1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Para refendumit për kushtetutës në Spanjë, Zapatero fton miqtë e tij Shrëder dhe Shirak në Barcelonë

Oliver Glaap11 Shkurt 2005

Referendumi i parë mbi kushtetutën evropiane zhvillohet në 20 shkurt në Spanjë. Me qëllim që ai të arrijë rezultatet e dëshiruara, kryeministri spanjoll Jose Luis Zapatero ka ftuar dy miqtë e tij, kancelarin gjerman Shrëder dhe presidentin francez Shirak në Barselonë. Motoja: "Tre herë PO kushtetutës evropiane". Para më pak se një viti një takim i tillë nën paraardhësin Aznar do të ishte i pamundur

https://p.dw.com/p/ArF7

Në këtë samit që zgjat mjaft pak nuk ka shumë për të diskutuar. Kryeministri spanjoll Jose Luis Zapatero ka ftuar kolegët e tij, kancelarin gjerman Gerhard Shrëder dhe presidentin francez Zhak Shirak më shumë për reklamë në një takim të përbashkët në Barcelonë. Produkti është kushtetuta evropiane. Pengesën e parë ajo ka për t'a kaluar në Spanjë dhe Zapatero dëshiron shumë, që kjo të kalojë sa më lehtë: "Qeveria e cilëson si të përshtatshëm, faktin, që Spanja është e para ndër vendet, të cilat do të ratifikojnë marrëveshjen mbi kushtetutën e re. Përmes shembullit tonë në synojmë të largojmë çdo dyshim dhe mundësinë e kthimit mbrapa"- thotë Zapatero.
Kryeministri spanjoll nuk mjaftohet me vendimin e parlamentit, por ka bërë thirrje edhe për referendumin, i cili do të mbahet në 20 shkurt. Sipas prognozave nuk besohet se ky referendum do të rrezikojë ratifikimin e kushtetutës. Megjithatë Zapatero lejon ta ndihmojnë edhe miqtë e tij Shrëder dhe Shirak, të cilët e dinë fare mirë se çfarë i kanë borxh Zapateros. Kancelari gjerman e ka thënë këtë qartë disa herë si psh. pas nënshkrimit të kushtetutës evropiane në vjeshtën e shkuar. Shrëder: "Pa qeverinë Zapatero, këtë madje mund ta themi me kompliment të madh, nuk kishim për të mbërritur tek një përfundim i tillë i kushtetutës."
Në të vërtetë, paraardhësi i Zapateros, Aznari e kishte refuzuar kushtetutën e ardhshme evropiane. Kjo për arsye se preambula e kushtetutës nuk fillon me zotin, por para së gjithash për shkak të shpërndarjes së votave në Këshillin evropian. Spanja ka një pozicion shumë më të keq në krahasim me Gjermaninë dhe Francën, mendonte Aznar. Me ndryshimin e pushtetit të konservativëve në Spanjë erdhën socialistët. Pas kësaj Zapatero menjëherë bëri të qartë kthesën në politikën që do të ndiqte Spanja: "Spanja do të kuptohet sërish mjaft mirë me Evropën. Spanja do të jetë më evropiane se kurrë më parë." Kështu tha Zapatero dhe nënshkroi kushtetutën.
Megjithëse partia konservative spanjolle e kritikon së tepërmi udhëheqjen socialiste dhe përmbajtjen e kushtetutës evropiane, ajo ju bën thirrje qytetarëve spanjollë, t'i thonë Po kushtetutës evropiane. Më mirë kjo kushtetutë që është se sa pa kushtetutë fare.