1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parada e cila varet nga mëshira e shtetit

Mirjana Kühne-Veljkoviq / Esat Ahmeti4 Tetor 2012

Shteti aplikon një mekanizëm që përjashton disa grupe, si atë LGBT, dhe pastaj i shpreh dhembshuri: ju jeni ndryshe dhe duhet të prisni mëshirën tonë dhe kur t'ua japim atë nuk përjashtohet mundësia që të ketë dhunë.

https://p.dw.com/p/16Jx5
Demostratë pro homoseksualitetin në BeogradFotografi: picture-alliance/dpa

Për shkaqe të sigurisë janë ndaluar që të mbahen të shtunën më 6 tetor në Beograd, të gjitha tubimet e planifikuara . Ky është kapitullim i shtetit, thonë organizatorët e paradës së grupit LGBT (lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë). Lidhur me këtë në mikrofonin e Deutsche Welles flet Svenka Saviq, ligjëruese në Universitetin e Novi Sadit.

DW: A nuk bëhet fjalë këtu për një nga të drejtat themelore në një shoqëri demokratike - të drejtën e lirisë së tubimit?

Svenka Saviq: "Bëhet fjalë për shumë të drejta. Së pari: të drejtën për një jetë pa dhunë, e cila i garantohet çdo qytetari dhe qytetareje. Nga ana tjetër kemi të bëjmë në fakt me vazhdimin e një mekanizmi të izolimit dhe përjashtimit. Shteti aplikon një mekanizëm për të përjashtuar grupe të caktuara, në këtë rast, grupin LGBT, dhe pastaj i shpreh atij dhembshuri. Këtë do ta quaja mekanizëm mëshire. Ndoshta do të keni përkrahjen tonë vetëm nëse do të keni ndonjë aktivitet me dyer të mbyllura... Kështu që pikërisht Ivica Daçiqi por edhe të gjithë të tjerët bëjnë taktika me modelin patriarkal sipas të cilit: ju jeni ndryshe dhe duhet të prisni mëshirën tonë dhe edhe kur t'ua japim atë nuk përjashtohet mundësia që të mos ketë dhunë."

Serbien Belgrad Demonstration Homosexualität
Demostratë pro homoseksualitetin në BeogradFotografi: picture-alliance/dpa

Po prej nga gjithë kjo homofobi në shoqërinë serbe?  Çfarë ka ajo të veçantë nga vendet e tjera?

Svenka Saviq:"Para së gjithash, këtu homofobia nxitet nga burime të ndryshme. Një prej tyre natyrisht që është sistemi arsimor, por edhe kisha, madje unë do të thoja se faktori kryesor është kisha. Unë mendoj se në këtë pikë pajtohen të gjitha konfesionet fetare në Serbi. Kur them konfensione e kam fjalën për kishën e krishterë dhe besimin islam, edhe pse deri tani nuk kam dëgjuar ndonjë deklaratë të kryesisë së Bashkësisë Islame. Janë burime të ndryshme ato që nxisin këto qëndrime të cilat pastaj përhapen nga mediat. Përveç kësaj, unë mendoj se ka një mungesë të madhe të njohurive rreth asaj se si duhet parë grupi LGBT dhe si duhen argumentuar të drejtat e tyre si në aspektin e të drejtave të njeriut, që është vetëm një komponent, ashtu dhe nga pikëpamja e të drejtave civile. Pra, ka shumë burime të ndryshme. Nuk është vetëm një burim i homofobisë."

Serbien Krawalle Homosexualität Homsexuelle Anti Schwulen Proteste
Demostratë pro homoseksualitetin në BeogradFotografi: picture-alliance/dpa

Çfarë duhet të ndodhë në mënyrë që edhe në Serbi të bëhet e mundshme martesa mes partnerëve me gjini të njëjtë?

Svenka Saviq: "Ne të gjithë jemi dakord se ky është një proces që më parë ka ndodhur në Gjermani, 30 vjet më parë. Nëpër këtë proces duhet të kalojë edhe shoqëria serbe e cila është vonuar me modernizimin, edhe si shumë shtete të tjera. Për shembull aktualisht në librat e mësimit në Fakultetin e Mjekësisë thuhet se orientimi seksual është sëmundje dhe duhet të trajtohet kështu, kështu dhe kështu.... E shihni, këtë e mësojnë studentët e mjekësisë. Ne i kemi analizuar ato libra, dhe kur themi ne e kam fjalën për OJQ-të e grave. Dhe për këtë janë botuar libra. Kështu që në të njëjtën kohë që ndodhin ndryshime vazhdohet edhe me qëndrime patriarkale, stereotipe dhe paragjykime. Kështu që mbetet ende shumë për tu bërë. Të gjitha këto gjëra kanë lidhje me njëra-tjetrën sepse vetëm kur njeriu arrin të racionalizojë stereotipet apo paragjykimet e tij dhe i ballafaqon ato me argumente të vlefshme atëherë e kupton se kjo është e pakuptimtë dhe mund t'i ndryshojë gjërat. Por jo në këtë mënyrë."