1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mijëra njerëz protestojnë kundër racizmit në Britani

8 Gusht 2024

Prej disa ditësh në Britaninë e Madhe ka trazira të ekstremit të djathtë. Policia priti përleshje edhe mbrëmjen e djeshme. Por mijëra britanikë u mblodhën në mbrëmje për kundërprotesta.

https://p.dw.com/p/4jEIR
Großbritannien Demonstration gegen Einwanderungsproteste
Fotografi: Burak Bir/Anadolu/picture alliance

Pas disa ditësh dhune të kryera nga grupet e ekstremit të djathtë, mijëra njerëz demonstruan në Britaninë e Madhe kundër racizmit dhe urrejtjes. Njerëzit dolën në rrugë në disa qytete në të gjithë vendin të mërkurën në mbrëmje, duke përfshirë Londrën, Sheffield-in, Bristol-in dhe Brighton-in.

Policia ishte përgatitur gjithashtu për trazira të mëtejshme të së djathtës ekstreme gjatë natës dhe, sipas raporteve të mediave, druhej se do të ishin në shënjestër edhe firmat e avokatisë dhe qendrat e këshillimit që ndihmojnë azilkërkuesit me procedurat e tyre. Në disa vende, para dritareve, për shembull, u vunë dërrasa si masë paraprake.

"Nuk ka vend për urrejtje”

Qeveria britanike vuri në gatishmër rreth 6000 njësi speciale policore për të qënë e përgatitur për qindra demonstratat e shpallura nga grupet e ekstremit të djathtë dhe kundërprotestuesit.

Großbritannien Demonstration gegen Einwanderungsproteste
Fotografi: Burak Bir/Anadolu/picture alliance

Por në mbrëmje ishin kryesisht kundërprotestuesit ata që u mblodhën paqësisht. Në pankarta dhe tabela ata shkruanin për shembull, "Nuk ka vend për urrejtje" ose "Stop ekstremit të djathtë". Në Liverpool, disa qindra njerëz u mblodhën për të mbrojtur një qendër azili, raportoi agjencia britanike e lajmeve PA. Në Birmingham, njerëzit u mblodhën jashtë një qendre këshillimi dhe protestuan kundër islamofobisë.

Trazira të shkaktuara nga lajmet e rreme

Trazirat e ekstremit të djathtë në disa qytete britanike e kanë sfondin në një sulm me thikë në qytetin bregdetar të Southport-it, afër Liverpool-it, në të cilin më 29 korrik u vranë tre fëmijë dhe u plagosën dhjetë të tjerë. Autori hyri në një godinë ku po zhvillohej një orë vallëzimi pushimesh për fëmijët. Sulmi tronditi Britaninë.

Në internet qarkulloi informacioni i rremë se sulmuesi ishte një azilkërkues mysliman. Policia thekson se i dyshuari është një i ri 17-vjeçar, i lindur në Britaninë e Madhe nga prindër ruandezë. Motivi është i paqartë.

Nga më shumë se 400 protestues të arrestuar, rreth 120 ndërkohë janë paditur. Një gjykatë në Liverpool ka dënuar tre persona me burgim që variojnë nga 20 muaj deri në tre vjet.

aud (ag, tgsch)