1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Peer Steinbrück - kandidat në ofensivë

Naomi Conrad/Angjelina Verbica4 Shtator 2013

Bundestagu diskuton për gjendjen në Gjemani. Angela Merkel dhe kontrahenti i saj Peer Steinbrück e shfrytëzojnë këtë platformë për të fajësuar njëri-tjetrin për mungesë arritjesh dhe për të bërë fushatë.

https://p.dw.com/p/19bam
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kandidati, të cilit shumë ia kishin hequr vizën prej kohësh, është në topformë: agresiv, elokuent dhe i sigurtë. Tri javë para zgjedhjeve parlamentare Peer Steinbrück e ka rimarrë veten dhe i kundërvihet përsosur kancelares dhe koalicionit. Por le t'i marrim me rradhë: E martë në mëngjes (03.09.2013) në Bundestag. Rradhët në sallë janë të mbushura mirë, në galerinë e vizitorëve kanë zënë vend pranë njëri-tjetrit pensionistë dhe nxënës. Tema është situata në Gjermani. Një temë shumë e përshtatshme për fushatë zgjedhore. Pas duelit të tyre televiziv të së dielës Angela Merkel (CDU) dhe kontrahenti i saj Steinbrück (SPD) takohen sërish. Përsëri ajo paraqet një tabllo rozë, ndërsa ai të zezë. Sërish ajo lavdëron punën e saj dhe koalicionin, ai flet për dështim dhe stanjacion. Një situatë, dy tabllo të saj.

Së pari ajo rozë: Angela Merkel merr dosjen e saj të zezë dhe ecën drejt mikrofonit. Duartrokitje nga politikanët e partisë liberal-demokrate, FDP dhe të unionit kristiansdemokrat-kristian social CDU/CSU. Ndërsa opozita dërgon mesazhe në twitter, shfleton dhe pëshpërit në mënyrë demonstrative. Kancelarja u jep vetes dhe koalicionit qeveritar një vlerësim të mirë: "gjithsesi katër vite të mira" dhe fillon të numërojë pa pasion: që nga shtimi i vendeve në kopshtet për fëmijë, deri te rregullimi i bankave dhe stabilizimi i euros. Gjermania nën Merkelin është në gjendje të mirë, me të vertetë të mirë, ky është mesazhi i kancelares, numri i të papunëve është aq i ulët si kurrë më parë. "Ne e kemi bërë sociale punën e përkohshme!", thotë kancelarja. Peer Steinbrück gjestikulon dhe tund kokën. Më vonë ai do të shpërthejë, duke thënë se shfrytëzimi në punën e përkohshme ka marrë përmasa të mëdha në vitet e fundit.

Angela Merkel, e matur dhe e kontrolluar.
Angela Merkel, e matur dhe e kontrolluar.Fotografi: Johannes Eidele/AFP/Getty Images

"Këtë nuk e duan njerëzit"

Qytetarët gjenden para pyetjes, nëse "do të vazhdojmë rrugën e suksesit, apo nëse duhet të shohim gabimet e rënda, që e shkatërrojnë këtë zhvillim", thotë Merkel dhe vë buzën në gaz. Apeli i drejtohet zgjedhësve, që do të japin votat e tyre me 22 shtator dhe do të vendosin, se kush do ta krijojë qeverinë në katër vitet e ardhshëm. Kamera e parlamentit kalon në galerinë e mbushur plot me vizitorë dhe përqëndrohet tek dy gra të reja me bluza identike, ku është shkruar "I love Berlin" dhe që vështrojnë të painteresuara.

Kur Angela Merkel vjen te tema e energjisë atomike, thirrjet nga rradhët e opozitës bëhen më të forta. Merkel hedh vështrimin në sallë dhe paralajmëron. "Ky është një nga problemet tuaja: Sepse nuk jeni aspak në gjendje të gëzoheni për zhvillimin në Gjermani!" Këtë thotë ajo, nuk e duan aspak njerëzit". Në rradhët e opozitës bie qetësia, Steinbrück tund i zemëruar kokën.

Edhe lidhur me krizën e euros dhe me paketën e shpëtimit për Greqinë është bërë gjithçka në rregull, thotë Merkel. Më në fund një pranim: Kemi ecur shumë ngadalë me rregullimin e sektorit jolegal ekonomik. Pastaj kancelarja mbyll dosjen e saj të zezë me një "Faleminderit shumë" të shkurtër dhe kthehet në vendin e saj. Duartrokitje të vazhdueshme nga koalicioni, Angela Merkel është e qeshur në fytyrë, derisa ngrihet kontrahenti i saj.

"Gjermania është qeverisur poshtë vlerës së saj"

Peer Steinbrück del në mikrofon dhe s'ka të ndalur: Një qeveri, që rrotullohet si në mulli, që ka dështuar në menaxhimin e krizës, në rradhë të parë në Greqi. Përveç kësaj: Stanjacion në vend të vrullit të premtuar dhe një kthesë energjitike, që është një katastrofë e vërtetë. Ai prek njërën temë pas tjetrës në mënyrë të saktë dhe të strukturuar. Përfundimi i tij: Kancelarja thotë gjithmonë: "ne do të, ne do të, ne do të“. Por kush e ka drejtuar Republikën Federale në vitet e fundit? Kancelares i mungojnë vizionet, ajo është arkitekte e pushtetit, "por jo më arkitektja e vendit", tha ai. Merkel nuk ka më buzëqeshje por vështron përpara në një drejtim. Shprehja e fytyrës së saj nuk ndryshon pothuajse aspak në 25 minutat në vazhdim. Politikanët e opozitës duartrokasin fort.

Dy kandidatë, dy vizione
Dy kandidatë, dy vizioneFotografi: picture-alliance/dpa

"Ju e vizatoni vendin tonë me ngjyra të bukura", thotë Steinbrück, për t'i vënë vetë pastaj përsipër ca ngjyra të errëta: Krizë në kujdesin për të moshuarit, abuzim me punën me kohë të kufizuar dhe të përkohshme, mungesë investimesh në arsim. Gjestet e tij bëhen gjithnjë e më të mëdha, zëri më i lartë. Përfundimi: Deri këtu dhe jo më tutje. Gjermanisë i duhet një fillim i ri. Për këtë ai do të bëhet kancelar, thërret Steinbrück-u në sallë. Me një qeveri nga socialdemokratët dhe ekologjistët nuk do të ketë shpëtim nga bankat e huaja, por investime në arsim dhe infrastrukturë. Merkel përkulet pak nga zëvendëskancelari Philipp Rësler (FDP). Udhëheqja e të Gjelbërve, partneri i preferuar i Steinbrückut për koalicion në rast fitoreje, duartroket. Natyrisht një qeveri e socialdemokratëve dhe ekologjistëve "do të ngrejë disa taksa, këtu ne jemi të sinqertë!" Kandidati kryesor i të Gjelbërve Jürgen Trittin duartroket shkurt, kthehet pastaj prapë nga anëtarët e partisë së tij. Edhe Steinbrück buzëqesh duke u kthyer në vendin e tij, anëtarët e partisë së tij përkulen përpara dhe e përgëzojnë. Angela Merkel nuk thotë asgjë. Më vonë ajo shtyp diçka në telefonin e saj mobil. "Çfarë dite e tmerrshme në Berlin", shkon një mesazh në twitteri. Megjithatë atë nuk e ka shkruar Angela Merkel e vertetë, por një parodist i kancelares. Prej tyre ka shumë në internet.