1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partitë politike shqiptare në Maqedoni në tryezë me palën ndërkombëtare

Fatos Musliu21 Qershor 2006

Ambasadori Ervan Fuere në emër të shteteve anëtare të BE-së, ka kërkuar nga partitë politike respektimin e kodeksit të sjelljes, të nënshkruar para disa ditëve

https://p.dw.com/p/Arez
Shkupi, Universiteti
Shkupi, UniversitetiFotografi: dpa

Pas incidenteve të fundit midis aktivistëve të BDI-së dhe PDSH-së , i dërguari i posaçëm i BE-së Ervan Fuere dhe ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoni, Xhilijan Millovanoviq i kanë ulur në tryezë të përbashkët kryetarin e BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Arbën Xhaferrin.

Fuere ka vlerësuar se është e patolerueshme prezenca e dhunës në fushatën parazgjedhore. Maqedonia si shtet kandidat për anëtarësim në BE duhet ti respektojë standardet për zgjedhje të drejta dhe demokratike. Ambasadorja e SHBA-ve Xhilijan Millovanoviq ka theksuar se frikësimi i qytetarëve për të shprehur votën e lirë është njëakt i shëmtuar dhe i papranueshëm për vlerat perëndimore: “Ne po bëjmë përpjekje që të gjejmë disa zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike se një gjë të tillë deshirojmë ta shohim në vendin tuaj.”

Në emër të shteteve anëtare të BE-së, ambasadori Ervan Fuere ka dërguar këtë mesazh: “I ftojmë liderët e të gjitha partive politike që të zbatojnë plotësisht kodeksin e sjelljes, të cilin e nënshkruan para disa ditëve. Të gjitha partitë politike publikisht duhet t’i bëjnë thirrje anëtarëve të tyre që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos i provokojnë oponentët e tyre.”

Kryetari i PDSH-së, Arbën Xhaferi, ka thënë se është vlerësuar se zgjedhjet parlamentare janë tejet të rëndësishme për Maqedoninë, meqënëse të gjithë jemi përcaktuar për sistemin e vlerave demokratike: “Duhet fuqimisht të distancohemi nga incidentet, të krijojmë një ambient demokratik, t’i respektojmë procedurat demokratike dhe standadet dhe të krijojmë hapësirë për zhvillim të një fushate të qetë dhe pa dengrime,” ka deklaruar Arbën Xhaferi.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, takimin e ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm. Të dyja palët kanë marrë përgjegjësinë që të përcjellin mesazhin tek qytetarët shqiptarë për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte-“Plotësisht kemi ranë dakord për një proces të rregullt, sepse është domosdoshmëri e jemi në një situatë mjaftë të rëndësishme qoftë për rajonin qoftë edhe për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të proceseve në Maqedoni”-ka deklaruar Ali Ahmeti kryetar i BDI-së

Dita e fundit e fushatës zgjedhore pas takimit të realizuar në ambasadën amerikane ka kaluar pa incidente.