PDK kërkon institucionalizimin e SHIK-ut
28 Korrik 2005Po, ka SHIK! PDK ka bashkëpunim me SHIK-un, ndërsa dosjet të cilat PDK i ka dorëzuar në UNMIK, me të cilat inkriminohen disa ministra të LDK-së në Qeverinë Kosumi janë mbledhur nga SHIK-u. Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i PDK-së Jakup Krasniqi për gazetës ditore “Epoka e re”. Ndërkaq, zyrtari tjetër i lartë i PDK Ramadan Avdiu, anëtar kryesie dhe sekretar për marrëdhënie me jashtë i tha DW se PDK-ja tani kërkon zyrtarizimin e SHIK-ut në një agjensi kombëtare informative për Kosovën:
“SHIK është i formuar para PDK. Ka qenë dhe është një segment mjaft i rëndësishëm i sigurisë në Kosovë. Në këto momente, gjashtë vite pas përfundimit të luftës është mëse e domosdoshme të ketë një mekanizëm të shërbimit informativ, i cili do të merrej me preventivën, hulumtimin dhe hetimin e rasteve kriminale, krimit të organizuar dhe pengimin e dukurive negative. Dhe, përderisa është mekanizmi i gatshëm, i cili funksionon më shumë se gjashtë, apo shtatë vite, atëherë do të duhej të zyrtarizohej dhe insitucionalizohet.”
Mirëpo, kërkesa e PDK duket se nuk ka hasur në mirëkuptim tek Qeveria Kosumi. Ky propozim sipas zëdhënësit Daut Dauti “nuk do të gjejë derën e hapur tek Qeveria, pasi SHIK-u duket se është organizatë partiake dhe këtë e ka pranuar PDK-ja.”
Ndërkaq, Avdiu thotë se përparësia e SHIK-ut mbështet të infrastrukturën e gatshme të këtij shërbimi, duke shtuar se SHIK-u do të mund të plotësohej me njerëz të tjerë profesionistë.