të ardhurat për frymë janë të krahasueshme me ato të Spanjës. 40 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Izraelit në Evropë dhe vendi i dytë livrues për nga rëndësia, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Eksportet gjermane drejt Izraelit u rritën vitin e kaluar me afro 5 për qind në 2,5 miliardë euro. Nga Gjermania vjen edhe investimi më i rëndësishëm evropian aktualisht: Shoqëria aksionare Volkswagen është angazhuar me 250 milion dollarë në kuadër të një joint-venture-i për nxjerrjen e magnezit nga Deti i Vdekur.