1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas zgjedhjeve në Turqi - Çfarë do të bëhet me Qipron?

Christofer Plaas26 Korrik 2007

Fitorja në zgjedhjet parlementare në Turqi e kryeministrit Erdogan dhe e partisë së tij konservatore-fetare, AKP është vlerësuar në BE pozitivisht. Pengesë e madhe vazhdon të mbetet ende çështja e Qipros.

https://p.dw.com/p/BMSC
Vija kufitare me Qipron verioreFotografi: AP

Brukseli ka reaguar mjaft pozitivisht ndaj rezultatit të zgjedhjeve në Turqi: Suksesi i Erdoganit jep qartësi dhe është një mandat edhe për Evropën, në këtë linjë kanë qenë reagimet në pëgjithësi. Por nga Qiproja kryeministri i vjetër dhe i ri nuk mund të presë duartrokritje. Ministrja e jashtme e republikës ishull, Erato Marcoullis, është skeptike sa i përket një zgjidhjeje të shpejtë të konfliktit:

"Fitorja e Erdoganit është e rëndësishme për procesin e afrimit me BE-në, edhe për reformat e ndryshme në Turqi. Por ne kemi frikë, se nuk do të ndryshojë gjë në rolin e ushtrisë. E për ne vetëm kjo ka vlerë."

Marshimi i më shumë se 40.000 ushtarëve turq në pjesën veriore të ishullit në vitin 1974 ende ka lënë gjurmët e traumës së dëbimit të më shumë se 200.000 qipriotëve me orgjinë greke dhe ngulimit të 160.000 njerëzve nga Turqia në veri të ishullit. Edhe sot e kësaj dite Republika e Qipros e dominuar prej grekëve, qysh nga viti 2004 anëtare e BE-së ndahet nga një zonë e çmilitarizuar prej pjesës veriore, që njihet vetëm prej Turqisë dhe që në nivel ndërkombëtar ka mbetur e izoluar. Për aq kohë sa ushtarakët në Turqi nuk i nënshtrohen kontrollit demokratik, nuk mund të ketë zgjidhje për Qipron, thotë ministrja e jashtme nga Nikozia. Përveç kësaj ajo ankohet, që forcat nacionaliste në Turqi janë forcuar prej zgjedhjeve. Kjo e vështirëson edhe më shumë çështjen.

Qiproja si anëtare e BE-së kërkon nga Ankaraja në radhë të parë ratifikimin e të ashtuquajturit protokolli i Ankarasë. Me këtë unioni doganor, që ka Turqia me BE-në është shtrirë edhe në shtetet e reja anëtare të BE-së, pra edhe në Qipro. Por sipas këndvështrimit turk pranimi i unionit doganor me këtë pjesë të ishullit do të presupozonte njohjen e Republikës greke të Qipros. Nisur nga fakti që Ankaraja në këtë drejtim nuk do të bëjë asnjë lëshim, BE-ja duke marrë në konsideratë vendin e vet anëtar Qipron, i ka frenuar dukshëm bisedimet e anëtarësimit me Turqinë.

Kjo i vjen për mbarë Republikës së Qipros. Për aq kohë sa Ankaraja nuk e shtrin unionin doganor ndaj të gjitha shteteve të BE-së, pjesa greke e ishullit është e sigurt për solidaritetin e vendeve të tjera anëtare të BE-së. Kësisoj mbeten të tjera projekte të bllokuara. Në BE ka prej kohësh një iniciativë për ta nxjerrë nga izolimi pjesën turke të pushtuar të ishullit. Ndër të synohet vendosja e tregtisë direkte me BE-në përmes një porti dhe një aeroporti të caktuar në veri të Qipros.

Por ministrja e jashtme e pjesës jugore të ishullit thotë prerazi jo:
"Me një hap të tillë do të prekej një prej aspekteve të rëndësishme - si sovraniteti dhe e drejta ndërkombëtare. Nëse vendoset një rregull i tillë për tregti direkte, atëherë kjo do të thotë që të legalizohet një port dhe një aeroport ilegal. Ne nuk do ta pranojmë këtë."

Kjo iniciativë e BE-së pra ka mbetur në vendnumëro. Qiproja ka propozuar, që nën ombrellën e OKB-së të bëhet një përpjekje e re për dialog. Tashmë në Turqi kanë përfunduar zgjedhjet. Por në pranverën e vitit 2008 Qiproja do të zgjedhë një president të ri: asnjë kandidat nuk mund të përballojë në këtë drejtim lëvizje të mëdha. Me hedhjen e euros në qarkullim nga 1 janari pjesët e ishullit do të afrohen më shumë përmes parasë. Euroja ndonëse do të hidhet në qarkullim vetëm për pjesën jugore, si anëtare e BE-së, jo zyrtarisht ajo do të jetë mjet pagese edhe në pjesën veriore turke të ishullit.