1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit: Lindja e Mesme dhe ndihmat për vendet e Azisë të prekura nga tsunami

VFB12 Janar 2005

Gazetat gjermane i kushtojnë vëmendje sërish zhvillimeve të së ardhmes në Lindjen e Mesme si dhe përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar vendet aziatike të dëmtuara nga katastrofa natyrore.

https://p.dw.com/p/ArxE

Në të përditshmen e Bonit "BONNER GENERALANZEIGER" botohet një intervistë me kancelarin Gerhard Shrëder lidhur me iniciativën e tij për ndihmat për Azinë. Shrëder ka propozuar krijimin e partneriteteve apo binjakëzimeve mes qyteteve e komunave gjermane me qytetet dhe komunat e dëmtuara nga tërmeti në Azi. Kjo iniciativë ka pasur rezonancë mjaft pozitive. Në "BONNER GENERALANZEIGER" Shrëder thekson, se është e rëndësishme që të bëhet e qartë që në disa vende do të duhet shumë kohë derisa të arrihet tek rindërtimi. Sa i përket ndihmës së emergjencës, sipas kancelarit është e rëndësishme që ndihma të jetë e shpejtë. Por sipas Shrëderit njerëzit në Azinë Jugore kanë nevojë për mbështetje edhe gjatë muajve e viteve të ardhëshme dhe "ne nuk duhet t´i lëmë ata vetëm".

"WETZLARER NEUE ZEITUNG" ndalet në një aspekt delikat duke komentuar ndihmat e Gjermanisë për vendet aziatike: "Nëse kancelari Gerhard Shrëder dhe ministri i jashtëm Joshka Fisher do t´ia arrijnë që përmes rolit në rindërtimin e zonave të përmbytura në Azi të sigurojnë një vend të përhershëm për Gjermaninë në Këshillin e Sigurimit, ky do të ishte një rezultat cinik", tërheq vëmendjen "WETZLARER NEUE ZEITUNG".


Ndërsa gazeta "BERLINER KURIER" i kushton vëmendje zhvillimit të turizmit në të ardhmen në vendet aziatike: "Të shlodhesh pranë rënojave të baticës, të bësh banjo dielli në një plazh, ku gjetën vdekjen qindra mijëra vetë? A është e mundur kjo dhe a duhet ta bëjmë këtë? Këtyre pyetjeve komentatori u përgjigjet me bindje të plotë: "mendoj, se ne duhet e madje është e udhës që ne sërish t´i kalojmë pushimet në Tajlandë. Çdo ditë ne udhëtojmë nëpër rrugë, përgjatë të cilave gjejnë vdekjen njerëz. Nëse rastësisht ne nuk e njohim ndonjërën prej viktimave as që e vrasim mendjen për këtë. Pushimet e ardhëshme në Juglindje të Azisë do t´u ndihmojnë më shumti njerëzve në këto vende, sepse me këtë ne u tregojmë atyre që jeta vazhdon. Duke e bërë këtë ne nuk i harrojmë viktimat e katastrofës, por ne duhet t´i përkujtojmë ato me dinjitet", shkruan "BERLINER KURIER".


Lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme pas zgjedhjes së Mahmud Abazit president të palestinezëve në komentin e "OSTHÜRINGER ZEITUNG" theksohet: "Abazit i besohet që ndryshe nga parardhësi i tij Arafat, ai do t´i përmbahet rrugës politike pavarësisht nga rezistenca. Por për këtë atij i duhen edhe partnerë, nga pala e Izraelit ishte Itxhak Rabin ai që mbështeste rrugën politike në vitin 1993. Ndërsa sot frontet janë më të ashpra se kurrë. Qeveria e Izraelit dhe bashkësia ndërkombëtare duhet t´i japin mbështetje të fortë politike Abazit, në mënyrë që ai t´i tregojë popullit të vet dhe fqinjëve arabë, se kjo është rruga e vetme për paqen", apelon "OSTHÜRINGER ZEITUNG".

Ndërsa "FRANKFURTER NEUE PRESSE" nënvizon rolin e evropianëve në Lindjen e Mesme: "Ka ardhur koha që evropianët t´i përshtaten masës së këshillave dhe të forcës së vet. Evropianët duhet t´ia dalin mbanë vetë dhe pa ndihmën e amerikanëve të padëshiruar prej tyre. Aktualisht përpjekjet për paqen më shumë dëmtohen se sa favorizohen prej njëanshmërisë së pamasë, me të cilën e vëzhgojnë disa fushën e betejës në Lindjen e Mesme. Kjo situatë bën që iluzionet e palestinezëve, që evropianët nuk mund t´i përmbushin me forcat e veta, të shtohen pamasë duke i acaruar frontet në mënyrë të papajtueshme", analizon "FRANKFURTER NEUE PRESSE".