1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partitë e koalicionit të madh shpallin emrat e ministrave

pp (dpa/Phoenix/dw)16 Dhjetor 2013

Në Berlin krijohen prej riorganizimeve disa ministri të reja, si Ministria e Ekonomisë dhe e Energjetikës, Ministria e Drejtësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe ajo e Transportit dhe e Infrastrukturës Digjitale.

https://p.dw.com/p/1Aa8C
Fotografi: Reuters

Pas votës së anëtarëve pro koalicionit të madh kryesia e Partisë Socialdemokrate Gjermane SPD miratoi gjashtë postet ministrore në koalicionin e madh me CDU/CSU. Kryetari i SPD-së Sigmar Gabriel do të jetë zëvendëskancelar dhe super-ministër i Ekonomisë dhe i Energjetikës. Frank-Walter Steinmeier do të drejtojë si edhe në vitet 2005 deri 2009 Ministrinë e Punëve të Jashtme. Barbara Hendricks do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit, sekretarja e përgjithshme e SPD-së Andrea Nahles do të jetë ministre e Punës, zëvendëskryetarja e SPD-së Manuela Schwesig do të drejtojë Ministrinë për Familjet, kurse Heiko Maas, Ministrinë e Drejtësisë dhe të Mbrojtjes së Konsumatorëve, ministri kjo e cila në këtë kombinim krijohet gjithashtu si ministri e re.

Po nga radhët e socialdemokratëve do të jetë edhe ministrja e shtetit për Migracionin, Refugjatët dhe Integrimin, Aydan Özoguz. Për herë të parë në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë pjesë e kabinetit është një grua me origjinë turke.

Bundesregierung Kombobild
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjashtë ministra nga CDU-ja

Presidiumi drejtues i CDU-së miratoi listën e ministrave të kësaj partie në koalicionin e madh. Kryetarja e partisë Angela Merkel njoftoi të dielën në mbrëmje (15.12.) në Berlin se do t'i propozojë Presidentit gjerman këta persona: Peter Altmaier si shef të zyrës së kancelares, Hermann Grohe si ministër të Shëndetësisë, Ursula von der Leyen si ministre e Mbrojtjes, Thomas de Maizière ministër i Brendshëm, Wolfgang Schäuble ministër i Financave, Johanna Wanka ministre e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor.

Tre ministra nga CSU-ja

Edhe kryetari i partisë CSU Horst Seehofer prezantoi në Mynih (15.12.) se cilët ministri do të drejtojnë ministra të kësaj partie. Alexander Dobrindt do të jetë ministër i Transportit dhe i Infrastrukturës Digjitale, Hans-Peter Friedrich ministër i Bujqësisë dhe Gerd Müller, që deri tani ishte sekretar shteti në Ministrinë për Mbrojtjen e Konsumatorve do të jetë ministri i Ndihmës për Zhvillimin.

Seehofer tha se sekretari i shtetit në Ministrinë e Shkencës do të jetë Stefan Müller, i cili i takon gjithashtu partisë CSU. Pra simotra bavareze e CDU-së do të jetë e përfaqësuar në qeverinë e re me tre ministra dhe tre sekretarë shteti.

Ministrat e rinj do të betohen ditën e martë.