1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paskaleviq: Jam shumë i kënaqur me aktorët shqiptarë

23 Gusht 2009

"Muaji i Mjaltit" është filmi i parë i realizuar në bashkëpunim mes kinematografisë shqiptare dhe asaj serbe. Aktorët ishin nga Serbia, Shqipëria, Kosova... Regjisori i filmit të parë është Goran Paskaleviq.

https://p.dw.com/p/JGjW
Kultura nuk njeh kufiFotografi: picture-alliance/ dpa

Për regjisorin është vështirë të flas për vlerën artistike të veprës së tij. Megjithatë, sa jeni të kënaqur me "prodhimin final"?

Paskaleviq: Jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin mes ekipeve nga Serbia dhe Shqipëria. Ishte ky një punim pionier, por besoj se ia vlenë sepse në fund kemi një film të mirë. Për mua është vështirë të flas për vlerën e filmit, por ai do të shfaqet në festivalet në Venecia, Toronto dhe Korenë e Jugut. Do të shfaqet në të gjithë festivalet e mëdha gjatë kësaj vjeshte, që mund të konsiderohet edhe si garancë e kualitetit.

Sa jeni të kënaqur me kualitetin e aktorëve shqiptarë, pasi që kjo ishte hera e parë që bashkëpunoni me një grup aktorësh nga Shqipëria?

Paskaleviq: Problemi im krysor ishte që unë nuk e flas gjuhën shqipe, por kam kaluar një kohë më të gjatë në Tiranë, ku kam shikuar filma dhe kam organizuar përzgjedhjen e aktorëve. I kam njoftuar gati të gjithë aktorët e një gjenerate pak më të vjetër, por edhe asaj më të re. Nga gjenerata e mesme kam përzgjedhur dy aktorë të shkëlqyeshëm, Bujar Lako dhe Yllka Mujo, të cilët më kanë impresuar në tërësi. Kam organizuar kastingje edhe në dy akademi dhe kam vendosur për angazhimin e aktorëve të ri Jozef Shiroka dhe Mirela Naska. Jam shumë i kënaqur me punën e tyre. Për mua nuk ishte fare e lehtë, sepse pas çdo dialogu në shqip është dashur të ndëprejnë xhirimet dhe të konsultohemi. Në fund jemi kuptuar shkëlqyeshëm. Edhe unë kam mësuar pak shqip.

Si ishte atmosfera mes aktorëve serbë dhe atyre shqiptarë, pasi që ata kurrë më parë nuk kanë bashkëpunuar? A ka luajtur ndonjë rol përkatësia e tyre kombëtare?

Paskaleviq: Jo, përkatësia kombëtare nuk ka qenë e rëndësishme. Por duhet thënë se ekipi prej 12 aktorësh nga Beogradi erdhi në Shqipëri me një lloj frike, sepse shqiptarët dhe serbët, për shkak të zhvillimeve të fundit dhe luftës së Kosovës, kanë hezitime mes vete. Në fillim kanë pasur frikë se si do të zhvillohet bashkëpunimi, por në fund u ndanë gati në mënyrë patetike, me lot në sy dhe me shpresë se sërish do të xhirojnë së bashku. Me të vërtetë ishte shumë mirë. Mos harroni një punë, ne të gjithë jemi nga Ballkani, shqiptarët dhe serbët dhe kemi mentalitet të ngjashëm.

Përveç vlerës artistike, filmi "Muaji i Mjaltit" ka dhe mesazhin e tij politik...

Paskaleviq: Mes shqiptarëve dhe serbëve ekziston një padurim i cili pikën kulmore e ka arritur në kohën e Millosheviqit. Por të rinjtë duan një jetë tjetër më të mirë dhe interesohen për politikë. Në anën tjetër kemi Evropën, e cila i ka mbyllur dyert. E shihni se çfarë po ndodhë në Itali, për shembull. Filmi është shumë kritik ndaj Evropës dhe do të jetë shumë interesante të shihet se cilat do të jenë reagimet në festivalin e Venecias. Personazhet kryesore vijnë në Itali kur megjithë dokumentat e rregullta, policia italiane nuk i trajton si duhet.

Filmi fillimisht do të shfaqet në festivale e në fund të nëntorit edhe në Beograd e Tiranë. Keni frikë nga reagimet e publikut?

Paskaleviq: Nacionalistët e njërës dhe palës tjetër janë kundër xhirimeve të filmave të këtillë të përbashkët. Nacionalistët e ndërtojnë filosofinë e tyre mbi bazat e konflikteve e jo bashkëpunimit. Shqipëria dhe Serbia janë vende fqinje të cilat duhet të bashkëpunojnë, sepse ato do të mbeten atje ku janë. Me sa di unë, në nivelin ekonomik kaherë po zhvillohet një bashkëpunim i madh.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti