Pas zgjedhjes së Tomislav Nikoliqit, reagime nga Kosova
8 Maj 2007Reklamë
Udhëheqësit politikë kosovarë janë shprehur sot se zgjedhja e radikalit serb, Tomislav Nikoliq, në krye të parlamentit të Serbisë është një zgjedhje e keqe, mirëpo ata shpresojnë që kjo zgjedhje të mos ndikojë në orientimin e serbëve të Kosovës, kah Beogradi, por të ardhmen e tyre ta konceptojnë në Kosovë.
Serbët e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që u zhvilluan edhe në territorin e Kosovës, më së shumti votuan për Partinë Radikale Serbe.
Ndërkohë, zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se Serbia po dëshmon se nuk mund të shkëputet nga e kaluara. Megjithatë ai beson se zgjedhja e radikalit serb në krye të parlamentit të Serbisë nuk do të ndikojë në përcaktimin e statusit të Kosovës.
Tomislav Nikoliq, u zgjodh në krye të parlamentit të Serbisë edhe me përkrahjen e partisë të ashtuquajtur e moderuar e kryeministrit, Vojislav Koshtunica. Ata përkrahën radikalët pas dështimit që prej tre muajsh të bisedimeve për koalicionin me Partinë demokratike reformiste të presidentit, Boris Tadiq.