1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas shtatë zgjedhjeve: Bullgaria ka një qeveri të re

Alexander Detev
19 Janar 2025

Bullgaria më në fund ka një qeveri të re. A do të jetë ajo në gjendje të zgjidhë problemet e njohura të vendit, të luftojë korrupsionin dhe të rivendosë shtetin ligjor? Ekspertët janë skeptikë.

https://p.dw.com/p/4pJD0
Burra dhe gra, me shpinë nga spektatorët, shikojnë disa radhë në të cilat ka edhe burra dhe gra në këmbë, në sfond mund të shihet një flamur blu-bardhë-kuq dhe një tjetër blu me yje të artë.
Betimi i qeverisë së re më 16.01.2025 në kryeqytetin bullgar Sofje, në foltore në mes, kryeministri i ri Rossen SheljaskovFotografi: BGNES

Më në fund tym i bardhë! Qytetarëtbullgarë kanë votuar shtatë herë që nga viti 2020. Vetëm dy herë është formuar një qeveri e rregullt, e cila ka dështuar shpejt dhe në mënyrë spektakulare.

Pas zgjedhjeve të fundit në tetor 2024, të cilat edhe një herë nuk dhanë rezultate të qarta, tre parti po përpiqen të krijojnë më në fund një udhëheqje të qëndrueshme politike për shtetin anëtar të NATO-s dhe BE: GERB-ja konservatore (Lëvizja për një Bullgari Evropiane - Qytetarë për Zhvillim Evropian të Bullgarisë), e udhëhequr nga ish-kryeministri Boiko Borisov, Partia Socialiste Bullgare (PSB) dhe partia populiste "Ka një popull të tillë" (ITN). Ata mbështeten nga një pjesë e partisë së minoritetit turk "Lëvizja për të Drejta dhe Liri" (DSP).

Më 16 janar 2024, 125 deputetë të Parlamentit bullgar votuan për qeverinë e re të koalicionit dhe 114 kundër. Aleanca u formua pasi kreu i GERB, Borisov, 65 vjeç, tërhoqi kandidaturën e tij për kreun e qeverisë. Në vend të tij kryeministër u bë aleati i tij i ngushtë, avokati Rossen Sheljaskov, 56 vjeç.

A do të mbajë qeveria e re më shumë se paraardhëset e saj? Dhe a mund t'i kapërcejë ajo sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi më i varfër në BE? Vëzhguesit politikë dyshojnë për këtë, sepse partnerët aktualë të koalicionit kanë qenë rivalë të ashpër deri vonë.

Lufta kundër korrupsionit

Paqëndrueshmëria politike në Bullgari filloi në vitin 2020, kur qindra mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit dhe klikave në gjyqësor dhe shtet. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Borisov, i cili në atë kohë sundonte vendin ballkanik për herë të tretë, dhe të prokurorit të përgjithshëm Ivan Geshev.

Një burrë me një pallto blu mban një grumbull letrash në dorën e tij të shtrirë, me një kuti plastike transparente në një tavolinë përpara: fleta e votimit
Kreu i GERB dhe ish-kryeministri Boiko Borisov jep votën e tij në SofjeFotografi: Valentina Petrova/AP/dpa/picture alliance

Protestuesit i akuzuan të dy politikanët se janë varur nga strukturat kriminale, veçanërisht oligarku dhe politikani Deljan Peevski. Manjati i medias u sanksionua nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar në vitin 2021 për korrupsion.

Parti të reja

Në përgjigje të protestave, u themeluan disa parti dhe aleanca partiake me një qëllim të përbashkët: eleminimin e modelit Peevski-Borisov-Geshev. Një nga këto parti të sapothemeluara ishte partia e prezantuesit, muzikantit dhe producentit televiziv Slavi Trifonov "Ka një popull të tillë" (ITN), i cili çuditërisht fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Portret i një burri tullac me një palë vathë i veshur me një xhaketë lëkure
Slavi TrifonovFotografi: BGNES

Të diplomuarit në Harvard Kiril Petkov dhe Assen Vassilev themeluan një parti tjetër të re: "Ne vazhdojmë kthesën", e cila premtoi fund të korrupsionit dhe një të ardhme të qartë pro-evropiane për Bullgarinë, që fitoi shpejt popullaritet dhe që formoi një të ashtuquajtur qeveri reformuese në vitin 2021, së bashku me "Ka një popull të tillë”, me socialistët dhe aleancën liberale demokratike e Bullgarisë.

Kiril Petkov dhe Assen Vassilev në nëntor 2024 - dy burra shohin anash
Kiril Petkov dhe Assen Vassilev në nëntor 2024Fotografi: ANTON STANKOV/BGNES

Megjithatë, ajo u shemb vitin që pasoi. Në atë kohë, lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe propaganda e fortë pro-ruse në Bullgari, e përhapur edhe nga partia nacionaliste-populiste "Rilindja", shtruan sfida të reja për vendin e BE. Pas zgjedhjeve të reja, "Ne vazhdojmë kthesën" formoi një koalicion me GERB-in e Borisovit, gjë që për shumë votues përfaqësonte një tradhti ndaj idealeve dhe premtimeve të reformistëve.

Oligarku në sfond

"Gjëja më e keqe që kanë bërë partitë reformiste është se kanë bërë aleancë me pjesën më të dyshimtë të spektrit politik: me njerëzit e Borisovit”, tha për DW Velislav Veliçkov, kreu i nismës qytetare "Drejtësia për të gjithë”. Koalicioni përsëri pati mbështetjen e oligarkut Peevski dhe partisë nominalisht liberale të cilës i përket ai - "Lëvizja për të drejta dhe liri" (DPS), e cila përfaqëson kryesisht interesat e pakicës turke në Bullgari.

Manjati i medias dhe politikani Deljan Peewski mes dy burrave te tjere
Manjati i medias dhe politikani Deljan PeewskiFotografi: BGNES

Turqit përbëjnë rreth 9% të popullsisë bullgare. Vetë Deljan Peevski nuk është minoritar. Ai është i krishterë ortodoks. Duke përdorur metoda të dyshimta, ai arriti të fitonte kontrollin e emrit të partisë dhe financimit të saj nga shteti në vjeshtën e vitit 2023. Pasi u zgjodh kryetar partie në dhjetor 2024, Partia Liberale Evropiane ALDE kërkoi përjashtimin e DPS-së. Partia e Peevskit e parashikoi këtë dhe i doli përpara duke dalë nga aleanca e partive liberale.

Kultura e nderimit të të fuqishmëve

Përveç peizazhit të fragmentuar partiak, klikat në sistemin gjyqësor bullgar mbeten një problem serioz, që vazhdon të vërë në pikëpyetje aftësinë e Bullgarisë për reforma. Në vitin 2023, Ivan Geshevin vërtet e larguan nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm. Megjithatë, edhe zëvendësi i tij Borislav Sarafov, i cili gjithashtu tashmë është shkarkuar, dyshohet se ka lidhje me grupe kriminale që ndikojnë në gjyqësor.

Rasti i Martin Boyanovit, një krimineli me nofkën "Noteri", i vrarë në janar 2024, ishte spektakolar. Gjyqtarja Vladislava Tsarigradska tha në intervista dhe gjithashtu në Parlament se Bojanovi kishte ndikuar gjyqësorin me vite, e kishte kërcënuar atë dhe kolegët e saj duke iu referuar kontakteve të tij të mira me oligarkun Peevski.

Protesta kundër emërimit të Borislav Sarafovit si prokuror i përgjithshëm i Bullgarisë më 15 tetor 2024 -grumbull njerezish me pllakata
Protesta kundër emërimit të Borislav Sarafovit si prokuror i përgjithshëm i Bullgarisë më 15 tetor 2024Fotografi: BGNES

"Natyrisht, kultura e nderimit për të fuqishmit në drejtësinë bullgare, e cila daton që nga koha e diktaturës komuniste, nuk është zhdukur. Kjo frikë, së bashku me një pasuri të pashpjegueshme të gjyqtarëve dhe mungesës së përgjigjeve institucionale, minon autoritetin e gjyqësorit”, tha Tsarigradska për DW.

Reforma të mëdha pa gjasa

"Është logjike të pritet që qeveria e re të kërkojë me kujdes një ekuilibër mes interesave të sponsorëve dhe legjitimimit publik përmes reformave sipërfaqësore institucionale”, thotë gazetari politik Veselin Stoynev. Qeveria e re ka detyra të rëndësishme përpara: Bullgaria mund të humbasë miliarda euro në fondet e rimëkëmbjes së Bashkimit Evropian për shkak të mungesës së ndryshimeve legjislative.

Gjyqtarja Vladislava Tsarigradska gjatë një paraqitjeje në Parlamentin e Sofjes - nje grua me shall buzeqesh
Gjyqtarja Vladislava Tsarigradska gjatë një paraqitjeje në Parlamentin e SofjesFotografi: Nadezhda Peeva/BGNES

Në marrëveshjen e koalicionit, lidershipi i ri politik përmend si prioritet vazhdimin e përpjekjeve për të siguruar hyrjen e Bullgarisë në eurozonë, përshpejtimin e zbatimit të planit të rindërtimit dhe qëndrueshmërisë së BE-së dhe modernizimin e ushtrisë bullgare. Në marrëveshjen mes partive në pushtet përmendet edhe lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi.

Megjithatë, ekspertët mendojnë se nuk mund të priten reforma të mëdha në këtë koalicion heterogjen, i cili dyshohet seriozisht se është zhytur në varësi të thella. "Rreziku më i madh është që varësitë e kësaj qeverie të bëhen aq të pakapërcyeshme sa të komprometohen të gjitha lëvizjet e saj”, thotë Veselin Stoynev.