1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza greke dhe ekonomia rajonale

29 Mars 2012

Në një forum diskutimi për ekonominë rajonale të zhvilluar nga fondacioni "Friedrich Ebert", ekspertë gjermanë dhe shqiptarë debatuan mbi pasojat e krizës greke në Shqipëri dhe më gjerë.

https://p.dw.com/p/14UHK

Përveç analizave që bëhen sot mbi efektet e drejtëpërdrejta që shkakton kriza ekonomike në Greqi, fokusi i ekspertëve është drejtuar dhe tek “eksporti” i pasojave të kësaj situate tek vendet e tjera, veçanërisht tek ato të Ballkanit Perëndimor.

Sipas studiuesit të njohur gjerman, Prof. Franz-Lothar Altmann, vëmendja e rajonit duhet të jetë maksimale për atë që konsiderohet si efekt zinxhir që afekton dhe vende të tjera. “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të lëvizin për të zbutur sa më shumë efektet e kësaj krize. Jemi në një situatë ekonomike që paraqet shumë pasiguri për të ardhmen dhe ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë në vazhdim”, u shpreh prof. Franz-Lothar Altmann gjatë një diskutimi që u zhvillua së fundi në Tiranë mes ekspertëve dhe studiesve të ekonomisë.

Eksperti Franz-Lothar Altmann
Eksperti Franz-Lothar AltmannFotografi: Franz-Lothar Altmann

Efektet e krizës greke në realitetin e Shqipërisë

Prof. dr. Kosta Barjaba, anëtar i asociuar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndalet tek emigracioni shqiptar që është në Greqi. Ai mendon se emigrantët janë komuniteti më i prekshëm dhe më i goditshëm nga krizat, si në vendet pritëse ashtu dhe ato origjinës. Në mënyrë të drejtëpërdrejtë pritshmëria është që të rriten pasojat negative në radhët e emigrantëve shqiptarë në Greqi, si nga kriza globale ashtu dhe ajo të cilën e përjeton aktualisht shoqëria greke. “P.sh., rritja me ritme më të shpejta e nivelit të papunësisë në mesin e komunitetit të emigrantëve; pakësimi i remitancave, ku në 4-5 vitet e fundit të ardhurat nga emigracioni janë zvogëluar me 50 – 60 milion euro në vit dhe pritet që ky pakësim të ndodhë me ritëm akoma më shpejtë dhe të jetë më i ndjeshëm", mendon Prof. Barjaba.

Sipas Barjabas pritet një rënie e kursimeve të emigrantëve, të cilat janë një potencial i fuqishëm zhvillimi për Shqipërinë, si në planin e konsumit ashtu dhe në planin e investimeve. Të dhënat e anketimeve të ndryshme tregojnë se në 2-3 vitet e fundit, kursimet e emigrantëve shqiptarë në Greqi ka rënë rreth 23 përqind.

Sipas tij këta dhe të tjerë faktorë shkaktojnë atë që njihet si fenomeni i “kthimit të sforcuar të emigrantëve” në të dy kategoritë, si ata që janë të suksesshëm në aktivitetin e tyre, ashtu dhe ata që dështojnë në projektet e tyre të emigrimit. Këto dukuri të mirëfillta ekonomike dhe financiare mund të shoqërohen me pasoja politike dhe sociale shprehet për DW, Prof. Dr. Kosta Barjaba. “Nga pikëpamja e vendit pritës kemi një acarim ose një agresivitet më të madh si të sjelljes së emigrantëve ashtu dhe në reagimet e popullsisë vendase në Greqi. Ndërsa e parë nga perspektiva e Shqipërisë, pritet që të kemi një acarim të tensioneve sociale, sepse potenciali migrator i vendit mbetet i lartë, por nga ana tjetër kapacitetet e vendeve pritëse për ta thithur këtë fuqi mbeten të ulta, kështu që këta emigrantë do të përpiqen që të gjejnë një zgjidhje në vendin e tyre - gjë që shton konkurencën, por dhe vështirësite ekonomike - dhe për pasojë tensionet sociale që shpresojmë të zgjidhen në një mënyrë sa më racionale.”

Prof. Dr. Kosta Barjaba
Prof. Dr. Kosta BarjabaFotografi: DW/A. Muka

Dr. Gjergj Filipi, drejtor kërkimesh në Institutin “Axhenda” në Tiranë e përshkruan ekonominë shqiptare si më të varfrën e rajonit sa i takon nivelit të të ardhura për frymë. Duke e nisur tranzicionin nga një sistem ekonomik i centralizuar dhe i izoluar, Shqipërisë, sipas tij, i është dashur shumë energji për t'u përshtatur me ndërtimin e një ekonomie të tregut të lirë. Një nga faktorët më pozitivë të ekonomisë shqiptare në këtë periudhë tranzicioni është eksporti, që sidomos në dhjetëvjeçarin e parë ishte në formën e eksportit të krahut të punës, thotë dr. Filipi për DW.

Shanset e pashfrytëzuara

Eksporti i krahut të punës uli presionet sociale në vend dhe ndihmoi që mbajtja e këtij krahu pune jashtë territorit të Shqipërisë të furnizonte ekonominë shqiptare me remitanca. Por këto janë vënë shumë në rrezik nga kriza greke, sepse është destinacioni më masiv në konteksin e Shqipërisë. Ajo që rrezikon shumë është dhe fakti se emigrantët shqiptarë që kanë humbur ose pritet të humbin vendet e punës do të kthehen në Shqipërinë e shumë të papunëve.

Dr. Gjergj Filipi është i mendimit se Shqipëria kishte mundësi të përfitonte nga kriza greke. Në rastin e Greqisë kemi pasur të bëjmë me një vend ballkanik që ka bërë më shumë përpara se secili vend tjetër i rajonit, paçka se së fundi situata është vështirësuar nga kriza, mendon eksperti i ekonomisë. Autoritetet helene bënë një transferim të pasojave tek qytetarët dhe tek bizneset në formën e rritjes së taksave. Mund të ishte e arsyeshme që në kontekstin e konkurencës globale bizneset greke të gjenin një ‘parajsë relative fiskale' në vendin kufitar me të, Shqipërinë. Por ky shans nuk është shfrytëzuar deri më tani.”

Dr. Gjergj Filipi
Dr. Gjergj FilipiFotografi: DW

Sipas dr. Gjergj Filipit në Shqipëri nga të gjitha qeveritë që kanë drejtuar vendin nuk është kompletuar ajo që njihet si paketa e thithjes së investimeve të huaja, që veç sistemit të taksimit mbi fitimin e bizneseve lidhet dhe me forcimin e gjyqësorit, me parashikueshmërinë e rregullave të politikave fiskale etj. “Por i shkruara në letër dhe i mbetur po në letër, ky kuadër legjislativ reformues nuk është vënë në zbatim, duke humbur shansin për Shqipërinë që të jetë një katalizator ekonomik shumë i favorshëm për shtetin fqinj që aktualisht përjeton krizë serioze. Për fat të keq edhe ky është një shans i humbur për Shqipërinë, në përfitimet e natyrshme që ajo do të kishte nga situata e krijuar në Greqi”- thotë dr. Gjergj Filipi, drejtor kërkimesh në Institutin “Axhenda” në Tiranë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi