1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasojat e krizes greke ne Maqedoni

20 Tetor 2011

Greva doganore greke ka goditur fort ekonominë e Maqedonisë. Qindra e mijëra tonö mallra për nevojat e industrisë maqedonase kanë mbetur në territorin grek, kryesisht në portin e Selanikut.

https://p.dw.com/p/12vzl
Porti i SelanikutFotografi: picture-alliance/ dpa

Qindra e mijëra ton mallra për nevojat e industrisë së Maqedonisë kanë mbetur në territorin grek, kryesisht në portin e Selanikut. Deri ditën e premte 21 tetor është bllokuar importimi i lëndëve të para, por edhe eksporti i xeherorëve dhe metalurgjisë së rëndë, që janë çelësi i bilancit tregtar të Maqedonisë. Shqetësimet janë në rritje e sipër edhe për shkak të mungesës së mundshme të naftës dhe karburanteve të tjera, të cilat importohen kryesisht përmes Korridorit 10.

"Kur tanimë pothuajse nuk ekziston Korridori 8, bllokimi më i gjatë i Korridorit 10 nga pala e punonjësve në doganën greke do të shkaktojë pasoja negative për ekonominë e Maqedonisë. Gjithnjë e më shumë rritet shqetësimi nga mungesa e naftës dhe derivateve të saj. Posaçërisht deri ditën e premte nuk besoj se do të ndodhë diçka dramatike, sa i përket aspektit të naftës. Por ju mund të imagjinoni, nëse ky bllokim më tej vazhdon, atëherë sigurisht që kjo do të ndikojë negativisht mbi naftën dhe karburantet e tjera, të cilat importohen kryesisht nëpërmjet Greqisë. Për ne është e pakuptueshme, se si një shtet anëtar i BE-së mund të tolerojë diçka të tillë, aq më tepër kur dihet se kufijtë grekë nuk janë vetëm kufij grekë të brendshëm, por janë edhe kufij të jashtëm të BE", i tha Deutsche Welles Gjino Shkriel, kryetar i grupit të transportuesve ndërkombëtar dhe operatorëve logjistike.

Zvogëlimi i aftësisë konkurruese

Kapacitetet e mëdha industriale, puna e të cilave varet çdo ditë nga korridori 10 dhe porti i Selanikut, kërkojnë rrugë alternative, por këto zgjidhje janë joefikase dhe shumë të shtrenjta, që redukton konkurrencën e tyre: "Këto dhjetë ditë janë vetëm një pjesë, nga ajo çka deri më tani është bërë dhe unë jam i sigurt se duke pasur parasysh situatën, në të cilën Greqia është e rrethuar, ne do të kemi probleme serioze në të ardhmen. Është e qartë se çdo ditë e më shumë po bëhet më e sigurt se korridori 8 është më se i i nevojshëm për Maqedoninë. Ky korridor dalëngadalë duhet të ndërtohet.

Sikur ne të impononim konkurrencën nëpërmjet Durrësit apo Burgasit, unë besoj se pala greke do të mendohej mirë para se të ndërmerrte hapin për bllokimin e mallrave, pasi porti i Selanikut jeton nga pjesa jugore e Ballkanit: "Tani ju e dini se nuk ka alternativë tjetër dhe ne doemos duhet të pranojmë gjendjen brenda Greqisë, që për shkaqe shoqërore, apo politike ne praktikisht po mbetemi peng dhe viktimë e kësaj politike," reagon kështu Aleksandar Panov, drejtor në Makstil.

Shkelje të Konventës së OKB mbi lëvizjen e lirë të mallrave

Komuniteti i biznesit ka vënë alarmin se Greqia tashmë ka shkelur Konventën e OKB të vitit 2003 për rrjedhjen e lirë të mallrave, që është e mbështetur nga Banka Botërore. Oda Ekonomike e Maqedonisë i bëri thirrje jo vetëm qeverisë së Maqedonisë, por edhe qeverisë së Shqipërisë dhe të Turqisë, të cilat gjithashtu po përballen me të njëjtin problem, të reagojnë deri tek qeveria greke: "Të gjithë anëtarët e OKB-së janë të detyruar, që t'u sigurojnë vendeve, të cilat nuk kanë dalje në det, transport tranzit të mallrave. Ky është obligim i OKB-së. Unë deri më tani nuk kam dëgjuar nga asnjë njeri që t'i bëjë thirrje kësaj Konvente", tha Ljubica Nuri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Sa i madh do të jetë dëmi, pritet të llogaritet. Nga Dhoma e Ekonomike e Maqedonisë, si shoqatë më e madhe e biznesit, thonë se dëmet janë të mëdha, por për të gjetur shumën e saktë është më se e nvojshme që të bëhet një studim i hollësishëm i kompanive. Kufiri me Greqinë ditën e premte 21 tetor do të jetë i kalueshëm për pasagjerët dhe për transportet e mallrave.

Autor: Kostadin Delimitov/Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Angjelina Verbica