1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partitë politike para zgjedhjeve në Maqedoni

Fatos Musliu29 Maj 2006

Partitë politike intensifikojnë përpjekjet për krijimin e koalicioneve të mundshme. Edhe partitë shqiptare do të shohin mundësitë për krijimin e koalicioneve sepse shanset për të fituar rriten më shumë.

https://p.dw.com/p/ArfW
Pllakata zgjedhjesh në Maqedoni, prill 2004
Pllakata zgjedhjesh në Maqedoni, prill 2004Fotografi: AP

Në prag të fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Maqedoni që do të mbahen më 5 korrik, partitë politike, pjesëmarrëse në te kanë intensifikuar bisedimet për formimin e koalicioneve parazgjedhore. Në bllokun politik maqedonas koalicionet midis partive politike janë formuar që nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Për zgjedhjet parlamentare në bllokun maqedonas ka ndryshime shumë të vogla.

Edhe pse partitë politike shqiptare kohë më parë kishin paralajmëruar se në zgjedhjet parlamentare do të dalin vetë për ta provuar forcën, një gjë e tillë nuk ndodhi meqë pas analizave partiake është vlerësuar se me formimin e koalicioneve parazgjedhore shansi për të fituar do të jetë më i madh.

Partia shqiptare në pushtet, BDI ka firmosur marrëveshjen për koalicion me PPD-në. Kjo e fundit gjatë pluralizmit në Maqedoni, 8 vite ka qënë pjesë e koalicionit qeveritar, por në dy zgjedhjet e fundit parlamentare ajo mbeti në opozitë. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe i PPD-së Abdylhadi Vejseli marrëveshjen e firmosur e kanë vlerësuar si koalicion i fitores. Ata kanë premtuar se do të angazhohen për promovim të vlerave kombëtare, proces zgjedhor pa dhunë, të drejt dhe të ndershëm.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se në këto zgjedhje fitimtarë duhet të jenë qytetarët të cilët meritojnë zgjedhje demokratike dhe se me kontributin e tyre ata do të përshpetojnë proceset e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

"Ne jemi të vetëdijëshëm se ndodhemi në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm. Maqedoninë e presin angazhime, vërtet mjaf të mëdha të cilat shkojnë në drejtim të avancimit të mëtutjeshëm të proceseve në të cilat ne kemi punuar katër vite me radhë, andaj vlerësojmë se ky vit është vendimtar për Maqedoninë", ka deklaruar Ali Ahmeti.

Për kryetarin e PPD-së Abdylhadi Vejseli, me 5 korrik duhet të fitojnë qytetarët e Maqedonisë sepse pas sakrificave të bëra ata meritojnë zgjedhje fer dhe demokratike. "Do të angazhohemi për reforma të filluara nga kjo Qeveri që të arrijmë deri tek integrimet, ajo që është pikë synimi ynë, integrimet euroatlantike, për reformat që duhen bërë në drejtësi dhe në të gjitha sferat e jetës e sidomos duke i dhënë rëndësi të veçantë aspektit ekonomik për të ndërtuar një strategji të mirrëfilltë ekonomike për të dalë nga kjo krizë e thellë ekonomike", thotë Abdylhadi Vejseli.

Partia më e madhe opozitare shqiptare PDSH, marrëveshjen e arritur për koalicion midis BDI-së dhe PPD-së e ka vlerësuar si akt të panatyrshëm dhe të palogjikshëm. Gjithnjë sipas tyre ky koalicion do të nxis asimilimin përmes doktrinës së integrimit, ndërsa PDSH-ja do të vazhdojë të bëjë rezistencë dhe të afirmon të drejtën për ruajtjen dhe kultivimin e veçantisë kombëtare.